SPAK

Ylli Pata: Kush po i trembet realisht prokurorëve të SPAK-ut?!

11 Prill 2022, 18:00| Përditesimi: 11 Prill 2022, 18:02

  • Share

Edi Rama, tha në Kongresin e PS-së, se ai jo vetëm nuk do të mbronte politikisht asnjë zyrtar apo politikan nga radhët e mazhorancës që do të hetohet nga SPAK, por do të merrte dhe ndonjë “për veshi” e ta çonte vetë aty.

Lideri i mazhorancës tha gjithashtu se Prokuroria Speciale duhet të godasë “Kuçedrën e Korrupsionit”-pra nivelet e larta, madje Rama u shpreh i gatshëm të rrëfente atë çfarë di për këtë “kuçedër”.

Dhe për një kryetar qeverie, apo drejtues i një force politike që është prej vitesh e para në vend, rrëfimi ka të bëjë me letra, dokumente, dëshmi, ekspertizë ligjore, që mund t’i shërbejë hetuesve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK, si “lëndë e parë” për të nisur “prodhimin industrial” të hapjes së një dosje hetimore.

Menjëherë pas këtij qëndrimi, nga çadrat politike të Sali Berishës dhe Ilir Metës, nisën sulmet, duke akuzuar kryeministrin se po i bën presion Prokurorisë Speciale, pasi sipas tyre, Rama ka thënë “ndal” për hetimet në qeverisje.

T’i marrim gjërat me radhë, duke nisur nga e dyta.

Kur një dosje hetimore protokollohet nga SPAK, ajo ka brenda përveç materialeve investiguese për të arritur në një objektiv penal, por edhe në kërkesat që prokurorët kanë mbështetur në Kodin Penal. Pra çfarë akuze ata do të ngrenë. E në këtë rast, kur një dosje hetimore hapet, nuk ka burrë nëne ta kthejë mbrapsht. Ka ndodhur zhvillimi më klasik dhe i rëndësishëm që mund të bëjë një Prokurori, pra institucioni që formulon akuzën.

Kështu, për të gjithë hetimet për zyrtarët e lartë të mazhorancës që kanë shkuar në SPAK, është përdorur një trajtim “drakonian” i masës së sigurisë. Që do të thotë: “Arrest me burg”. Kemi zyrtarë të lartë që janë vënë në masën arrest me burg, edhe kur bëhet fjalë për zhvillime jo aq të bujshme, apo kur ka argument nga mbrojtësit që hedhin poshtë qëndrimin e prokurorisë.

E thënë shkurt: deri në daljen në gjykatë, të gjithë të akuzuarit e nivelit të lartë: konretisht ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, apo edhe ish-kryebashkiaku Fatos Tushe, do të jenë në kushtet e paraburgimit, as në arrest shtëpie e as në hetim të lirë. Edhe pse jemi në kushtet e përgjithshme të akuzës e shpërdorimit të detyrës.

Ky standard që po aplikohet në Shqipëri është realisht një standard drastik, i cili, padyshim që do të ketë efektin e tij në masën e zyrtarëve e politikanëve në vend. Pasi ligji ka edhe efekt parandalues.

Mazhoranca, të gjithë të hetuarit e SPAK, i ka larguar nga oborri i saj politik, e kreu i saj, ka thënë që këtë do ta bëjnë me të gjithë që do të kenë një “hesap me drejtësinë e re”.

Rumania, një vend i Bashkimit Europian, dhe me një kulturë shtetformuese më të vjetër sesa Shqipëria, para pak vitesh, 3-4 vite, ngriti një strukturë të ngjashme si SPAK-u ynë, ku në krye të saj u emërua një prokurore e re: Laura Kovesi.

E cila nisi një rekord reaktiv hetimesh ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të nivelit të lartë. Ndër ta, ishte edhe kreu i mazhorancës qeverisëse në vend, Liviu Draganea. i cili, ngaqë kishte probleme me abuzimin e pushtetit, nuk u zgjodh kryeministër, por u bë kryetar i Parlamentit të Rumanisë.

Pasi homologu i SPAK-ut tonë, “Direcția Naționala Anticorupție”, i Rumanisë nisi valën e hetimeve në kupolën e politikës e pushtetit, Draganea urdhëroi ministrin e tij të Drejtësisë,  Tudorel Toader, për të larguar nga detyra 45 vjeçaren Laura Kovesin.

Shkarkim që solli protesta masive në Rumani. Por edhe pse pati protesta masive, vijoi squllja e  “Direcția Naționala Anticorupție”, e natyrisht edhe e hetimeve të nivelit të lartë.

Në atë kohë, Mike Pompeo, shpalli “Non Grata” për korrupsion madhor, Liviu Draganean dhe familjen e tij. Pas këtij akti, homologu i SPAK në Rumani çoi në gjyq Draganean, i cili u dënua për korrupsion.

Ndërkaq në Shqipëri, mazhoranca politike, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë akt legjislativ apo qeveritar ndaj SPAK, por ka qenë themeluesja e Prokurorisë Speciale me votat e saj në Parlament.

Nga ana tjetër, Sali Berisha dhe Ilir Meta, realisht njerëzit që e kanë kontrolluar deri më 9 shtator opozitën politike në Shqipëri, kanë bërë gjithçka që SPAK të mos konstituohet.

Edhe pse pas presionesh votuan ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, duke marrë të drejtën e vetos për ngritjen e komisioneve parlamentare që zgjedhin dy trupat e vettingut, ata e bllokuan dhe e shtynë sa patën mundësi ngritjen e SPAK e strukturave të tjera.

Një rekord i shkurtër

Edhe pse PD mori të drejtën e vetos në zgjedhjen e njerëzve të dy trupave të vettingut që do bëhej gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata e ndaluan procesin pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. PD, vetë partia-zyrtarisht çoi në Kushtetuese thuajse të gjitha ligjet e zbatimit të reformës në drejtësi, të cilat nuk i votoi. Të parin-Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Të cilin e çuan në Venecia, e kur opinion i Komisionit “Demokracia Nëpërmjet Ligjit” erdhi, thanë se është kundër vettingut. Në fakt s’ishte ashtu. Jemi në 2016. Çuan në Kushtetuese të gjitha ligjet e tjera, që vendosën në kalenda zbatimin e reformës dhe konstituimin e trupave të vettingut. Të cilat u votuan pas çadrës, ekzaktësisht pas marrëveshjes së 17 majit të 2017-s, e cila nëse ka gjë positive, ka pikërisht hapjen e rrugës së ngritjes së trupave të vettingut. 

Më pas? Dhjetori 2017 e séance e çizmeve në Parlament, ku si pasojë e mos ngritjes së Këshillit të Prokurorisë, si rezultat i vonesës së zbatimit të reformës, ndërkombëtarët mbështetën zgjedhjen e një Kryeprokurori të përkohshëm. Opozita? Donte mbajtjen e Adriatik Llallës edhe pse i ka mbaruar mandati. Nuk kishte asnjë version alternativ. Pas zgjedhjes së Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Berisha e Meta, së bashku me Bashën e Kryemadhin, nuk i njohën më pas të gjitha organet e reja që erdhën nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Sidomos për Berishën e Metën, SPAK është një mekanizëm i “guvernatorëve” dhe i Edi Ramës.

Sot, SPAK-pra prokuroria Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit, e ka një rekord procedurial, një rekord publik, politik, por dhe ndërkombëtar.

Në të parin ka nisur disa çështje të rëndësishme, madje në sferat e larta. Ka një mbështetje shumë të madhe ndërkombëtare nga SHBA e BE, që madje edhe e ndihmojnë financiarisht, por edhe i besojnë të gjitha sekretet. DIA italiane (Drejtoria Hetimore Antimafia), që është një institucion shumë “fanatik” që kurrë nuk ka dhënë letra për prokurorët shqiptare se u dogjën disa herë, për SPAK kanë hapur të gjitha portat.

Por publiku, kërkon të shkohet lart, sidomos tek ata zyrtarë e politikanë që zotërojnë pasuri të mëdha, e që stonojnë me mundësitë për t’i fituar.

Ndërkaq, tek politika, SPAK duhet të jetë komode nëse ka sulme nga të gjitha palët, madje duhet të shqetësohet nëse ka “fërkime e llastime”.

SPAK sot është një “fëmijë i rritur” që kërkon të mbrohet nga ata që kërkonin ta vdisnin pa lindur. Edhe pse nuk është “kohë arkeologjike” por e afërt, gjithsesi kjo i përket historisë.

Megjithatë ka një aksiomë në politikë, që gjithmonë është pushteti që shqetësohet nga drejtësia, pasi çdo hetim mund të sjellë pasoja në votime, gjë që edhe ka ndodhur, ku ata që kanë qenë nën hetim kanë humbur zgjedhjet.

Opozita nuk ka përse trembet, edhe sikur të hetohet. Madje nëse di ta luajë mund të fitojë pikë. Para pak kohësh, Bojko Borisov, u arrestua nga Laura Kovesi, tani Kryeprokurore e Europës. Qëndroi disa orë i ndaluar, e më pas kur doli në liri, nisi kundërofensivën megjithëse është në hetim. Pra opozita është komode, edhe në këtë aspekt pasi nuk ka përse dorëhiqet. Po përse janë kaq të alarmuar Sali Berisha dhe Ilir Meta? Edhe nëse do të hetohen, s’kanë nevojë për të dhënë dorëheqjen! Në fund të fundit, nga ku do të japin dorëheqjen?!/ Gazeta "Tema"

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?