Ylli Pata: Nga General Electric, te Sazani: Përse sulmohen investimet e mëdha?

26 Mars, 20:20| Përditesimi: 26 Mars, 20:28

  • Share

Në vitin 2004, kompania gjigande amerikane General Electric firmosi një marrëveshje me qeverinë e Fatos Nanos për të ndërtuar një hekurudhë me tren elektrik Tiranë-Durrës. Projekti kishte një stacion edhe në Rinas, pikërisht në kohën kur gjermanët morën në dorë administrimin e aeroportit.

Një plan i hartuar parashikonte që aeroporti të zgjerohej në pasagjerë, që mund të përdornin trenin për të shkuar në bregdetin shqiptar. Projekti parashikonte 90 milionë euro investime, e së bashku me amerikanët e gjigandes shumëkombëshe, ishin edhe një grup investitorësh të fuqishëm italianë.

Po në atë kohë, një gjigand francez i Turizmit, Club Med, vendosi që të kryejë një superinvestim në gjirin e Kakomesë në jug të vendit për të hapur një resort të madh atje. Shumëkombëshja franceze nisi punën, duke gjetur edhe partnerin shqiptar siç ndodh normalisht me të gjitha rastet.

Të dyja këto investime u sulmuan fort në atë kohë nga PD, dhe kur Sali Berisha erdhi në pushtet, i anuloi jo vetëm këto marrëveshje, por edhe shitjen e Albtelekomit, kompanisë turke Çalik Enerji.

Francezët e Club Med ikën nga sytë këmbët, ndërsa kompania shqiptare, partnere përsoi një humbje të pallogaritshme, për të cilën as nuk e vuri njeri në zjarr. Ndërkaq, General Electric, nuk pranoi t’i frikësohet Berishës, por e hodhi në arbitrazh dhe i mori shtetit shqiptar plot 20 milionë euro kokërr më kokërr. Ndërkaq, Çalik, i kërkoi ndihmë Rexhep Tajip Erdoganit, atëherë kryeministër, i cili e mori në telefon Sali Berishën, ku ky i fundit u tërhoq.

Në vitin 2006, Sali Berisha, i jep kontratën e ndërtimit të rrugës nga Repsi në Vërmicë, pra Rrugën e Kombit, gjigantit amerikan Bechtel, i cili as nuk i hyri fare kokëçarjeve për të marrë kredi vetë, por lekët ja kërkoi qeverisë. Pas pjesës shqiptare, Bechtel, së bashku me nënkontraktoren turke Enka, ndërtoi edhe pjesën e Kosovës së Rrugës së Kombit, pra autostradën Prizren-Prishtinë, si dhe atë që lidh Prishtinën me Maqedoninë e Veriut. Ky gjigand ka ndërtuar gjithashtu edhe në Kroaci, Slloveni, e vende të tjera të Ballkanit.

Po kjo kompani, po ndërton Hidrocentralin e Skavicës, një projekt i vjetër i studiuesve shqiptarë, që e konsideronin si zgjidhësi i problemeve të kaskadës së Drinit, për të mbajtur rezerva edhe kur nuk ka shi. Skavica po ndërtohet me një investim direkt amerikan, ku Bechtel natyrisht është kontraktore.

Sali Berisha, ndërkohë që kur ishte në qeveri fliste për ndërtimin e hidrocentralit, sot e kundërshton atë, duke u bërë bashkë me kontestuesit e projektit. Megjithatë në fund të fundit, opozita ka për detyrë që të përthithet me shoqërinë e zërat e ndryshëm oponentë. Gjithsesi këtu bëhet fjalë për investime kapitale që kanë të bëjnë me fatet e mëdha të zhvillimit të vendit.

Siç ka ndodhur edhe me Fierzën, ku u përmbyt një qytet siç ishte Kukësi i vjetër, por edhe mjaft territore të tjera të zonës, edhe Skavica merr me vete mjaft toka e vendbanime të luginës së Drinit në Dibër.

Prej kohësh ka hasur në kundërshtime nga banorë, por edhe ambjentalistë e aktivistë nga i gjithë vendi. Gjithsesi ai konsiderohet një investim kapital për energjitikën shqiptare, e natyrisht detyrën për të dialoguar e arritur marrëveshje me banorët e grupet e interesit e ka qeveria.

Ku në radhë të parë do t’i duhet të flasë me opozitën, për të arritur një qëndrim ku çdo investim i madh për vendin nuk mund të kontestohet.

Siç ka ndodhur për 30 vjet, apo edhe për portin turistik të Durrësit, ku një herë në muaj sulmohet gjigandi emiratas Amar, sa Alabari më shumë flet për të përgënjëeshtruar zërat në Shqipëri, sesa në projektet e tjera që ka nga Egjipti në Kinë.

Në Itali, Lëvizja e Yje e Beppe Grillos, kundërshtoi ndërtimin e gazsjellësit Tap me arsyetimin se do të ndosë plazhet e Puglias. Me këtë erdhi në qeveri, por nuk vonoi shumë dhe u detyrua të tërhiqej, e sot gazësjellësi më i rëndësishëm alternativ me Rusinë po furnizon europën me gaz.

Politikani që u bë flamur i këtij kontestimi, Alessandro Di Battista, jo vetëm që nuk hyri asnjë ditë në qeveri, por Grillo e çoi për eskursione të gjata, derisa u largua nga partia. Për kryeminisër zgjodhi një personazh që nuk kishte qenë kurrë në lëvizje si Giuseppe Conte që sot është kryetar i partisë./ Tema

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?