Ylli Pata: Ngrirja e PD-së në PPE, faza e parë e ndëshkimit politik

31 Maj 2022, 18:15| Përditesimi: 31 Maj 2022, 18:16

  • Share

Vendimi i sekretarisë së Partisë Popullore Europiane për të hequr të drejtën e votës për delegacionin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në Kongresin e Roterdamit, ka shumë gjasa që ju është bërë me ditur personave të kontaktit që PD ka në PPE.

Thjesht, ai që i disponon letrat përkatëse nuk i bën publike. i vetmi që ka folur për këtë çështje publikisht ka qenë Kreshnik Çollaku, deputet dhe anëtar kryesie i PD-së, i cili ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një pezullim në kuptimin e plotë të fjalës.

Por Çollaku shton se ky pezullim do të vijojë deri në vendimin e gjykatës së Apelit, që sipas gjasave nuk ka përse të jetë kështu.

Pasi PPE është një organizëm qartësisht politik që vepron në kushtet e një rregulli që ngjan krejtësisht me Bashkimin Europian. Pjesë e PPE-së, janë edhe partitë e qendrës së djathtë që nuk vijnë nga vendet anëtare të BE-së, që u bë me nismën e ish-kancelares Angela Merkel, mbi 10 vjet më parë, si një sinjal për zgjerimin e BE-së dhe marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor.

Në aspektin legal, PPE nuk ka asnjë dyshim apo problem të paqartë për Partinë Demokratike. Ajo, ka në gjirin e saj, PD-në e cila është përfaqësuar nga kryetari i saj Lulzim Basha dhe kryesia e saj. Me dorëheqjen e bashës, partia drejtohet nga një regjencë, e cila njihet jo vetëm nga PPE por nga të gjithë interlekutorët ndërkombëtarë, të cilët rregullisht takojnë Enkelejt Alibeajn dhe drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së.

Por, ç’do të ndodhë nëse Gjykata e Apelit, njeh Komisionin e Rithemelimit, pra Sali Berishën si kryetar legal të Partisë Demokratike? Një vendim i formës së prerë, që nuk do të lërë më asnjë dyshim në aspektin ligjor.

Këtë e ka shprehur krejt qartë, Gunther Kirschbaum, një deputet i rëndësishëm i CDU-së gjermane, pjesëtar i bordit drejtues të PPE-së, dhe një nga njerëzit më influentë në lidhje me politikat europiane të CDU-së dhe lidhjet me Ballkanin Perëndimor.

Kirschbaum, i cili është një aleat i vjetër i PD-së, ka shprehur qartë e shkoqur se “nëse e merr Sali Berisha drejtimin e PD, PPE nuk do të ketë asnjë marrëdhënie”.

Pas deklaratës së tij, në Tiranë mbërriti jo me mision partiak, kreu i Komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, David Mcallister, eurodeputet i CDU-së dhe zëvendëspresident i PPE-së. i cili takoi vetëm Alibeajn dhe Jorida Tabakun.

Sot në Roterdam të Holandës, ka nisur Kongresi dyditor i PPE-së, i cili ka në axhendë situatën në Ukrainë, por edhe zgjedhjen e presidentit dhe nënpresidentëve të PPE që janë 7 të tillë. Kandidat për President të PPE-së është Manfred Weber, drejtues i CSU-së, fraksionit bavarez të CDU-së, e cila është më konservatore dhe e djathtë, kryesisht për çështjet e familjes dhe mbrojtjes sociale.

Weber, ishte një nga kandidatët për të drejtuar Komisionin Europian së bashku me Ursula Von Der Leyen, ish-ministre e CDU-së që u mbështet fort nga kancelarja Angela Merkel.

Përveç Weberit, si zv.presidentë të PPE-së priten të zgjidhen: David Mcallister nga CDU, ish-Komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Johannes Hahn nga Partia popullore austriake, Mariya Gabriel, ish-komisionere e BE-së për teknologjinë nga grupimi Gerb-Bullgari, eurodeputetja holandeze e Partisë Krisitian Demokrate të Holandës, Esther de Lange, e cila është një figurë e rëndësishme në Parlamentin Europian, eurodeputeti spanjoll Esteban Gonzales Pons, nga Partido Popular, i cili është një nga krerët e grupit parlamentar të PPE, Andrzej Halicki, nga Platforma Qytetare e Polonisë dhe Siegfried Mureshan, nga Partia Kombëtare Liberale e Rumanisë. Të gjithë kandidatë vijnë nga parti që janë ose në pushtet, ose opozita kryesore me peshë në politikën e vendeve të tyre.

Ndalimi i delegacionit të PD-së prej 4 vetash që të mund të votojnë drejtuesit e PPE-së është një vendim i qartë politik, që nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse të tillë. Problemi i PD-së që ndëshkohet është Sali Berisha si individ, si dhe loja që një pjesë e deputetëve të saj po bëjnë duke luajtur me një vendim shumë serioz të qeverisë amerikane.

Para pak ditësh, Parlamenti Europian miratoi një rezulutë, ku bëri të ditur se mbështet sanksionet e qeverisë së SHBA ndaj disa zyrtarëve në Ballkanin Perëndimor, e i bëri thirrje institucioneve të BE-së që të ndjekë të njëjtën rrugë.

Gjë që këto institucione kanë nisur ta zbatojnë; PPE është një nga institucionet politike bazikë që kanë themeluar Bashkimin Europian dhe është kyçe në marrjen e vendimeve politike të Europës.

Nuk kemi të bëjmë aspak me një izolim të PD-së, por me një ndëshkim, siç PPE kanë ndërmarrë ndër vite ndaj çdo force politike apo politikani që ka shkelur vlerat mbi të cilat BE është themeluar. E aleanca me SHBA është një nga këto vlera, NATO përshembull është ftuar të marrë pjesë si organizatë partnere në Kongres. Ku sipas gjasave ka edhe përfaqësues të institucioneve politike amerikane…/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?