Efekti jo vetëm i largimit demonstrativ, por edhe i etiketimit “turp të të vijë Sali Berisha”, sa vjen e po bëhet viral në opinionin e rrjetit fanatik pro berishës, ndryshe nga çe ka parashikuar vetë i zoti i punës.
Mbajtja me gajret këto ditë i opinionit se “hajt mo se ka dashur diçka për vete”, duket se po avancon tek mbështetësit e Foltores si “hë mo se proces janë zgjedhjet, kanë edhe defektet e veta”.
Domethënë, siç ka ndodhur gjithmonë e ndodh te ne: “gjëra që bëjnë vaki”.
Ky relativizim që po përdoret për të zbutur sa më shumë zemërimin e Evi Kokalarit, mund të ishte i efektshëm në raste të tjera apo edhe në kohë të tjera, por jo sot, kur kemi të bëjmë me një situatë krejt të veçantë.
Ku, e gjithë Foltorja pas shpalljes Non Grata u bazua te Evi Kokalari, jo si person, por sepse e vishnin atë me lëvozhgën politike të pjesës trumpiste të Partisë Republikane të SHBA-së.
Ndaj, në thelb e gjithë kjo histori është një boomerang, një mallkim që të rikthehet në fytyrë si ajo loja austrialiane që fuqinë e ka më shumë se metaforë. Sa “gropa” ka hapur Evi në hapësirën e PD-së sidomos tek gratë e njohura të kësaj partie, kur ju përvesh Foltores dhe shërbeu edhe si krah i djathtë i doktorit, ku e qeshura e saj së bashku me Florjana Garon, duhet thënë se ka sjellë pak entuziazëm në fëtyrat e nxira pas vendimit të qeverisë Amerikane në liqenin e madh e të thellë të militantëve radikalë të Sali Berishës.
Ndaj dhe zemërimi i Evit, nuk se është një dënim kapital politik për Berishën, pasi atë ja ka dhënë Uashingtoni me vulë të njomë e të thatë.
Kjo që ndodhi sot është një zhvillim që pasuron atë teatër absurd që është luajtur prej një viti, duke simuluar se po sillnin në shesh atmosferën revolucionare, që nuk reshtnin të na kujtonin “Revolucionin e Tetorit”.
Atë atmosferë të Shën Pjetërsburgut të viteve 1917- 1919, kur qyteti u kthye në një laborator shkrimtarësh e poetësh që kërkonin realizmin. E siç u pa nga veprat e Vladimir Majakovskit, erdhi në në skenë një narrativë futuriste, aq distante dhe e largët nga tradita ruse e Tolstojit dhe Dostojevskit.
I gjithë ky lëmsh, bashkuar me dramat e mëdha të aktorëve të rëndë të betejave ku pamë protagonist të njohur të skenës e regjisë që lëviznin nga Foltorja te Meta për tu zgjedhur deputetë, shkon e zgjatet e zgjatet si filli i leshit, që doli nga lëmshi që si gjithmonë e nxjerrin si top pe lecke për të luajtur në fushë.
E gjithë ky material që duket si i duhur për “Fotaqët” e dështuar në dramaturgji, politikisht mbetet sërish material për emisionet “satirike”.
Shtoi pastaj prosesverbalin e “Thumanës” që është kthyer në nyjen gordiane të Foltores, nuk ka logjikë që të jetë objekt për reporterëet e politikës. Në panele do të shikojmë të dërguarit e kronikës së zezë, që do i shtojnë Thumanës, sipas burimeve të tyre, edhe të dhënat që vijnë nga Nikla e Fushë-Kuqja.
Kaq shumë dramë për pak gjë, kaq shumë inat për një post që në fund të fundit, mund të zgjidhej njëri, edhe me konkurs alla X Factor siç i bën Edi Rama në FRESSH me një juri mikse me veteranë e postmodernistë që shikojnë më shumë të folurën e paraqitjen sesa lidhjet e territorit.
Gjithsesi i gjithë ky shpërthim inatesh e mllefesh ka ndodhur, pasi është mbledhur gjithçka, e ku secili shpreh inatin se nuk ja vari njeri edhe pse ata dhanë, u afruan. Madje si Evi Kokalari dhe të tjerët që ju atashuan Foltores e dinë mirë se e bënë këtë “në ditën më të keq të doktorit”. Edhe? Ky i fundit i la ashtu me gisht në gojë!
Berisha, edhe mund ta gjejë një fjalë për të ilustruar zhgënjimin e gruas që erdhi nga Nju Jorku për ta mbështetur, duke i ofruar një kanal në Partinë Republikane Amerikane. Mund të gjëjë, siç ka gjetur gjithmonë mjaft sofizma dhe eufemizma për ta goditur Evi Kokalarin, e cila nga ana e saj e ka qëlluar shumë fort doktorin që e mbështeti aq shumë.
Por, këtë radhë është në pozitë shumë të vështirë, pasi do të duket si një shenjë se edhe kur ai është rëndë dhe i dobët, nuk kursen ata që mërziten prej tij.
E kjo, do të ketë efektin e bumerangut politik më të madh për një njeri që mendoi se mund të ringjallet nga hiri si Feniksi.
E pikërisht në këtë ditë të keqe, aty trokiti Ilir Meta, i cili sipas të gjitha gjasave i ka thënë doktorit se nuk ka rrugë tjetër përveç “Shtëpisë së Lirisë” së 6 marsit, e cila kalon nga ai.
E mendo se gjithë këtë kohë është folur për primare, kosnervatorizëm, sovranizëm e gjëra të tilla, ku dolën edhe talente të rrallë që dukeshin se kishin dalë nga sqetulla e Donald Trumpit. Po në fund, gjithçka u zgjidh e u rilidh te procesverbali i Thumanës, që të kujton legjislaturën e Dushkut, apo sherrin e Libofshës…