Ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Ylli Pata: Dorëheqja e Lulzim Bashës; Pse akti i 14 marsit nuk prodhoi asnjë efekt politik te opozita?

7 Qershor 2022, 18:11| Përditesimi: 7 Qershor 2022, 18:14

  • Share

Që prej 14 marsit kur Lulzim Basha u largua nga drejtimit të PD-së, opozita gjendet në një impas edhe më të madh.

Ideja e hedhur nga Basha se ikja e tij do të ndihmojë bashkimin, jo vetëm që nuk ndodhi, por përçarjet janë thelluar edhe më keq. Kacafytjet që deri para 14 marsit, i shikonim si një sulm ndaj kryetarit të atëhershëm, tani po i shikojmë si një fenomen që ka përfshirë të gjithë ambjentet e grupeve të opozitës. Si në PD-në e regjencës Alibeaj, ashtu edhe në foltore, por edhe në pjesën tjetër të opozitës, gjuha e mllefit dhe e sharjes së mbjellë gjithë këto vite, po aplikohet pa asnjë kursim.

Skenat që po përjetohen së fundmi nga sherri në foltore ndërmjet “konservatores trumpiste”: Evi Kokalari me njërëzit e Belind Këlliçi, veçse po i japin më shumë ngjyra gossipi skenës, e cila po konkurron me audiencën që has sherri tjetër i Noyzit me reperin Cllevion që “mbyti” rrjetin.

Madje, mund të thuhet pa hezitim se largimi i Lulzim Bashës, jo vetëm ka prodhuar një pasiguri e kaos në ambjentet e grupeve të interesit në PD, por rrezikon seriozisht, aftësinë politike të kësaj opozite për të udhëhequr reformat e rëndësishme institucionale që priten të avancohen përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore e Parlamentare, siç janë reforma territorial, ajo zgjedhore, si dhe shtyrja e kompletimi i reformës në drejtësi.

Lulzim Basha, pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar dha një impuls të fortë në politikën shqiptare, edhe pse reaksioni ndaj tij ishte supër shpërthyes.

Kështu brenda PD-së, u krijua një grup i qartë politik që nisi të shpaloste tezat e braktisjes së berishizmit politik dhe mental në radhët e opozitës dhe politikës shqiptare.

Grup që natyrisht nuk mund pritej që të ishte mazhoritar sot brenda opozitës, por me kalimin e kohës, ai do të shtynte fort proceset, duke sjellë një largim të plotë nga stus quoja e 30 viteve.

Efekti tjetër që prodhoi Basha ishte krijimi i asaj që sot quhet “Grupi 35”, pra kristalizimi i një grupi politik brenda PD-së që është properëndimor, aleat me SHBA dhe gati që të nisë një rrugëtim politik në këtë linjë. Ishin pikërisht këta deputetët që votuan në Parlament zgjatjen e organeveve të vettingut, e çka e ndan në mënyrë të qartë me grupin e Sali Berishës dhe atë të Ilir Metës, të cilët janë totalisht kundër reformës në drejtësi dhe vetingut.

Efekti më i rëndësishëm sot tre muaj nga dorëheqja e Lulzim Bashës, është natyrisht shkërmoqja e iluzionit se beteja e Sali Berishës synonte bashkimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.

Berisha, sapo Basha iku nisi zaptimin e selisë dhe spastrimin e partisë nga njerëzit që i konsideron si jokomod në betejën e tij antiamerikane.

Pastaj kur e pa që nuk ja del dot të prodhojë politikë, pasi nuk është faktor relevant nisi të prodhojë procese zgjedhorë të pafundëm që po zgjasin tre muaj, e sërish nuk kanë përfunduar.

Gjithçka po kryhet duke lëvizur bosh dhe bërë sikur po prodhohet politikë reale. E cila nuk prodhohet vend tjetër, veçse në Parlamnt. Menaxhimi i zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës nga regjenca aktuale e PD-së, nuk se jep një shenjë se do të ketë një vizion apo kurajo politike për të prodhuar politikë të fortë.

Një politikë që do të duhet të shpallë qartësisht se ku kërkon të shkojë, me cilin ekip drejtues, dhe mënyrën sesi do ta realizojë vizionin e saj politik.

E kjo vjen vetëm ashtu siç Bamir Topi me të drejtë e përsërit disa herë: tek rithemelimi real i Partisë Demokratike në një “gjë krejt të re”, e cila vjen nga një asamble konstiutuente, ku opozita hapet ndaj të gjitha rrymave që përbëjnë atë, por edhe rezonancat e së djathtës politike në vend. Taktika e “llastimit” të militantëve dhe aktivistëve politikë, që janë strapacuar në fushata, protesta, apo evente të tjera që i ka thirrur PD-ja, nuk bën gjë tjetër wecse zvogëlon thirrjen në publik.

Por edhe tek trajtimi i militantëve edhe aktiviztëve duhet rrëzuar status quoja 30 vjeçare, nëse vërtetë një opozitë synon të bëjë përmbysjen e madhe në vend. Aktivistët, nuk janë gjë tjetër veçse e ashtuquajtura “gavetë” e politikanëve të ardhshëm, e jo mundësi për tu future në puna apo bërë me lekë, siç ka qenë në këto 30 vjet.

Majisja dhe lënia e politikës në duart e “intrigave të pallatit” çon pikërisht në situatën që u krijua disa ditë pas largimit të Lulzim Bashës, ku nisi një “histerizëm” politik për dorëheqjen e tij, a thua se realisht do të zgjidhte gjithçka. Kundërshtarët realë të Lulzim Bashës,(jo ata që donin thjesht t’I merrnin postin), pra Sali Berisha, Ilir Meta dhe njerëzit e tyre, merren ende me Bashën edhe këto ditë, pasi është qartësisht njeriu që i shkatërroi me hapjen e “çështjes Non Grata” brenda opozitës.

Natyrisht, që gjasat e rikthimit të Bashës nuk po vihen në diskutim në këtë moment, pasi ai u largua zyrtarisht nga lidershipi. A, meqë jemi këtu: a nuk u “largua” edhe Sali Berisha në vitin 2013 dhe sot u rikthye prapë?!

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?