Ilir Demaliaj, me arsye ishte tromaksur nga fabula fantazmagorike e dalë në panele që fliste për dhënien fund nga Erion Veliaj të një damixhani me 30 kile raki në qelitë e burgut të Durrësit.
Një narracion tjetër veror që mbiu “papritur” si “analizë e thelluar” e zhvillimeve politike kombëtare në të famshmet banaqe, të cilat po përjetojnë ditët e fundit para pushimeve.
Sado që historia e damixhanit do të avullojë, në mos ka avulluar, nuk do të reshtin të tjera “babalëri” si kjo. Siç ishte ajo e dalë sot e përcjellë sot nga reporter të prokurorisë së posaçme, ku gradacioni i alkoolit, ishte më i lartë se ai i damixhanit komik.
Sipas këtyre “lajmeve me burime”, Veliaj është gjetur fajtor se ka diskutuar kandidimin e tij si deputet, si shpëtim për të dalë nga situata e tij gjyqore. Një raportim krejt pa asnjë fondament, që duket qartë se burimin e ka nga i njëti vend që në mungesë të provave, prodhon mjegull të mbajë opinionin sa më gjatë, për të mbrojtur versionin fillestar.
I gjithë ky version, nuk është gjë tjetër veçse vijimi i një filozofie trillimi që zgjat me vite e vite, ku fenomenin tipik e ka tek historia e “Babales”. Një histori i trilluar për të mbështetur synimin e tyre që të inkriminojnë një zyrtar të lartë, siç ishte ministri i Brendshëm i kohës. Një histori fake, për të justifikuar kauzën politike, kur gjëja më normale është që të ecet me historitë normale dhe problematike që Shqipëria i ka me shumicë.
Njëjtë me Babalen si fenomen, është edhe telenovela e Yuri Kim, që u mbyll sot para pushimeve nga Presidenti Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së emëroi ambasadoren Yuri Kim, si drejtuese e bisedimeve për Sirinë, duke e konfirmuar në një pozicion të rëndësishëm diplomatik. Çfarë do të bëjnë të gjithë ata që u shfrynë se ishambasadorja e SHBA në Tiranë “ka mbaruar punë”. Postimet për të cilën i kanë ende në rrjete sociale dhe u ncinë portalet dhe u grinë panelet e darkës? Do të vijojnë ta hanë këtë “babale” me bukë, siç kanë bërë vazhdimisht. Pasi “Babalja” si fenomen nuk është gjë tjetër, ëecse një rrugë për të shmangur argumentin thelbësor.
Siç po ndodh me dosjen Veliaj, ku asnjëherë nuk është diskutuar deri tani realiteti faktik i dosjes penale. Por vetëm fantazitë e bisedave në furgon, apo historitë e damixhanëve me raki që janë avulluar si pasojë e “stresit të madh”. Një pyetje vjen spontane, kemi një rast konkret ku një dosje penale ka shkuar në gjykatë dhe është jo e plotë, por shumë voluminoze. Bëhet fjalë për dosjen Partizani.
A ka parë kush që kjo dosje me detaje të diskutohet në mënyrë të shteruar në panelet e darkës? Edhe pse nuk ka nevojë të flitet me burime, pasi materiali është i shkruar dhe madje i hedhur online./Tema
Komente
