Sali Berisha dhe Audrey Glover

Ylli Pata: Një manual fushate 25 vjeçar: Si Berisha është gogoli zgjedhor që nga 1997

24 Prill 2023, 19:02| Përditesimi: 24 Prill 2023, 19:07

  • Share

Ka të paktën katër fushata, duke përfshirë këtë të tashmën që nga 2017-a, që Edi Rama e ka thuajse të njëjtë mesazhin politik për zgjedhjësit.

Ai i drejtohet votuesve tradicionalë të PD-së që të zgjedhin PS-në në fletë, duke ruajtur dashurinë për “bacën” siç shprehet Rama.

E kush i ndjek me vëmendje rezultatet e zgjedhjeve shikon se që nga viti 2013 PS ka shkuar drejt një rritje progressive: nga 713 mijë vota deri në 768 mijë vota. Një rritje prej më së paku 4 mandatesh deputeti, që tregon dukshëm një avancim politik drejt një kufiri elektorati jashtë atij tradicional. Natyrisht ka edhe shkaqe apo lexime të tjera, por në thelb është një avancim.

E pikërisht ky fenomen politik, pra avancimi i një force politike drejt një arqipelagu zgjedhor përtej atij tradicional përbën synimin e çdo partie që ka ambicje qeverisëse kudo në botë.

Tony Blair, për të sjellë laburistët britanikë në pushtet pas thuajse 20 vitesh në opozitë, ju desh të joshte e bënte për vete elektoratin centrist të Londrës e zonës rreth saj, që përgjithësisht votonin konservatorët. Joe Biden, për të mundur Donald Trump në 2020-n, në një super mobilizim votuesish nga të dy palët, ju desh të afronte rreth vetes në një aleancë të rëndësishme disa nga republikanët më me reputacion në vend, që nga ish-kandidati për President Mitt Romney, e deri tek familja e legjendarit John McCain, gjithashtu kandidat presidencial e shumë të tjerë.

Për tu kthyer në Shqipëri. Partia Demokratike, si partia e parë postkomuniste në Shqipëri, e nisi debutimin e saj elektoral në zgjedhjet e 31 marsit 1991, duke marrë rreth 30% të votave. Ishte një rezultat shumë i rëndësishëm, pasi përveçse tregonte një hov politik të partisë më të re në vend, përbënte edhe një rezultat cilësor.

Kjo, ngaqë PD kishte fituar në të gjitha qytetet kryesore e qendrat urbane në vend. Por, lidershipi i saj, përkatësisht Sali Berisha, nuk u kënaq me këtë fitore, pasi donte triumfin total. E kështu PD provokoi një rënie të tre qeverive që u krijuan atëherë, ajo e PS-së, ajo e PS dhe PD-së së bashku, e në fund asaj teknike.

Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, PD arriti zenithin e mbështetjes popullore, kur mori 1,046,193 vota. Numrin që në logjikën elektorale shqiptare, përbën edhe shifrën më të rëndësishme. Atë që Edi Rama në vitin 2013 e quajti metaforikisht “1 milion shuplakat”. Në 1992, Partia Socialiste mori 433 mijë vota, çka është kuota më e ulët e marrë në historinë e zgjedhjeve.

Por viti 1997 ishte koha që ndau me thikë epokën e Sali Berishës, edhe pse ky i fundit ka tentuar mbijetesën, e arritur të bëhet edhe kryeministër i vendit në dy mandate. Në vitin 1997, Partia Demokratike mori  336 mijë vota, kurse PS-ja 690 mijë vota.

E nëse shikon 1997-n, që është rezultati më i madh i epokës “Fatos Nano” në PS, numri i votave është më i vogël se viti 2021, edhe pse falë sistemit mazhoritar, PS atëherë mori më shumë se dy të tretat e deputetëve.

Prej asaj kohe, pra viti 1997, PS-ja ka mbetur tek një mbështetje elektorale që shkon nga 600-700  mijë vota. Kapërcimi erdhi në vitin 2000, kur në fushë hyri Edi Rama si kandidat për kryetar bashkie i Tiranës.

PS e kishte humbur dy herë kryeqytetin, edhe pse kandidatët që nxori në dy zgjedhje ishin cilësorë: si Luan Hajdaraga e Agim Fagu.

Rama në vitin 2000 mori rreth 12 mijë vota më shumë se Partia Socialiste. Shifër, që erdhi duke e thelluar nga zgjedhja në zgjedhje, derisa në garën me Sokol Olldashin në vitin 2007 e çoi në 20 mijë vota.

Edi Rama, përveç logjikës së kapacitetit të tij potencial, është edhe politikani që ka punuar që në fillimet e tij me ekspertë imazhi dhe strategjie zgjedhore. Që përgjithësisht kanë qenë të huaj. Model, që më pas e zbatuan edhe partitë e politikanët e tjerë. Si PD e Sali Berishës, ashtu edhe Lulzim Basha, por edhe Ilir Meta, madje edhe parti e formacione të tjera kanë punuar në vijim me ekspertë elektoral të huaj.

E këto ekspertë, përveçse aspektit të publicitetit apo imazhit, gjëja më e rëndësishme që arrijnë të zbulojnë e kuptojnë, është se kush duhet të jetë elektorati që duhet sulmuar për të marrë votat fituese, si dhe cili është ai mesazh që i ndjell këto vota. Natyrisht në kësi rastesh mesazhi është i fortë dhe krejt i thjeshtë, por vjen si rezultat i një kërkimi shkencor, duke rrëmuar në kozmosin elektoral shqiptar.

Thënë kjo, në vitin 2000, kur Edi Rama hyri në fushën e betejës, mbahet mend për batutën e fortë në mitingun e PD-së : “Ooooo doktoooor”. E cila, edhe pse u sulmua egërsisht nga ana tjetër, pra e Berishës, e s’ka sesi të ishte ndryshe, shënon targetin politik të Edi Ramës.

Pra, vendosja në tabelë qitjeje e doktorit, ka qenë dhe aktualisht është synimi politik i Ps-së dhe Edi Ramës.

Target që duhet thënë, sipas realitetit zgjedhor në vend ka qëlluar në shenjë, duke fituar çdo zgjedhje me më shumë vota, që prej asaj dite.

Që do të thotë se PS duke pasur Sali Berishën kundërshtar, vetëm ka rritur vota, e nga ana tjetër, pala rivale, vetëm është bjerrur, zvogëluar, e sot përçarë e ndarë vetëm se ka në shpinë një personazh, i cili në një logjikë normale të një vendi perëndimor, duhet të kishte shkuar në shtëpi që në vitin 1997. 

Moment kur partia nën drejtimin e tij mori sasinë më të madhe të votave që ka marrë ndonjëherë. Lulzim Basha, megjithë defektet e tij, asnjëherë nuk arriti një rezultat aq të dobët në të gjitha zgjedhjet që ai mori pjesë si kryetar i PD-së. Madje ka pasur rezultat më të mirë edhe se i fundmi i Berishës në vitin 2013, kur PD mori 528 mijë vota.

Ndërkaq, Sali Berisha, të vetmin rast që ka tentuar të depërtojë elektoratin gri, pra atë që nuk e ka votuar atë që nga 1997, e ka arritur në vitin 2011 me Lulzim Bashën në Tiranë, ku u zhduk fare nga fushata. Ndërkaq, në vitin 2005 dhe 2009, ka tentuar që të përfitojë nga çarja e së majtës.

Në këtë rast, logjika e targetit që Rama po u bën asaj që ai e quan “zorrë qorre”nuk se është risi, thjesht ka shtuar Ilir Metën, të cilin gjithsesi e kishte bërë që në 2017-n, por më fort në 2021-shin.

Ndërkaq, logjika e rikthimit të “Jurasic Park”-ut shqiptar që tentojnë të rreken mbështetësit mediatikë të koalicionit BF, ngjan më shumë se iluzion. Siç ndodhi edhe me sequel-ët e kryeveprës së Steven Spielberg. Dinosaurët e tij patën efekt vetëm në 1993-shin, seritë e panumërta më pas ishin thjesht efekte kompjuterike…

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?