Sali Berisha sot është në ditët më të këqija poiltikisht, e duket qartë se rënia e tij po vjen jo si një tërheqje dialektike po si rrënim tragjikomik. I cili, pasurohet çdo ditë me “xhevahiret” e rrjedhjes së lirë si pasojë e stresit të shtuar, vapës, shëndetit e natyrisht moshës.
Kjo është koha më normale, më optimale, më e logjikshme dhe më dialektikja për të zbritur në fushë “kuajt” e rinj të politikës opozitare për të bërë galopin pranë demokratëve, e më pas garën, ku secili të vërë bast për të referuarin.
Ndër vite, madje që në kohën kur Sali Berisha ishte i aftë të bënte shiun dhe diellin, në PD kanë ekzistuar dhe dalë personazhe të rëndësishme politike. Me profile intelektuale dhe karaktere të spikatura që zgjonin idenë e një lidershipi alternativ dhe me të dhëna jo të vogla nga ana e përmbajtjes.
Por të gjithë që bënë beteja në këto 34 vjet, beteja që u sollën kosto të mëdha edhe jetike e familjare, në fund u lodhën dhe disa herë u rikthyen si djemtë plangprishër në prehrin e doktorit, për interesa të vogla apo “vese minore”.
Të gjithë big-ët e Partisë Demokratike, të cilët kanë ose moshën e Berishës, ose më të mëdhenj, apo edhe më të vegjël, nuk kanë hapur gojë në të gjithë periudhën 12 vjeçare të “mbretërimit” të Edi Ramës.
I vetmi që ka bërë atë pjesën e tij të betejës ka qenë Dash Shehi, i cili megjithatë, edhe pse e ka thënë të tijën, e ka pasur simpatinë për çka ka folur dhe mënyrën e thënies, asnjëherë nuk e ka marrë mbrapsht atë votën e elektoratit opozitar. Votë, e cila është arsyeja e madhe e hezitimit të zbritjes në fushë të kalorësve të rinj e të vjetër, për të dueluar me “plakun Sali”.
I vetmi në historinë e “së djathtës” shqiptaret që gati e sfidoi Sali Berishën ishte i ndjeri Leka Zogu. I biri i Mbretit, i ardhur me derte të shumta në një kohë të tmerrshme si 1997, arriti të marrë në një referendum surreal për formën e regjimit, një shifër që sot është një ëndërr për çdo politikan. Gati nuk preku 50 përqindshin e konsensusit popullor.
Por i shkreti “Pretendent për fronin”, në vend që ta marrë këtë mrekulli që i erdhi nga qielli, që siç dihet vijnë vetëm njëherë, shkoi u bashkua me gardistët e Saliut me kobure në brez dhe veshje ushtarake përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si një skenë filmi neorealist me donkishotë.
Në vend që të bëhej zëvendësuesi apo sfiduesi i Sali Berishës, i dha një kauzë, duke e rifutur në politikë, e vetë u largua i drobitur e i mërzitur me vendin e tij. Për tu kthyer më pas 3 vjet më pas për të vdekur në tokën e të parëve.
Të gjithë këta raste nuk janë pjesësa eposi por njësi dokumentare të asaj që përbën historinë politike të Partisë Demokratike.
E sot, kjo histori po shikon thjeshte një pjesë dialektike të saj, të ashququajturën rikthim apo përsëritje pas ikjes false të 2013-s. E sipas aksiomës tashmë monumentale kur historia përsëritet ajo vjen si komedi apo tragjikomedi. Kurse amerikanët, të cilët ishin ata që i dhanë dy herë dorën këtij politikani shqiptar, e më pas e këshilluan të bëjë mënjanë, kur nuk ndodhi e ndëshkuan, tani thjeshte po shikojnë me cinizëm. Të ndodhë ajo që ata kanë paralajmëruar; përkatësisht: “Profecia e barit”./Tema
Komente
