Një politikan i rëndësishëm në PD siç është Edi Paloka, deklaroi në media se s’mund të ketë një kandidaturë për Tiranën, pa pasur një vendim nëse do të marrë pjesë në zgjedhje apo jo.
Një deklaratë bllofi, apo një mundësi reale? Situata në PD duket qartë se nuk është përgatitur për një garë të menduar dhe të strukturuar në Tiranë, e cila dukej prej kohësh që do të ndodhte. Një garë që nuk është e plotë, pasi është një nxemje për fushatën e ardhshme në 2027-n.
Për një forcë politike normale, qoftë edhe një nxemje është e rëndësishme, pasi i jep një stimul strukturave dhe motivon mbështetësit, duke rigjeneruar procesin politik.
Mirëpo Partia Demokratike ka dy arsye të forta frustrimi që i sjellin në subkoshiencë variantin e braktisjes. Në realitet jo Partia Demokratike si tërësi apo grup politik, por establishment i Sali Berishës, përkatësisht kupola e partisë.
Arsyeja e parë është se PD është e gjendur e parapregatitur dhe një rezultat negative rresht pas 11 majit, mund të rrënojë edhe më situatën e lidershipit, edhe ashtu problematike. Në këtë aspekt në kupolën e PD po përjetohet dukshëm kompleksi se ky process është një kurth politik i Edi Ramës, i përgatitur për ta futur opozitën.
Ndërkaq arsyeja tjetër është se Tirana është kthyer në një mankth politik i PD-së, si pasojë e një boshllëku të krijuar ndër vite, qoftë prej fitoreve rresht të PS-së, por edhe prej luftës së brendshme në PD.
Luftë, e cila në strukturat e bazës ka pasur një përmasë dërrmuese, por që nuk duket shumë në publik, ku hapësirë ka më shumë establishment politik dhe mediatik përreth Sali Berishës.
Partia Demokratike, prej kohësh ka një vrimë të madhe politike në bashkinë e Tiranës, qoftë në zgjedhje lokale, qoftë edhe parlamentare. Vrima që ka PD nëse shikohet me kujdes gjatë viteve nuk është as permanente e as një antipati e kryeqytetit për opozitën. Megjithatë fakt është se kjo antipasti ka vetëm një emër-Sali Berisha dhe kjo është e dukshme. PD e ka pasur kryeqytetin nga viti 1991 deri në vitin 1996, duke krijuar një bazë të rëndësishme në qytet, si dhe zonat përreth.
Problemet e PD-së më kryeqytetin nisën me proceset e vrullshme të zënies së pronave në rrethinat e Tiranës, pore dhe problemit të zgjidhjes së pronave në Tiranë në mënyrë korruptive dhe të dhunshme. Në referendumin e Kushtetutësn në vitin 1994, PD humbi keq në kryeqytet, duke sjellë kështu një ankth të madh për Sali Berishën atëherë President, i cili ju drejtua versionit të futjes dorë në proces. Ç’ka nddhi në 1996, si në zgjedhjet parlamentare më 26 maj, ashtu edhe në zgjedhjet lokale të 20 tetorit. Kjo solli më pas problemet e mëdha që sollën konfliktin e 1997, që e futi Shqipërinë në kaos total.
Tirana megjithatë në 1997, ishte i vetmi qytet i qetë dhe me një kontroll deri diku të shtetit dhe strukturave policore. Në zgjedhjet e qershorit 1997, PD mori një rezultat katastrofik, ku humbi të gjitha 15 zonat e sistemit mazhoritar, nga qendra në periferi. Një rezultat politik, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një mesazh politik për Sali Berishën dhe politikën e tij.
Ndërkaq, në zgjedhjet e vitit 2000, nisi epoka e Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, duke ja dhënë pushtetin lokal për herë të parë Partisë Socialiste. Mejgithë humbjen e thellë, një vit më pas, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, PD rikuperoi disa zona të kryeqytetit, duke fituar kandidatët e saj në garë direkte. Fitoi Spartak Ngjela në zonën 1, një zonë edhe e vjetër edhe informale, fitoi Bamir Topi në një zonë të vështirë si zona 4, rikuperoi gjithashtu edhe 10-n në qendër dhe zonën 11 në Laprakë. Në vitin 2003, Spartak Ngjela humbi zgjedhjet me Edi Ramën, por bëri betejë të fortë, duke çuar edhe disa zona në rinumërim. Në zgjedhjet e vitit 2005, falë edhe përçarjes së PS-së nga dalja e LSI-së, PD rikuperoi zonën 8 apo Tiranën e vjetër, zonën 10 në qendër të kryeqytetit, zonën 9 ku fitoi Bamir Topi dhe zonën 7 apo 21-shi ku fitoi Lulzim Basha etj etj.
Ky rikuperim rihapi lojën në kryeqytet për një ringjallje të kompeticionit politik. Vota e 2005-s ishte një sinjal politik për të inkurajuar figurat e reja si Lulzim Basha, pore dhe personazhet e qeta dhe jo polarizuese si Bamir Topi.
Por siç ndodh gjithmonë, ndërhyrja e Sali Berishës me mënyrën e tij si elefant në dyqanin e qelqurinave prishi gjithçka. Me idenë për të fituar edhe më shumë territor ndaj Edi Ramës, duke treguar dorë të fortë, Berisha vendos prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi, i cili ishte një nyje e pritshme nga njerëzit për lehtësimin e trafikut.
Prishja ndodhi thjeshte për arsye klenteliste, pasi i zihej pamja një pallati që po ndërtohej nga një klient i familjarëve të tij. Në vend të mbikalimit u ndërtua rrotullama e famshme që është edhe tani, me një shatrëvan brenda.
Procesi për prishjen e mbikalimit u kthye në një betejë politike, duke treguar muskujt verbal dhe realë çka rriti tensionet në Tiranë. Pikërisht edhe për këtë sjellje polarizuese, Tirana ndëshkoi rëndë Berishën në zgjedhjet e 2007, edhe pse i ndjeri Sokol Olldashi bëri një betejë fantastike në territor, pore dhe politike, duke marrë rreth vetes mjaft personazhet të majtë, duke nisur që nga lideri historik i socialistëve Fatos Nano. Edhe pse fushata qe mjaft e fortë dhe pati nga të gjitha ngjyrat, Rama fitoi me 20 mijë vota plus.
Në vitin 2011, PD vendosi Lulzim Bashën, pajtoi një kompani të rëndësishme imazhi nga SHBA, e cila detyroi Sali Berishën të largohet nga fushata e kryeqytetit. Siç tashmë dihet, Basha mori një numër të madh votash, të cilët natyrisht që një pjesë u orientuan dhe inxhinieruan, por gjithsesi kishte një rritje reale për shumë arsye, qoftë se Basha ishte një fytyrë e re, qoftë se krijoi një koalicion të gjerë edhe majtas edhe djathtas në territor, por mbi të gjitha se Berisha nuk u pa asnjë ditë. Publiku e pa këtë sinjal si një paralajmërim e një largimi të butë të doktorit dhe dhënies së stafetës tek Lul Basha. Ndaj edhe e dha sinjalin e tij politik. Por Berisha u kthye ditën që u mbyllën zgjedhjet, duke bërë atë që bëri prishur procesin për të fituar zgjedhjet, që në realitet i humbi. Më pas situata siç dihet është agravuar, edhe si pasojë e krijimit të një klime polarizuese me Erion Veliajn, i cili ishte një motor elektoral që arriti të marrë numrin më të madh të votave që një kryebashkiak ka marrë ndonjëherë në tre mandate rresht.
Sot PD është në këtë vrimë të madhe, që për tu mbushur kërkon një bing beng politik, që nuk mund ta zgjidhë një kandidat i vetëm por një process i madh politik. Ndaj ka frikë për të hyrë në zgjedhjet e pjesshme. Pasi ka humbur trenin në zgjedhjet vendore, PD synon që të japë një goditje vetëm në zgjedhjet e përgjithshme, ku gara është më e gjerë, si dhe ka kohë. Por pikërisht koha është problemi më i madh i PD-së, pasi duke e përdorur keq këtë term jetik në politikë ka ardhur deri këtu. Taktika e PD është që të degradohet pushteti vetë për të prodhuar efektin se do vijnë tek ne. Por në kryeqytet, sipas të gjitha gjasave situata në terren është që të dalë një figurë apo parti e re politike, në vend që të shkojnë votat te Berisha. Dhe shenjat u dhanë që më 11 maj./Tema
Komente
