Sali Berisha

Opinion

Ylli Pata: Karuseli i zërave për mocionin 'Berisha' të shtatorit

17 Gusht, 20:02| Përditesimi: 17 Gusht, 20:06

  • Share

Të mësuar tashmë që nga 2017-a, ekzaktësisht pas zgjedhjeve të dyta rresht që fitoi Edi Rama, publiku priti emrat e ministrave në gusht. Sipas një tradite le të themi të krijuar.

Por ngelja thatë në mes të thatësirës, edhe politike ka sjellë një grup zërash që vijnë si në një mizanskenë të realizmit magjik për një lloj lëvizje brenda PD-së në shtator.

Lëvizje që dikush thotë se do të kurdiset me anë të një nisme staturore, e që janë kritikët e lidershipit aktual, përkatësisht ata që mbeten thatë nga lista e 11 majit, e natyrisht përgjigja e prerë e regjentëve të ish-selisë së SHQUP-it që e konsiderojnë një blasfemi.

Si për ta pasuruar këtë “pjatë” verore, i shtohen edhe zërat për një lloj “gare” që po vihet re për të ashtuquajturin presidium përreth doktorit në Parlamentin e ri.

Natyrisht kjo shfaqe zhvillohet në një mjedis të ndrojtur dhe kufizuar lëvizjesh, pasi duket si një dejavu sadomazokiste para pushtetit të mandatit të katërt, që më shumë se tabu është kthyer në totem.

Ata që e kërkojnë të ashtuquajturin mocion të shtatorit, e që tashmë janë identifikuar me zëra të njohur si Ferdinand Xhaferri apo të tjerë, insistojnë në të tyren, se ai publik që e mbështet Partinë Demokratike, po kërkojnë siç duket rikthimin e një sisitemi politik.

Një sistem politik që t’i shërbejë komunitetit të anëtarësisë dhe natyrisht votuesve të shumtë të PD-së që kaluan gjysmë milioni në zgjedhjet e 11 majit.

Për të nisur ristartimi i sistemit politik, duhet të ketë rregulla që e përcaktojnë këtë, rregulla jo thjeshte të shkruara por dhe një vullnet politik për t’i zbatuar. Aktualisht, këtë sistem politik e pengon oborri monarkik i opozitës, i cili çdo proces politik e përcakton sipas midesë së Sali Berishës.

I cili, edhe kur ka pasur një fuqi, këtë proces, pra hapjen e partisë për zgjedhje e konkurrencë kuadrosh, e ka bërë me pikatore ose një process të komanduar nga lart. Që në fakt nuk ndodh vetëm në PD por edhe partitë e tjera.

Megjithatë, PD sot është në një limit jo vetëm kohor, të një ristartimi politik. Ata që shpresuan qoftë me naivitet qoftë me legjitimitet gjatë foltores së Sali Berishës, kanë të gjithë arsyet dhe të drejtën që ta kërkojnë me forcë nisjen e një procesi. Por nëse kanë logjikë dhe arsye, këtë nuk do të duhet ta kërkojnë tek Sali Berisha, por ta fitojnë këtë të drejtë, pasi u takon si votues dhe pjesëmarrës së opozitës.

Për ta fituar këtë të drejtë, kanë një shans final për ta nisur një revolucion real politik, i cili nëse bëhet me mend dhe vullnet, mund të bashkojë opozitën, krijojë një kohezion në shoqëri, e më pas të bëhen gati për një rotacion politik, duke paraqitur një fytyrë të re alternative. Ndryshe, çdo lëvizje nuk është gjë tjetër veçse një karusel i “realizmit magjik”./Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?