Teza që lëshoi sot Agron Gjekmarkaj, nuk është e re, pasi ajo është përdorur nga Gaz Bardhi e grupi i tij për tu bashkuar me doktorit.
Termi “Diversitet” është një fjalë që jo vetëm nuk ka lidhje me realitetin në opozitën shqiptare, por as nuk zë vend në asnjë prej mendjeve normale të mbështetësve të PD-së ndër vite.
Partia Demokratike, siç dhe partitë e tjera xhanëm, nuk kanë pasur asnjëherë “diversitet”, pasi atë e kanë forcat politike të konsoloduara e me bazë reale.
Diversiteti është në grupe që kanë qëndrime të ndryshme për ekonominë, operimin politik, institucionet, mënyrën e lidhjes së aleancave politike etj.
“Diversiteti” si tezë na shitet, ose më mirë synohet t’i shitet publikut si një komardare shpëtimi pas vendimeve e qëndrimeve traumatike që kanë sjellë opozitën në këtë gjendje.
Shembulli më kuptimplotë i kësaj hipokrizie është qëndrimi public për vetvrasjen më të madhe politike që opozita ka kryer në Shqipëri; djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve.
Askush nuk pipëtiu kur vendimi u mor dhe shkuan gjithë si të pushtuar nga fuqia demoniake në selinë e kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar deklaratet e dorëzimit të mandateve. Madje nuk mbaroi me kaq, linçuan deputetët rezervë, të cilët me zëvendësimin e listës së opozitës në Kuvend, bënë të mundur që PD e LSI të mos likuidohet përfundimisht në zgjedhjet e ardhshme.
Fakti është se sot kemi dy qëndrime që nuk janë diversitet por ndarje e qartë brenda opozitës. Grupin që është ndarë nga Sali Berisha, që sot identifikohet me partinë e Lulzim Bashës, që e quajnë shpesh partinë e vulës, apo Rithemelimin a foltores, që është një organizëm pa trup dhe koncept politik. Grupi i parë është mbështetës i fortë i SPAK dhe reformës në drejtësi, i dyti e konsideron një “strukturë kriminale”.
Ky nuk është fare një diversifikim qëndrimesh por një kufi politik shumë i prerë, që tregon qartë e pa asnjë ekuivok sa kemi të paktën dy parti brenda gërmadhave të Partisë Demokratike.
Dhe në këtë panoramë, ka humbur fare edhe logjika vulës dhe legalitetit të përfaqësimit të ish-PD-së.
Sipas të gjitha gjasave në gjykimin në themel që do t’I bëhet kësaj çështjeje në Apel, do të kërkohet një certifikim legaliteti nga organet reale të partisë. Të cilat sin ë PD-në e Bashës e si në foltore, kanë shkelur procedurat dhe kapërcyer institucionet reale të partisë.
Jemi në një fazë tashmë, ku nevojitet jo vetëm vula e simbole të reja, por një pranim të realitetit, të cilin më mirë se të gjithë e kanë pranuar demokratët në bazë.
Të cilët funksionojnë tashmë si dy grupe që janë kundër njëri-tjetrit dhe luftojnë për të marrë votat e ish-hambarit të opozitës.
Deputetët që sot janë me foltoren, janë thuajse në marrëdhënie të prishur ose të zbuar nga demokratët e bazës, ndaj mundohen të gjejnë diversitet në strehën e katit të tetë të ballkonit të doktor Berishës.
I cili, sado që ka luajtur me porta hungareze me mazhorancën, Gaz Bardhin apo Ilir Metën, nuk ka asnjë gjasë që të marrë më PD-në, të cilën e shkatërroi vetëm që të mbronte veten nga amerikanët.
Kurse PD-ja e Lulzim Bashës, nëse do të kërkojë të rritet, apo të hyjë në aleancë me shoqërinë duke reformuar veten, ka nevojë për një realitet krejt të ri. Realitet që nuk i bëjnë fajde as tabitë e as bulat e vjetra, por një identitet dhe realitet i ri politik dhe mbi të gjitha të grupit udhëheqës./Tema