Insistimi që po qarkullon në analizat e para pas zgjedhjeve, se nuk kemi të bëjmë me një ndryshim ekuilibrash politik, por thjesht taktikë elektorale, duket se nuk po qëndron shumë kur shikon shifrat me detaje.
Teza kryesore që qarkullon se PS nuk ka një rritje votash eksponenciale, por është tek shifra e “zakonshme” që merr në zgjedhje, në realitet ja vlen të analizohet në aspektin më pak sipërfaqësor.
Pasi gjendja në terren është më ndryshe se kaq. Dhe kjo bëhet si në shifrat e përgjithshme, ashtu dhe në qarqet e veçanta. Pa u hapur votat e emigrantëve të Greqisë, me insistimin e PD-së, kemi të bëjmë me një shifër totale prej mbi 804 mijë votash për Partinë Socialiste. Është një shifër e paarrirë ndonjëherë nëse analizojmë faktin që Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, por edhe partia “Bashkë” e Arlind Qorit, kanë marrë vota tradicionaliste që kanë votuar majtas.
Partia Socialdemokrate ka marrë afërsisht 50 mijë vota, nëpërmjet marrëdhënieve direkte dhe klienteliste të lidershipit të partisë së Doshit me organizatat socialiste. Kryesisht në qarkun Shkodër, ku tradicionalisht ka marrë ose së paku ka kërkuar nga 2 vota për organizatë, në bazë të një llogaritje për të marrë mandatin.
Ndërkaq, Lëvizja Bashkë, ka marrë mbi 23 mijë vota, që së bashku me të Doshit kalojnë masën e 70 mijëve. Socialistët kanë rritur vota dukshëm nga disa pjesë e zgjedhësve: së pari votuesit e rinj, elektorat gri, ish-votues jo fanatikë të Partisë Demokratike, si dhe natyrisht ish-votues të Ilir Metës, të cilët e kanë braktisur totalisht.
Lakmusi për të analizuar këtë rritje është qarku Shkodër. Vetëm në bashkinë Shkodër, një bastion i PD-së ndër vite, dhe që ende voton me shumicë për këtë subjekt, PS është rritur me 6800 vota. Një rezultat që është larg mendsh të inxhinierohet në këtë masë, edhe sikur të kemi të bëjmë me zona rurale, ku megjithatë nuk ekziston vota tribale.
Në Bashkinë Malësia e Madhe, PS është rritur me 400 vota, në atë të Pukës që e fitoi PD-ja bashkinë më 14 maj 2023, Partia Socialiste është rritur me 1200 vota. E njëjta shifër edhe me bashkinë Vau i Dejës, ku forcë e parë ka dalë PSD e Tom Doshit, e cila ka marrë gjithashtu vota majtas.
Vetëm në bashkinë e Fushë-Arrësit, që sërish drejtohet nga PD, Partia Socialiste është ulur me 200 vota më pak se viti 2021.
Ndërkaq, në qarkun Vlorë, diferenca është mbi 33 mijë vota ndërmjet PS-së dhe PD-së, e për çdo ndjekësh zgjedhjet sasia e 3 dhjetësheve hyn tek rritje masive. Analiza shifrore mund të vijojë edhe në qarqe të tjera ku natyrisht jemi në të njëjtin nivel.
Vetëm në bashkinë Tiranë, diferenca e PS-së me PD-në është mbi 56 mijë vota. Kur vetëm në këtë trritor ka një rritje të votave të partive të reja. Megjithatë diferenca është më e madhe, rreth 10 mijë vota më shumë se në vitin 2021. Megjithëse si PD, që kësaj radhe ka gëzuar votat e ish-LSI-së, ka rënë, por edhe PS ka rënë.
Votat e Bashkisë Tiranë janë letër lakmusi, si për rastin që i ndodhi kryebashkiakut Veliaj, e ku natyrisht pritej të ndodhte hataja, por edhe se klientelizmi është më i përjashtuar se zonat rurale.
Thënë këtë, ajo që është qartësisht e lexueshme, për ata që duan ta lexojnë, argumenti analitik, më shumë se matematikor është pastërtisht politik.
PS garoi për mandatin e katërt në një logjikë konsumimi normal dhe PD konkurroi me një kalë të ngordhur politikisht dhe diplomatikisht siç është Sali Berisha.
Të bësh sot analizën se si do të ishte rezultati i PS në rast të një lideri të ri dhe empatik tek elektoati jo fanatik është një mundësi e pamundur pasi hyn në sferën “Cako”. Pasi ka qenë opozita që pranoi faktorin Berisha duke e barazuar me faktorin Rama.
Janë dy fenomene politike e modele jo thjeshte krejt të ndryshme, por të vërtetuara se nuk mund të garojnë bashkë. Këtë e di edhe Berisha, që në ditët kur kishte pushtetin më të fortë e më të madh, në zgjedhjet vendore të vitit 2011, u zhduk nga fushata e Tiranës, për të mos ngjallur frikën apo inatin e elektoratit gri.
Sali Berisha është një njeri influent, është një politikan me grintë dhe lidhje problematike ndërkombëtare, duke nisur nga raportete e tij me Greqinë. Por për Berishën “vdesin” vetëm fanatikët që duan të largojnë Edi Ramën, duke e parë edhe si alternativë kur nuk është.
Edi Rama, ka qenë politikani i parë shqiptar që ka bërë betejë që në vitin 2000 për votat jashtë gardhit të Partisë Socialiste. Dhe i ka marrë në çdo proces zgjedhor. Duke punuar natyrisht me një axhendë jo kaotike, por të llogaritur se kujt pjese të këtij elektorati do t’i drejtohet në kohën e duhur kur bëhen zgjedhjet.
Nëse hapen edhe votat e Greqisë, pra të emigrantëve tanë atje do të shikojmë një sinjal edhe më bërtitës së këtij qëndrimi politik. Por duket që janë qarqe jashtë zyrës së Berishës e jashtë Shqipërisë që kanë frikë se ato vota do të godisnin politik Athinën, duke i dhënë shahun e dytë mat pas vitit 2023.
Shkaqet e pasojat e këtij triumfi pa precedent të Edi Ramës nuk është as “treni bullgar” e as aleancat me të fortë në territore. Është thjeshte një logjikë e qartë politike për të krijuar një fabul zgjedhore, që në çdo zgjedhje ka qenë i ndryshëm, si dhe për të gjetur elektoratin se kujt do t’i drejtohet.
Kërkimi i rrugëve qorre mund edhe të mbajnë në një farë kohe sërish panelet e darkës, por shkaqet e kësaj pasoja janë pastërtisht politike. /TEMA/
Komente
