Grida Duma

Ylli Pata: Epilogu i Gridës përballë historikut traumatik të karrierës së grave në PD

8 Nëntor 2022, 20:36| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 20:39

  • Share

Ikja e Grida Dumës nga Parlamenti, siç pritej solli çaste melodramatike por edhe meme pafun që po qarkullojnë ngado. Pasi në epokën dixhitale të një komunikimi viral forma, imazhi dukja është thujase gjithçka duke fshehur thelbin e një historie apo ngjarjeje politike.

Grida Duma hipi në kupolën politike të Partisë Demokratike jo duke bërë gavetën, siç ndodh shpesh me aktivistët politikë, por duke u katapultuar nga qarqe e lobe që i rrijnë afër politikës.

Në vitin 2011 Duma ishte shefja e fushatës së Lulzim Bashës për kryetar të bashkisë së Tiranës, por që realisht Grida nuk se hartoi ndonjë strategji, apo skicoi ndonjë taktikë fituese.

Në atë kohë gjithçka u bë në detaje nga një kompani e fuqishme imazhi dhe strategjie siç është Podesta Group. Amerikanët e Podesta-s, madje arritën të zhduknin edhe Sali Berishën nga fushata e Tiranës, pasi e dinin se ai heq vota nga elektorati gri. Pas fitores së Bashës, u mendua se Grida Duma do të ishte një nga emrat që do të rrinin krah kryebashkiakut në administratën e re. 

Por jo, Lulzim Basha mori Jorida Tabakun dhe Nevila Xhindin, ndërsa Grida u afrua në qeverinë e Sali Berishës si zv.ministre integrimi. Por këtu nisi kalvari, pasi ajo hasi një ambjen shumë armiqësor, sidomos tek gratë që ishin në poste drejtuese apo edhe në strukturat më të ulëta. Kjo edhe ngaqë askush nuk i pëlqen njerëzit që katapultohen, por edhe se këtë logjikë e ka ushqyer gjithmonë Sali Berisha në Partinë Demokratike.

Në të gjithë historinë e saj që nga themelimi ka pasur shumë gra të njohura, madje shumë të njohura në historitë e tyre personale, por ata nuk u lejuan kurrë të bëjnë karrierë politike.

Dy gratë më të njohura me profil të lartë në PD janë padyshim: kirurgia e parë shqiptare, Dr, Rushen Golemi, si dhe poetja dhe shkrimtarja e njohur Natasha Lako.

Natyrisht ka pasur edhe të tjera sin ë vitin 1990, por edhe më pas, por është e rëndësishme për të analizuar këtë pasazh të historisë politike për të kuptuar më pas fenomenin.

Rushen Golemi ishte në kuptimin e plotë të fjalës një legjendë në mjedisin intelektual shqiptar. Madje edhe ekranizimi i superfilmit të Anagnostit “Plagë të Vjetra” me mjeshtërinë e Roza Anagnostit, i kushtohej gruas së parë shqiptare me bisturi.

Përveç reputacionit si intelektuale e dorës së parë, por edhe popullaritetit që marrin mjekët duke u kujdesur për jetët e njerëzve, Dr.Golemi ra në sy në Parlamntin e parë pluralist të Shqipërisë, si një polemiste par exellance. Qesëndiste me gjuhën brisk socialistët, sidomos kryetarin e Parlamentit të asaj kohe Kastriot Islamin, e kryeministrin Fatos Nano, por edhe ministrat e tij. 

Pikërisht profile që krijoi në publik në parlamentin që atëheerë shikohej si telenovelat turke sot, Dr.Golemi shikohej si njëra nga emrat kryesorë të pushtetit që pritej të merrte PD-ja. Por Sali Berisha nuk e bëri as ministre, as drejtuese Kuvendi, derisa karriera e saj u shua në mandatin e parë të PD-së.

Të njëjtën fat pati edhe Natasha Lako, një nga shkrimtaret e poetet më “Inn” të viteve që paraprinë rrëzimin e komunizmit. Në parlament, zonja Lako, gjithashtu ran ë sy për fjalimet e saj të kursyera, por gjithmonë të menduara dhe për gjërat që njihte dhe kishte kapacitetin për të diskutuar. Natyrisht ishte më shumë aktive kur flitej për çështje të kulturës, të artit, apo problemeve sociale në vend. Ajo ishte aktive edhe në median e re që u hap me rrëzimin e komunizmit, që nga RD-ja e gazeta të tjera. 

Edhe për Natasha Lakon, u fol atëherë se do të ishte një nga emrat që PD-ja do të sillte në qeverisjen e re, apo në drejtimin e institucioneve kulturore, gjë që nuk ndodhi. Sipas të gjitha gjasave, nuk ndodhi sepse forma e tyre e komunikimit publik ishte alternative me Sali Berishën. Ato flisnin normalisht, pa u sforcuar, nuk shanin, nuk mallkonin, nuk paraljmëronin katastrofa apokaliptike, por bënin politikë me argumente. 

E pikërisht ndërprerja e karrierës së këtyre dy grave ikonike që hynë në politikën e viteve 90 kushtëzoi mënyrën sesi duhet të jetë një grua në politikën e PD-së. Një Berishë-femër. E kështu në vitin 1996 lindi ylli i Jozefina Topallit. E cila përpara se të hynte në politikë, apo edhe sot në jetën normale është e sjellshme embatike, ka humor dhe qesh e buzëqesh shumë. Por Jozefina –kryetare Kuvendi ishte nursëze, e egër, që nxirrte për zhelesh apo kërcënonte me “plumb ballit”. Apo siç tha pas 21 janarit për Kryeprokuroren e Republikës, pasi Berisha e shau rëndë: “Po, po e bulevardit është ajo”.

Ky model, ky frustrim bëri që edhe Jozefina Topalli të krijojë armiqësira e të ketë armiq brenda PD-së. Sidomos gratë: që nga Grida, Majlinda Bregu e të tjera. Po të shikosh historinë e PD-së, ka pasur mjaft emra të njohur grash që në karrierën e tyre kanë qenë emra të rëndësishëm, por që asnjëherë nuk u afruan në poste të rëndësishme. i vetmi rast është i Topallit në posten e kreut të Kuvendit, ndërkohë në qeveri kanë pasur portofole minore si Majlinda Bregu tek Integrimi, apo Arenca Trashani po te integrimi. 

Ndërkaq, PS-ja edhe para Edi Ramës ka pasur profile më të larta të angazhimit politik që nga Ermelinda Meksi, Arta Dade apo Makbule Çeço, që kanë qenë zv.kryeministre, apo ministre në dikastere kyçe si diplomacia, ekonomia apo Çështjet Sociale. Partitë e djathta natyrisht nuk janë si ato të majtat që janë të bazuara më shumë në çështjet gjinore apo të drejtave civile.

Tek partitë konservatore çështja e avancimit të grave në politikë shikohet më shumë si pragmatizëm, pra a merr vota. Siç ishte rasti i Giorgia Melonit, e cila u afrua nga lobi industrial e financiar në Itali, i cili ee mbështeti fort për tu bërë lidere e së djathtës. 

Por Meloni nuk u katapultua, ajo ka bërë të gjithë gavetën e një jete partie; nga drjtuese seksioni, në këshillat komunal, e deri tek drejtuesja e Rinisë së Aleanza Nazionale, për të marrë më pas drejtimin e partisë si një dialektikë normale. Por Melonin ka pasur mjaft dashamirësi për të mos e rrëzuar nga shefat e mëdhenj. Duke nisur nga Silvio Berlusconi që e bëri ministre në 2011-n, apo miqtë e tij të ngushtë që i bënë tëe ditur se tani i duhet hapur rruga gruas romane për tu bërë lidere.

Madje këto lobe e poshtruan Berlusconin e moshuar e me probleme artikulimi, kur ai i kërkoi të vinte ministre Drejtësie ish-fizioterapisten e vet.

Ndërkaq, Grida edhe mudësinë e vetme që kishte për tu bërë një Giorgia më 8 janar, kur sulmoi egërsisht Sali Berishën, e prishi kur ju kthye sërish shefit të vjetër, të cilin disa kohë më parë e kishte quajtur edhe koleg…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?