Qëndrimi që pritej normalisht nga opozita tashmë institucionale e Lulzim Bashës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit, është normalisht shprehja e respektit të vendimit të institucionit që e e kanë bërë betejë gjithë këto vite, e të tregonin vullnetin për të lënë njëherë e mirë rrugën jashtë sistemit për të ardhur në pushtet; sin ë atë vendor, e si atë qëndror.
Normalisht që ky qëndrim nuk pritet as prej Foltores apo segmentet e lidhur me Ilir Metën, të cilët kërkojnë përmbysje jo vetëm të Edi Ramës, por edhe të Amerikës e shumë shteteve e grupimeve të tjera.
Në fakt PD nuk është shprehur zyrtarisht, e kjo është një lloj zhvillimi jo i parëndësishëm. Pasi Basha këtu flet me heshtjen e tij, duke e lënë frontin të zbuluar me Voltana Ademin, profesor Dacin e juristin e Presidencës.
Por mbështetës të opozitës zyrtare sot kanë lëshuar sulure mjaft të forta në opinion.
Bëhet fjalë për Artur Zhejin e Robert Rakipllarin, që njihen si mbështetës të Lulzim Bashës, por që kanë qenë edhe përkrahës të Ilir Metës e kauzave të tij gjithë këto vite.
Në opinionet e tyre në fakt, u pa dukshëm një vijë që ka gjasa që tenton të ngjizet në opinion si një linjë frustrimi më shumë sesa një kauzë realisht politike.
Në vija të trasha, pavarësisht se pati edhe një “përplasje” qëndrimesh, u vu re hapur një linjë e qartë.
E cila pati dy degëzime. i pari ishte një lloj presioni i hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, që meqë shpalli vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të mos shkojë më tej në konfirmimin e shkarkimit të Ilir Metës, të cilin e ka bërë Parlamenti kohë më parë. Logjika? E njohura! “Ta lënë Metën deri në korrik, kur t’i mbarojë mandati, pastaj edhe nëse e shkarkojnë s’ka gjë”, tha pak a shumë Artur Zheji.
Kurse Robert Rakipllari tha se duhet që Edi Rama të lejojë zhvillimin e përgjithshëm të zgjedhjeve lokale, pasi bashkitë sot nuk janë zgjedhur nga shumica e popullsisë e nuk janë legjitime. Madje Rakipllari në argumentimin e opinionit të tij, tha se ka pasur edhe raste të tjera në historinë 30 vjeçare kur janë bojkotuar zgjedhjet.
E ka dhënë si argument vitin 1996, kur në fakt nuk ka pasur bojkotim, por pjesëmarrje. Opozita u largua pas orës 12.00, nga komisionet zgjedhore, kur nisi dhuna e pushtetit. Nëse do të numërohej ndershmërisht vota, do të kishim një rezultat të njohur ndërkombëtarisht, por u mbushën kutitë nga njerëzit e qeverisë.
Nuk ka pasur asnjë rast në 30 vjet që opozita ka bojkotuar zgjedhjet, asnjë! Sidomos në kushtet e 2019-s, kur PD e LSI dogjën e mandatet e deputetëve që është një kujë në vete. E si pasojë nisën një luftë me pushtetin ku u përdorën mjete të dhunshme, që nga molotovët, e deri tek mjetet e tjera të forta. Imazhet e 2019-s bënë xhiron e botës, pikërisht për të dhënë një sinjal që Shqipëria duhet të ketë një ndryshim politik në tavolinë.
Nuk ndodhi! SHBA e BE dënuan dhunën, djegien e mandateve e bojkotin e zgjedhjeve. Për diegien e mandateve u gjet një zgjidhje kushtetuese, bojkoti i zgjedhjeve nuk ndikoi në bllokimin e sistemit.
E sot, kërkohet një zhvillim sërish në tavolinë, sepse sipas tyre këtë e kërkon koha. Po mirë, përse ata që ndërmorën ato akte, nuk duhet të marrin përgjegjësitë e tyre se çdo akt ka një pasojë?
Kjo është sit ë kërkosh karamele, kur për gjithë kohën ke ofruar batare topi. Është mirë për Shqipërinë një sistem i tillë ku opozita është e frustruar, kur pushteti është thuajse i gjithi i PS-së? Ndoshta jo, po cila është rruga. Vetëm hyrja në sistem nga dera, e jo nga dritarja…/TemA