Gazmend Bardhi, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Opinion

Ylli Pata: Ideja e PD-së për Senatin, si një 'mauzoleum fosilesh politike'

20 Korrik 2021, 17:43| Përditesimi: 20 Korrik 2021, 17:45

  • Share

Deklarata e Mark Markut që duhet një Dhomë e Dytë e Parlamentit shqiptar, pra një senat, që të mbledhë politikanët “dinosaur” në vend, nuk është aspak e re, e realisht nuk duket si e dalë nga koka e Mark Markut.

E ka thënë Lulzim Basha mëse njëherë, madje, duke e sjellë si një “ide brilante” e një juristi të diplomuar në Universitetin e Utrecht-it në Holandë, por asnjëherë në karrierën e tij nuk e ka praktikuar kulturën e tij të ligjit.

Edhe në Kosovë, më shumë ka shërbyer si përkthyes e asistent, sesa një prokuror a hetues. Ndërsa në Shqipëri, asnjëherë nuk ka prodhuar një legjislacion apo reformë ligjore.

Përveç ligjit të dekriminalizimit, që më shumë se një ligj, ishte një short cut politik, i përgatitur në zyrat e Berishës e Metës, për të rrëzuar Edi Ramën.

Megjithatë, ideja e Senatit, është e vjetër në vend, e dalë që në vitin 1992, e më pas e rikthyer nga Sabri Godo në vitin 1997, por që nuk u përkrah nga komisioni për hartimin e Kushtetutës.

Senati, si institucion, nuk është asnjëherë një strehë për politikanët që i përkasin fondit arkeologjik të vendit.

Në SHBA, Senati është institucioni që përfaqëson fuqinë federale të shteteve, por që si thelb ndalon Dhomën e Përfaqësuesve që të ketë plotfuqi politike.

Në Gjermani, Dhoma e Lartë, përfaqëson landet, në Francë dhe Itali, Senati është Dhoma e dytë për të amortizuar fuqinë politike të deputetëve.

Është një sistem i komplikuar, që edhe në këto vende prej vitesh po e mendojnë ta ndryshojnë. Por kemi të bëjmë me vende të mëdha me mbi 70 milionë banorë, ku përfaqësimi politik jep mundësi në çdo pushtet të shtuar të pushtetit politik.

Por një vend që ka më pak se 2 milionë banorë aktivë brenda vendit, një Dhomë e Dytë, është më shumë se një komoditet tallës për financat publike.

Megjithatë, nëse ka një ide apo një koncept vërtet politikisht të argumentuar, Parlamenti mund të ndahet në dysh: 70 në një dhomë e 70 në tjetrën. Në njërën të zgjidhen deputetët me një sistem direkt mazhoritar apo edhe proporcional por të personalizuar, e në tjetrën të zgjidhet Senati, ku ndryshe nga deputetët, të jenë të përfaqësuar ajka e vërtetë e vendit; intelektualë e profesionistë të sërës së lartë, me kritere të përcaktuara.

Profesorë, juristë, inxhinierë, mjekë që janë në elitën e kombit. Zgjedhja mund të bëhet, duke përfaqësuar edhe tre apo katër rajonet e mëdha të traditës së përbërjes kombëtare, apo edhe 12 rajonet aktuale.

Por natyrisht Senati nuk mund të jetë një dritare, ku të futen ato politikanë që historia i ka nxjerrë nga dera…/ Gazeta "Tema" 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?