Sali Berisha dhe Yuri Kim

Ylli Pata: Çfarë synon Berisha me peticionin kundër Yuri Kim?

25 Prill 2022, 17:52| Përditesimi: 25 Prill 2022, 17:54

  • Share

Koha përputhet- ekzaktësisht i njëjti muaj edhe pse vite të ndryshme. Objekti e koncepti po ashtu ngjan si dy pika uji. Më 2 prill 1998, Sllobodan Millosheviçi i kërkonte serbëve të votonin në një referendum absurd, që ata të kundërshtonin ndaj mendimit të Perëndimit, i cili nuk donte që shqiptarët e Kosovës të dhunohen nga një diktator.

Plot 24 vjet më pas, një bashkëkohës i Sllobodan Millosheviçit, i cili është ende në funksione të plota politike edhe sot, pra Sali Berisha, po inicon një peticion kundër Yuri Kim, ambasadores së SHBA në Shqipëri.

“Nismë” që natyrisht po e përforcojnë në publik mbështetësit e Sali Berishës, por që realisht nuk ka asnjë bazë për tu mbështetur si kauzë publike.

Njerëzit që përkrahin Sali Berishës i kërkojnë militantëve të firmosin një peticion kundër ambasadores së SHBA-së. Po përse? Sepse sipas tyre diplomatja e Uashingtonit po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë?

Realisht cili do të jetë objektivi që do të arrijë peticioni i Sali Berishës ndaj SHBA? Që ka njerëz që nuk e përkrahin ndëshkimin e tij për korrupsion domethënës, minim të demokracisë e pengim të drejtësisë? 

Kjo dihet! Ka realisht njerëz që mbështesin Sali Berishën dhe janë gati të bëjmë luftë me qeverinë amerikane. Madje e tregojnë çdo ditë prej disa vitesh në komentet e tyre në faqet zyrtare të ambvasadës së SHBA por edhe në mediat audiovizive në vend.

Por i gjithë ky aksion nuk ka sens, nuk është as politik, e as logjik, ngase kemi të bëjmë me një inat e jo ide, me një mllef e jo nismë.

Ky aksion është identik me një të tillë që Sllobodan Millosheviçi ndërmori në prillin e vitit 1998, pikërisht më 2 prill, kur i ndjeri Robin Cook, Sekretari i Jashtëm i Mbrëtërisë së Bashkuar vizitoi Beogradin dhe dënoi Millosheviçin për masakrat e tij ndaj shqiptarëve të Kosovës. Cook, deklaroi se Perëndimi, jo vetëm i dënon por do të marrë aksione ndaj Serbisë, me një përshkallëzim të llogaritur.

Milosheviçi, thirri njerëzit në një referendum kundër Perëndimit, e ku “fitoi” falë edhe manipulimit e lajmeve të rreme. Ai referendum nuk kishte të bënte fare me Serbinë, me logjikën, me një marrëdhënie normale të Beogradit me komunitetin ndërkombëtar. Por thjesht me një nismë të Milosheviçit për ta ndarë shoqërinë, sa të jetë e mundur me Perëndimin.

Natyrisht në Serbi, në atë kohë, por edhe sot logjika properëndimore ka sens, pasi shumica e opinionit janë të rreshtuar kundër Perëndimit. I vetmi lider perëndimor i Serbisë-Zoran Xhinxhiç u vra në mënyrë macabre. Pasardhësit e tij, të gjithë kanë treguar hapur me zemër apo me hipokrizi besnikërinë ndaj Moskës.

Sali Berisha, hapur nuk është me Moskën, por hapur është kundër SHBA, gjersa ka inicuar edhe një “referendum online” ndaj zyrtares më të lartë të SHBA në Shqipëri.

Peticioni online, në thelb është një mekanizëm i pabesueshëm e i manipulueshëm, pasi varet nga njeriu që e komandon dhe e administron, megjithatë thelbi dihet pavarësisht rezultatit që do të nxjerrë media e doktorit.

Shqiptarët duan që SHBA të ketë edhe më shumë akses në jetën publike në vend. Të njëjtë e duan të gjithë popujt e Ballkanit, madje edhe Bosnja, që ka Republika Srbskan pro ruse. Mediat e Beogradit po shkruajnë këto ditë se edhe në Serbi po rritet një vetëdije properëndimore.

Megjithatë Berishës i duhet një votim pro tij, edhe pse mjaft vetë që edhe mund ta votojnë e bëjnë për nostalgji jo se kanë ndonjë gjë kundër SHBA. Po Berisha ka një ngut, pasi të enjten më 28 prill në Tiranë do të jenë dy zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: i dërguari i presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried.

Të cilët, jo vetëm priten të avancojnë qëndrimin e SHBA kundër korrupsionit, por edhe të japin adresa të reja për “Peshqit e Medhënj”. E këta peshq, duan të tregojnë se si kap kush. Po vërtetë si kap kush?!/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?