Ylli Pata: Emrat e gjashtë themeluesve, historia pa filtra e eurosocialistëve shqiptarë

14 Janar 2022, 16:36| Përditesimi: 14 Janar 2022, 16:39

  • Share

Nesër pritet që Partia Socialistë të përkujtojë 30 vjetorin e themelimit të FRESSH-it, ku do të shpallë edhe një organizim të ri politik të rrjetit rinor politik të së majtës.

Prej kohësh FRESSH nuk e ka më atë fuqinë politike brenda PS-së siç e ka pasur në vitet e para të saj, megjithëse krerët e tyre janë pjesë e kandidimeve për zgjedhjet parlamentare, apo edhe administratën e lartë të vendit.

Megjithatë, pak i njohin në publik drejtuesit e tij, që nuk se dalin në publik për tu përballur apo promovuar veten, e natyrisht për të dhënë idetë apo projektet politike për të rinjtë.

Në fakt, nuk se ka një nxitje nga lart për të pasur një rritje të hapësirave politike për politikanët “rioshë”, ngaqë në PS kemi One Show-n e Edi Ramës.

Megjithatë, fati i takon guximtarëve, e si të tillë, kandidatët për të marrë në dorë frerët e politikës, do të duhet ta fitojnë vetë rolin e protagonistit që të arrijnë në lidership.

Gjithsesi, FRESSH ka një fabul mjaft të rëndësishme në historinë 30 vjeçare të PS-së, aq sa dy kryeministra, një President Republike, kryetar Kuvendi, apo deputetë e ministra kanë ardhur nga radhët e eurosocialistëve.

Të cilët kryesisht në vitet e para pas 90-s arritën të bëhen aktorë të dorës së parë në drejtimin e socialistëve shqiptarë.

Po si lindi grupimi i eurosocialistëve shqiptarë, për të cilin është thënë shumë këto vite- jo historia e plotë, por një narracion paksa i shërbetosur, që padyshim i ka shërbyer atyre politikanëve që për 30 vjet kanë qenë protagonistë të udhëheqjes socialiste.

Gjithçka ka nisur në mesin e vitit 1991, ndërkohë që vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të reja, e ku pritej një fitore e madhe e Partisë Demokratike, e një disfatë e rëndë për PS-në.

FRESSH, është krijuar nga bërthama e parë prej gjashtë studentësh, disa prej tyre edhe pjesë të lëvizjes së dhjetorit; 3 nga këta prej veriut të Shqipërisë, një nga Tirana, një nga jugu i vendit dhe një prej tyre ishte shqiptar i Kosovës.

I ardhur në Shqipëri ilegalisht përmes maleve të Malësisë së Gjakovës, Haki Morina ishte një nga pjesëtarët e rezistëncës kombëtare të Kosovës, i burgosur e i torturuar në burgjet më famëkeqe serbe.

Ndërkaq 5 studentët e tjerë ishin: Arjan Kokoshi, Flamur Metallari, Ilir Zela, Lavdrim Krashi dhe Pandeli Majko.

Kjo është edhe bërthama e parë themeluese e eurosocialistëve, të cilët më pas kanë nisur bisedimet me krerët e PS-së, që duket e pritën pozitivisht, sa më pas, disa prej tyre i vendosën edhe në listën e deputetëve. Lançimin e parë në shtyp e ka bërë Haki Morina, i cili kishte më shumë se të gjithë eksperiencë politike, si pjesë e grupeve politike të rezistencës së Kosovës.

Morina, i dha PS-së dimensionin kombëtar, që mjaft liderë të saj hezitonin që ta shpalosnin qartë, qoftë edhe nga ofensiva që Sali Berisha e PD e bënin fort me këtë temë, të nxitur edhe nga marrëdhëniet e mira me LDK-në e Ibrahim Rugovës.

Haki Morina, qëndroi vetëm 1 vit në Shqipëri e më pas ju bashkua rezistencës së Kosovës, ku ka qenë pjesë e rëndësishme e grupimit që nxori UÇK-në si dhe gazetar i “Zërit të Kosovës” që botohej nga Zvicra.

Kjo bërthamë që u quajt Grupi Nismëtar, ka organizuar më pas takimin kombëtar të 15 janarit të vitit 1992, takim që ishte masiv dhe u mbajt në Pallatin e Kongreseve. Në këtë takim është zgjedhur Ilir Zela si kryetar i parë i eurosocialistëve. Në qershorin e vitit 1992, në kongresin e FRESSH, kryetar u zgjodh Pandeli Majko, që e mbajti këtë post deri në vitin 1995, ku kryetar u zgjodh Ilir Meta. Pas Metës, u zgjodh Gjergj Koja, më vonë Spiropali për të ardhur më pas me zgjedhjen e kreut me audicion pas fitores së PS-së në vitin 2013.

Përveç Ilir Metës që u bë President, kryeministër, kryetar Parlamenti, Pandeli Majkos që u bë dy herë kryeministër dhe disa herë ministër, Erion Braçes që ka qenë zv.kryeministër, Ilir Zelës që ka qenë ministër dhe drejtues i PS-së, Ndre Legisit që ka qenë anëtar kabineti dy herë në nivelin e ministrit të Shteit, nga FRESSH ka dalë edhe Monika Kryemadhi, por edhe emra të tjerë, që nuk u integruan dot në brendësi të politikës shqiptare.

Ndër ta mund të përmendet regjizori dhe aktori i njohur Alfred Trebicka, Financieri dhe pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë Maks Caslli, gazetarët: Aulona Minga, Klementina Sinani, Florion Serjani, Jetmir Shpuza, Bujar Karoshi, etj etj. Pas 30 vjetësh, një nga themeluesit e FRESSH-it, Lavdrim Krashi u thirr nga Edi Rama për të drejtuar listen e Qarkun Dibër në zgjedhjet e 25 prillit. Krashi erdhu nga Britania e Madhe ku jetonte prej vitesh, ku punonte si zyrtar në pushtetin vendor të Londrës.

Duket që nga nesër, PS do të krijojë një mënyrë të re të organizimit të rrjeteve rinore, ku siç duket nuk do të “rilindi” “përbindshi” politik i viteve 90 që krijoi një dualitet të hapur në PS, çka i dha tonin debatit politik për vite me radhë në Partinë Socialiste, çka edhe formësoi mjaft grupe të ndryshme interesi./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Katovica: 14/01/2022 21:42

    Të deleguarit e Ramizit e Adulti,ç'a majtasce ca djathtas..si Saliu e Azemietj?!

    Përgjigju
  • Xxxx: 14/01/2022 17:25

    Pse nuk permendet Vilms Bello ketu se ka kontribute te medha qe eshte bere zv ministre.''Kontibuteee...te vyera,,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?