Po hyjmë në muajin e dytë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, e në debatin publik duket se kemi një jetë.
Me një tendencë të qëllimshme, në debatet e darkës po ndiqet hileja e vjetër e polarizimit dhe e sherrit, pa analizuar realisht atë që ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Po rikthehet aty-këtu avazi i vjetër i reformës apo ndryshimit të sistemit zgjedhor, me të cilin mazhoranca e Edi Ramës ka arritur të shtojë numrin e deputetëve në 83. Në të vërtetë, nëse do të kishim një sistem mazhoritar me zona zgjedhore, ky rezultat do të ishte më i thellë, e ndoshta pak më pak me proporcional kombëtar.
Por përveç numrit të deputetëve, e dhëna më e rëndësishme, primare e çdo zgjedhjeje janë numri i përgjithshëm i votave në rang kombëtar, e natyrisht në rang territori: njësi administrative-qark bashki.
Në të dyja dimensionet; si atë kombëtar, ashtu edhe në atë territorial kemi një diferencë të madhe mes mazhorancës dhe opozitës. E cila, ka arritur edhe të heqë njollat e vjetra blu në hartën e Shqipërisë, e cila është bërë gjithnjë e më shumë lejla.
Kjo si pasojë e rritjes së votave të PS-së në Lezhë, Shkodër apo Kukës, që kanë qenë qarqe në blu të thellë ndër vite. Ndërkohë në jug, bastionet e së majtës si Fieri, Vlora, Berati apo Gjirokastra, e kanë theksuar ngjyrën lejla. Ndërkaq, qarqe dikur të njohura si të ekuilibruara si Durrësi, Korça, Elbasani apo edhe Tirana, janë kthyer në bastione të Partisë Socialiste, e cila udhëheq me një diferencë të theksuar.
Çdo koment radikal apo polarizues për blerjen apo manipulimin, kërcet shumë përballë shifrave të forta që janë një përsëritje identike e votimeve bashkiake të 14 majit 2023. Rezultati kombëtar: PS- 856,177 vota, PD- 529, 354 vota.
E mbani mend Sali Berishën në vitin 2007, pas zgjedhjeve lokale, kur bërtiste “Blu Albania”, duke iu referuar rezultatit të komunave, pasi kishte humbur të gjitha qytetet e mëdha dhe njësitë administrative nga Velipoja në Sarandë?
PD në atë kohë kishte energji politike, jo vetëm si pasojë e pushtetit, por edhe organizimit elektoral të saj, në thuajse gjithë territorin e vendit. Nga lumi i Vlorës kur merrte vota në Selenicë, e deri në Devoll, Pogradec, apo Lapardha në Berat, etj etj. Për të mos folur për veriun, që konsiderohej një bastion i palëvizshëm.
Sot jemi në një pikturë përmbys, dhe kjo ka një arsye të qartë; refuzim politik i ish-votuesve të PD-së dhe partive aleate të saj, për të përkrahur projektin qeverisës të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Njerëzit, jo vetëm ata që nuk kanë votuar PD-në, por edhe ata që kanë votuar PS-në, apo ata që siç thotë Zaloshnja nga elektorati gri që siç shikohet, nuk kanë marrë pjesë në përleshjen e militantëve, kërkojnë një tjetër realitet politik. Që të jetë i freskët dhe në një logjikë me kohën. Kjo del nga çdo sondazhi të zhvilluar periodikisht, ku dy liderët kryesorë të opozitës shqiptare janë politikanët më jo popullorë në vend.
Është një e dhënë e qartë, e cila është vërtetuar si në perceptim ashtu edhe në votim. Çdo rrahje uji në havan siç është zhvilluar në gjithë këto vite, mund të jetë edhe “argëtuese” dhe jep klikime, por jo vota.
Madje sipas të gjitha gjasave, edhe interesi për të ndjekur potpurinë e vjetër do të vijë gjithnjë duke u venitur. Pasi është e njëjta kasetë, shiriti i të cilit është rrudhur e tharë si pasojë e viteve-dritë që kanë kaluar.
Po përse erdhëm këtu? Sepse në realitet, opozita humbi një shans të artë që duhet thënë, ja u dha Lulzim Basha në shtatorin e vitit 2021. Duke zbuar Sali Berishën, Basha natyrisht që nuk rriti popullaritetin e tij tek skifterët e “popullit blu”, megjithatë firmosi një akt të fortë.
I cili ishte mbi të gjitha një shans që nuk i vinte më opozitës shqiptare. Siç e tha edhe ambasadorja Yuri Kim, se nuk ka shumë alternativa, përndryshe do shkojmë te bari. Duke përdorur kështu një metaforë të kohës së komunizmit enverian shqiptar.
Por çndodhi? Njerëz dhe grupe interesi brenda opozitës, e përdorën këtë shans në mënyrë dramatikisht pragmatike, për t’i pëlqyer Sali Berishës, duke sharë Lulzim Bashën e Yuri Kim-in, a thua se duke bërë këtë mund të rrisnin votat e opozitës.
Për të ndodhur ndryshimi, tani radhën e kanë pjesa që pati të drejtë në diskursin brenda opozitës. Ata që refuzuan Sali Berishën. u takon të nisin e propozojnë konfigurimin e “revolucionit real” politik.
Siç ndodhi në Gjermani, ku me ikjen e Merkelit, ishte grupi oponent i saj që mori drejtimin e CDU-së dhe fitoi zgjedhjet./Tema
Komente
