Ish deputeti, Selami Jenisheri

Ylli Pata: Nga armiq dhe tradhtarë të Berishës në aleatë e bashkëpunëtorë? Kur dashuria e urrejtja kthehet në parodi!

10 Korrik 2022, 18:10| Përditesimi: 10 Korrik 2022, 18:11

  • Share

Sulmi i egër që po i bëhet dy drejtuesve të PD-së zyrtare: Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, është një zhvillim që tashmë ka qartësuar edhe më shumë humorin që mbi zotëron në dy pjesët që po përplasen brenda opozitës.

Deputetja Ina Zhupa, ish-zëdhënësja e PD-së së Lulzim Bashës, që tashmë është pjesë e foltores, deklaroi se kush nuk erdhi në protestën e së enjtes po i shërben Edi Ramës.

Pra ka një retorikë të qartë, sipas të cilës Edi Rama dhe mazhoranca janë armiq, ndërkohë, të gjithë të tjerët që nuk i bashkangjiten luftës, mjeteve dhe axhendës së Sali Berishës është tradhëtar.

E këtu kemi parë se sa jo lineare është shpallja e armiqve dhe tradhëtarëve, të cilët ndryshojnë brenda natës, a thua se nuk ka ndodhur asgjë më parë.

Si Ina Zhupa që i shpall “njerëz të Ramës” kolegët e saj, ashtu edhe Grida Duma e Ervin Saljanji që sot janë rreshtuar përkrah foltores, ishin pjesë të “mbrojtjes së kështjellës” më 8 janar, e që lëshuan deklarata shumë të forta ndaj Sali Berishës. Madje Grida Duma, tha se tashmë rrugët janë të ndara e Berisha kaloi vijën e kuqe pasi dhunoi demokratët.

Edhe nga ana tjetër, pra nga foltorja pati një retorikë të fortë, shumë të egër ndaj atyre që me Lulzim Bashën qëndruan ditën e 8 janarit brenda dyerve të blinduara të Partisë Demokratike.

Por gjithçka ndryshoi pas 6 janarit, ku Sali Berisha, i ndezur nga fitorja e fraksionit të tij si subjekt të përbashkët me LSI-në e Ilir Metës, shpalli pajtimin.

Madje edhe Lulzim Bashën nuk e quante më Lul Brava por “deputeti Basha”. Të tillë e quajtën jo vetëm Berisha, por i gjithë establishmenti. Ju bë thirrje njerëzve të Bashës që të atashohen tek partia e doktorit, i cili tashmë jo vetëm kishte fituar, por ka me vete partinë.

Dhe një pjesë e deputetëve që kaluan me foltoren jo vetëm morën pajtimin e të madhit, por janë edhe pjesë e partisë strukturave.

Ndërkaq, ata që i thanë Sali Berishës, si Alibej, Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, apo të tjerë, sërish u quejtën “besëprerë” njësoj si Basha.

Megjithatë, përveç Sali Berishës, apo edhe dy tre të përjashtuarit nga Kuvendi i 11 dhjetorit, thuajse të gjithë njerëzit e foltores janë sot pjesë e të njëjtit grup parlamentar në Kuvend. Që drejtohet nga Enkelejd Alibej. E si të tillë funksionojnë, edhe në struktura e delegacione të Kuvendit. Përveç pjesës së sulmeve, pjesa më e madhe e tyre komunikojnë e marrin pjesë në nisma e komisione që dalin nga vendimet e grupit.

E kjo është realisht hipokrizia më e mahe politike që po zhvillohet në gjirin e opozitës, ku të vetmit që nuk kuptojnë janë njerëzit e strukturave të bazës, mbështetësit e thjeshtë të opozitës, e natyrisht publiku.

Të gjithë kanë qenë kolegë e bashkëpunëtorë që prej vitit 2013 kur PD doli në opozitë. Kur dogjën mandatet, e për këtë nuk ka pjesën e vet vetëm Basha e Berisha, por të gjithë deputetët që e pranuan atë vendim fatal që nxori nga sistemi opozitën kryesore.

E të ndezur nga zelli për ta rrëzuar Edi Ramën jashtë sistemit, ata sulmuan egërsisht Myslym Murrizin, Rudina Hajdarin, Kujtim Gjuzin, Selami Jenisherin, apo edhe deputetët e tjerë të listës që zëvendësuan të larguarit.

Ç’nuk u tha për “kërpëratën”, Gjuzin e Jenisherin, për të cilët në panelet e darkës, rrjete sociale talleshin e bullizoheshin edhe për mënyrën e të folurit, ecjes, ngjyrës së biçikletës, por edhe modelit të flokëve.

Fotot e mitingut të 7 korrikut sollën buzëqeshjet e Rudina Hajdarit, Kujtim Gjuzit e Selami Jenisherit, që u atashuan si njerëz besnik të “doktorit” në betejën e tit ë re, apo rikthimin e tretë pas 30 vjetësh.

Sot, të gjithë këto personazhe që ç’nuk u la pa thënë për ta, konsiderohen pjesë e mirë e “uraganit që do të rrëzojë Edi Ramën”.

Ndërkaq, disa nga njerëzit që kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt të Ramës, që nga ish-ministra e drejtorë të lartë të administratës së tij, u entuziazmuan më 7 korriku, duke postuar shprehjen “Bravo Sali Berisha”. Ç’nuk kanë thënë për të gjithë këto personazhe, mbi të cilat ka rënduar një mal akuzash, mallkimesh dhe përroi urrejtje, duke i bashkëngjitur të shtata mëkatet kapitale, sot ata konsiderohen si “ëngjëj” që kaluan Ylberin sapo i kanë pudhur dorën doktorit.

Nga Armiq në bashkëpunëtorë, nga tradhëtarë në aleatë, gjithçka ndodh me lehtësinë më të madhe, brenda 24 orëve, e vetëm sepse kështu mendon Sali berisha. i cili çfarë nuk ka thënë për Fatos Nanon, por më vonë e bëri aleat dhe i rrëzoi të gjitha akuzat. Çfarë s’ka thënë për Ilir Metën, e sot thotë se “kështu e ka politika”. E njëjta situatë edhe për ish-ministrat e Nanos, Ramës e Metës, që sot i ka në krah.

Çfarë ka ndryshuar realisht?

Një demokrat 24 karatësh që drejton degën e PD-së së  Shkodrës si Xhevdet Amuli, nuk e kupton se pse ai është sot është “tradhëtar” e ish-drejtorja e Tatimeve të Edi Ramës në mandatin e parë, Briseda Shehaj është një “demokrate” e vendosur.

Këtë si gjithmonë e ka vendosur mideja e Sali Berishës, që sipas tij armiq, acidë, apo tradhëtarë kalojnë nga humori dhe terezia e tij. i cili prej një viti zyrtarisht, por prej disa vitesh politikisht, këtë terezi e ka të lidhur me problemin e madh që ka me Perëndimin dhe me nismat e SHBA-BE që jo vetëm nuk i ka përkrahur, por i ka penguar me të gjitha mjetet.

E në fakt kjo është “vija e Theodosit” e politikës shqiptare pas shpalljes së Sali Berishës Non grata prej SHBA.

Pa armiq e tradhëtarë duken se janë më shumë një koncept tashmë bajat që ka humbur të gjithë rëndësinë e konceptit real të këtyre fjalëve.

E ka treguar vetë Berisha ndër vite…/TemA

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?