Në të gjithë botën, protestat zhvillohen nga qytetarët dhe jo nga senatorë e deputetë, të cilët edhe kur janë në opozitë, janë pjesë e nomenklaturës, pushtetit.
Por tashmë kjo është bërë normë në partinë e Berishës, ku senatorët kryesorë të tij janë folës, “bultozerë” ndaj policisë, si dhe aktorë të komunikimit publik të teatrit mediatik.
Gjithsesi, ajo që mund të quhet si rezultantja e protestës rrugë-bllokuese të vigjiljes së Krishtlindjeve, ishte një përplasje mes qytetarësh që kërkonin zhbllokimin e rrugëve dhe deputetëve apo grupit të tyre të protestës.
Shumë mund ta quajnë këtë përplasje si jo spontane, pasi personat që kërkonin të hapet rruga, në rrjet po i quajnë si mbështetës të mazhorancës apo patronazhista.
Gjithsesi, ajo përplasje ishte realisht lajmi politik i mesazhit që përcolli rrugëbllokimi i pragkrishlindjeve. Një lajm që rikthen pikëpyetjen e vërtetë të gjithë atij teatri. Kujt i drejtohen senatorët e Berishës në këtë performancë dhe çfarë kërkojnë.
Në një situatë normale, ku një opozitë shpall një qëndrim radikal për të barrikaduar ndaj pushtetit, komunikon me njerëzit. U bën thirrje që edhe nëse nuk dalin me ta, të paktën t’i përkrahin që të mos dalin në rrugë me automjete.
Ndërkaq, nëse ka raste të lëvizjes së shërbimit urban apo urgjencave, ato duhet të lihen të kalohen. E kjo bëhet me një organizim të thjeshtë, ku organizatorët e protestës bëhen edhe në një farë mënyrë në drejtues të trafikut emergjent. Kështu, protesta jo vetëm ja arrin qëllimit për të barrikaduar, por dhe për të dhënë një mesazh tek “shumica e heshtur” e cila në një farë mënyre nuk del në rrugë, sepse në mos solidarizohet, i lë të qetë në kauzën e tyre raikale.
Por jo, dje rrugët ishin plot, e nuk pati asnjë tentativë që të lihej dalja në punë të tyre, edhe pse do bllokohen akset. Natyrisht ka pasur njerëz që nuk kanë dalë se do të mbesnin rrugëve, por mjaft kanë dalë si një lloj proteste ndaj aksionit rrugë bllokues. Disa dhe e kanë shprehur në transmetimin live alla Big Brother. E ky është realisht lajmi i vërtetë i mosbindjes rrugëbllokuese.
Megjithatë, Berisha dhe senatorët e tij, hallin nuk e kanë as tek shumica e heshtur, por as te ata që ju vërvitën dje në kryqëzime. E kanë tek ata votues radikalë, që janë realisht kundërshtarë politikë të mazhorancës së Edi Ramës. Dhe janë kundërshtarë të fortë, sa jo vetëm nuk e votojnë por presin nga opozita qëndrime të forta radikale.
Një nga ikonat virtuale të opozitarëve në rrjet, ka propozuar një grevë urie, dikusht tjetër një akt më të fortë. Flamur Noka përmend shpesh lëvizjen e armatosur. Po pse? Sepse e gjitha është narracion politik. Ky klan politik margjinal që e ka bërë të djathtën shqiptare një hapësirë pa mundësi zhvillimi, nuk po shikon se po i rrjedhin ditë për ditë edhe militantët radikalë.
Të cilët janë shumë më të kthjellët se senatorët, pasi e ndjejnë se ku ata duan të shkojnë. E kjo u pa qartë në zgjedhjet e 2023-shit e shikohet në çdo sondazh. Hemoragjia e radikalëve është imperative dhe mankthi i Sali Berishës. Radikalët anti-Rama, po kërkojnë e do ta gjejnë një grup apo forcë tjetër vetëm që të jetë më opozitar në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Të jetë si ata, pa eskortë nënkryetari Kuvendi, pa Jeep deputeti apo Range Rover biznesmeni. Të jetë thjesht një opozitar që nuk bën pazar me Edi Ramën.
Dhe ky është lajmi më i rëndësishëm politik që në fakt duket qartë në çdo tubim apo protestë. Doktorit i kanë ikur radikalët. Sondazhistët thonë se i kanë marrë partitë e reja…