Sali Berisha dhe Vangjel Dule

Opinion

Ylli Pata: 'Guximi' i tepruar i Vangjel Dules për të 'shqetësuar' Berishën

10 Korrik, 19:11| Përditesimi: 10 Korrik, 19:14

  • Share

Dy ditë pasi Ervin Saljanji dha atë deklaratën e “fortë” që duhet të kthejmë sytë nga vetja, një tjetër emër i opozitës, ka dalë t’i shkaktojë dhimbje koke Doktorit. Është Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, i cili tashmë pa elektorat të tijin, ka tre mandate që del deputet nga listat e Partisë Demkratike.

Asnjë prej kolegëve të Dules nga partitë aleatë, që tashmë janë larguar nga politika, nuk i ka shkuar mendja që të trazohet me problemet e PD-së. E quajnë një çështje të mbyllur, një problem që nuk është i tyri. Pasi në fund të fundit, është një “punë familjare” e Sali Berishës, partia, së bashku me të gjithë njerëzit që ai komandon.

Por Vangjel Dule, del në një ditë të keqe, një nga më të rëndat për aleatin e tij të madh dhe i vë gishtin në plagë. Duke mos bërë ndonjë deklaratë para militantëve të mërzitur të OMONIA-s apo PBDNJ-së, në ndonjë kënd “minoritar” të jugut, por në selinë qëndrore të partisë së tij. Për ta formalizuar edhe më shumë qëndrimin.

“Opozita në çdo rast duhet ta kthejmë gishtin nga vetja, edhe në rast fitoreje duhet ta drejtonte gishtin nga vetja. Çdo politikan duhet ta bëjë, çdo formacion politik dhe në mënyrë të përditshme”, tha Dule sot në një konferencë.

Kreu i PBDNJ-së, që pas përfundimit të zgjedhjeve nuk ka zhvilluar asnjë takim me Sali Berishën në publik, apo të ketë pasur ndonjë mbledhjen të koalicionit formal “Shqipëria Madhështore”. Dule, ka dalë deputet nga lista e mbyllur pasi ishte i dyti në listë, pas Bujar Leskajt që është dhe kreu i PD-së për qarkun.

Fjala e Dules sot, nuk se është një zë për ta mbështetur Berishën e tij në përpjekjen e tij për ta mbajtur legjitimitetin dhe t’i ikur “nenit Basha”.

Por për ta kuptuar këtë qëndrim, duhet të shkojmë pak ditë pas 11 majit, kur një koleg i Dules, Fredi Beleri, bëri pak a shumë të njëjtën deklaratë, madje duke përmendur edhe largimin e Berishës.

Ky guxim i tepruar i eksponentëve të PBDNJ-së, nuk ka shpjegim tjetër, veçse një sinjal politik i qartë, që duan t’i japin Sali Berishës, jo nga brenda opozitës. Por nga tjetër hemisferë, përkatësisht qarqet politike që e kanë mbështetur atë këto vite në mënyrë të fuqishme.

Bëhet fjalë për Athinën dhe qarqe të Nea Demokratia, të cilët kanë përdorur arsenalet e saj për të lobuar për kreun aktual të PD-së.

Qoftë në Europë, e posaçërisht në SHBA, ku qarqet greke kanë një lidhje të rëndësishme politike nëpërmjet lobit greko-amerikan, i cili është mjaft influent atje.

Në mitingun e fundit të PD-së para zgjedhjeve, Berishës ju dhurua një bluzë me numrin 1 dhe me një flamur të Greqisë sipër.

Një mesazh i pastër politik për subjektin ndërkombëtar që po e kujdestaronte në këtë kohë izolimi. Deklarata e Belerit dhe sot e Dules, nuk është gjë tjetër veçse një mesazh nga aleatët për të zbatuar një plan, që ka qarkulluar prej kohësh.

Që Berisha të emëronte kandidat për kryeministër një personazh të indikuar nga qarqet greke, Gjë që siç duket Berisha nuk e pranoi, ngaqë ka pasur droje se mos i marrin pjesë të partisë. 

Tani, duket këto qarqe po i kërkojnë haraçin e mos zbatimit të një pakti. Situata është e vështirë për Berishën vetë, pasi nëse i mbyllet edhe dritarja greke, nuk ka ku të shohë oqeanin së paku nga penxherja e të bëjë plane për më pas.

Gjithsesi ajo që bënë Dule e Beleri, nuk është gjë tjetër veçse dialektikë politike. Edhe pse PD mund të ketë humbur elektorat nga aleanca me këtë çift politik, ka arritur një akses në sallone, i cili e nxori sadopak nga izolimi i rëndë që kishte para 2023-shit.

Është normale që të bëhet një politikë e tillë, ku palët ndërveprojnë, por problem mbetet fakti se i vetmi fraksion që është me peshë në opozitën e krahut të PD-së, duket se është fraksioni grek. i cili siç duket ka edhe plane për të gjetur hapësirën e tij në kozmosin opozitar kundër Edi Ramës. Të cilin vazhdojnë ta konsiderojnë armikun që duhet larguar./Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?