Fatos Nano

Ylli Pata: Modeli 'Nano' dhe kërkimi për një 'grup zjarri' në PS

7 Shtator 2023, 20:41| Përditesimi: 7 Shtator 2023, 20:46

  • Share

Në këto ditë jo të lehta për liderin historik të PS-së, Fatos Nano, është rikthyer pak a shumë një diskutim apo ca reflektime mbi modelin e tij politik si lider i opozitës së parë postkomuniste shqiptare, e më pas si udhëheqësi i një mazhorance qeverisëse.

E meqë së bashku ndodhen edhe ndryshimet në qeveri e po ashtu lëvizjet e forta në opozitë, nisi edhe diskutimi për mungesën e një “trazirë alla Fatos Nano” edhe në ditët e sotme.

Literalisht ishte Baton Haxhiu, më pas edhe media e tij, që synuan të hapin një debat se përse në PS nuk pati një zë apo disa zëra kritikë ndaj Edi Ramës kur kreu i mazhorancës bëri ndryshimet në qeveri, ku zhgënjeu disa, e nuk bëri ato lëvizje që të tjerët kishin në mendje.

Në Maqedoninë e Veriut, prej dy vjetësh në mjedisin politik shqiptar atje, doli një fenomen i quajtur në mënyrë piktoreske me një toponim politik të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Nga partia e Ali Ahmetit, e cila është në pushtet atje shumë më gjatë se PS-ja këtu, përkatësisht prej vitit 2002, doli një grup rebel që u quajt “Grupi i Zjarrit”.

I cili në emër i atashohej një grupi kundërshtar me Enver Hoxhën e PKSH-në gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Grupi i Zjarrit” në BDI përbëhej nga ish-ministra, ish-kryetar komunash të partisë së Ali Ahmetit, që ishin të pakënaqur me ndarjen e pushtetit nga “Baba” në vitet e fundit. Izet Mexhiti, ish-kryetari i komunës së Çairit, praktikisht pjesa shqiptare e Shkupit ishte edhe lideri i grupit. Më pas Grupi Zjarri u shpërbë, por Izet Mexhiti vijon luftën e tij kundër Ali Ahmetit dhe ka formuar një parti të re politike. E cila është kundërshtare me Ali Ahmetit dhe aleate me të gjithë “armiqtë e tij” politik.

Komuna shqiptare e Shkupit është në dorë të partisë së “zjarristave”. Mexhiti i ka hapur shumë probleme jo thjesht Ali Ahmetit, por edhe mazhorancës qeverisëse me LSDM-së e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që të bindin Bullgarinë që të votojë pro Shkupit.

Modeli i “grupit të zjarrit” pra i grupeve e fraksioneve ku të gjithë duan poste është fenomen historik. Natyrisht kur gjejnë shesh për këtë përshesh. Ismail Qemalit i dolën mjaft kundërshtarë, sa nuk e lanë as një vit, po Ahmet Zogut edhe ku i doli zgjati vetëm 6 muaj. Enverit? E dinë që nga “Zjarri” e deri te Kadri Hazbiu se çfarë hoqën.

Por me rënien e komunizmit, sikur ra edhe frika se do të ketë Mehmetë, Kadrinj e Nako Spiro të rinj.

Por nuk qe e thënë! Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Imami etj etj, provuan të flasin, të thonë ato që mendojnë që ishin kundër Sali Berishës, kundër pushtetit real në PD-në që mori në dorë Shqipërinë. U shanë, linçuan, rrahën e dhunuan, sa nga inati i Berishës u bënë me socialistët e Fatos Nanos. Por pasi u mërzitën me Fatos Nanon, u rikthyen sërish te Saliu.

Modeli Nano? Me arsye konsiderohet edhe sot si një fenomen politik liberal. Pasi Nano, edhe pse kishte pushtet absolut, ju dha pushtet të tjerëve në parti, hapi rrugën për elita të reja politike. Po a e hapi vërtetë?

Në intervistën e fundit që Nano ka dhënë në publik, në emisionin Opinion para zgjedhjeve të vitit 2021, kur u pyet nga Fevziu se cili është gabimi që i njeh vetes, u përgjigj pak a shumë.

“Që kam deleguar pushtet në mënyrë të pakontrolluar. Edhe Edi Rama sot delegon pushtet, por ai me mënyrë preçize e teknologjike i kontrollon rreptësisht njerëzit që u jep fuqi ekzekutive”.

Fatos Nano, edhe pse nuk ka drejtuar PS-në sa Edi Rama, ai pati një jetë politike që nuk e ka përjetuar asnjë lider politik, jo vetëm në Shqipëri, po ndoshta në Ballkan. Një aventurë e vrullshme që përjetoi burgun e rreptë, drejtimin e opozitës shqiptare nga qelitë e 313-ës dhe burgut të Bënçës, riardhjen në pushtet si Berisha në 1992 me një mazhorancë “bullgare” kur thonë Italianët, rrëzimin nga qeveria pas as një viti në krye të vendit, rrezikun për t’i marrë partinë nga një “djalosh me thinja” që u “llastua” shumë duke luajtur kryeministrin, të cilin e mundi në një betejë të fortë brenda PS-së, ku rrezikoi për të humbur. 

E në këtë lëmsh, afroi djaloshin e tjetër ambicioz Ilir Metën, duke i dhënë drejtimin e qeverisë me kushtin që të jenë partner së bashku. Po Ilir Meta qëlloi jo vetëm ambicioz sa “djaloshi me thinja”, por gati e izoloi totalisht, duke i tharë të gjithë pushtetin rrotull. E Nano, si lojtar i nivelit të lartë, e tregoi sërish aftësinë e tij, jo thjesht duke e rrëzuar Ilir Metën, por duke i dhënë goditjen më të rëndësishme, edhe pse ky i fundit mendoi se aty do të niste ringjitjen e madhe.

Natyrisht duke i marrë një pjesë të PS-së, e shkaktuar atë që nuk e priste askush rikthimin e Sali Berishës në pushtet. Me të cilin më pas u bë partneri më i ngushtë, që vazhdon edhe sot.

Po Edi Rama, si kryetar i PS-së a ka pasur njerëzi e grupe që i kanë dalë kundra, është përplasur e në fund e kanë ndëshkuar?

Padyshim, madje që në fillim të drejtimit të tij në PS, Rama pati kundër një grup politik që madje u institucionalizua me emrin Lëvizja e Mendimit Ndryshe LMN. Anëtarët e kësaj lëvizje ishin Kastriot Islami, Ben Blushi, Arben Malaj, Ylli Manjani etj.

Islami u bë deputet i PD-së, Blushi i bëri një opozitë të fortë Edi Ramës në mandatin e parë, madje themeloi edhe një parti me të cilën doli në zgjedhje, ku dështoi e më pas la politikën. Arben Malaj u afrua me partinë e Agron Dukës, ndërsa Ylli Manjani shkoi në LSI, u bë edhe ministër i partisë së Ilir Metës, e sot është më afër Sali Berishës.

Pikërisht, destinacioni apo flurudha e tërë lëvizjeve apo personazheve që kanë tentuar të krijojnë “grupe zjarri”, kanë krijuar më pas edhe atë profilaksi publike që ka bllokuar këtë process që ndoshta me arsye e kërkon Baton Haxhiu. Ndërkaq, një koleg i tij si Fatos Lubonja, ka teorinë e tre bandave, ku nuk e bën asnjëherë katër…

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?