Sali Berisha

Opinion

Ylli Pata: Përdorimi i Ringjalljes si ‘Rikthimi i Përbindëshit’

28 Gusht, 18:40| Përditesimi: 28 Gusht, 18:48

  • Share

Ylli Manjani, në një shënim të tijin, ironizoi stilistikën e Fatmir Mediut që sheh ringjalljen e Krishtit tek Sali Berisha, duke përdorur metaforën e lugatit.

Ngjiti menjëherë kjo metaforë, pasi i rri mirë narracionit që kanë ndërtuar prej vitit 2021(kur u shpall non grata nga SHBA), njerëzit pranë Sali Berishës, se ai do të ringjallet, ashtu siç ndodhi me Jezu Krishtin pas kryqëzimit të tij prej romakëve.

Është keqpërdorur aq shumë kjo fabul gjithë këto kohë, sa kur doli nga goja e Fatmir Mediut gjatë një interviste televizive, u duk se ishte pikërisht pika që derdhi gotën.

Në vitet 80 të shekullit të kaluar pati një modë në Hollywood, kur patën sukses filmat me heronj. Të cilët, të vetëm bënin namin dhe fitonin mbi të këqinjtë, sado të fortë të ishin ata, apo sado të shumtë në numër.

Heronjtë e vetmuar, të mërzitur e në krizë identiteti ja dilnin të shpëtonin botën. Por, e keqja nuk mbyllet aq shpejt, e kështu nisën të dalin një pas një sequel-ët, apo vazhdimi i serisë së heronjve, që nuk mbylleshin kurrë. Rambo 1, 2, 3, 4, 5 etj. Rocky 1, 2, 3 e me radhë. Terminatori, Chuck Norris e shumë nga përfaqësuesit të sagës së heronjve vijonin pa fund.

Më pas, kjo modë u kopjua nga mjeshtrat e filmave horror me përbindsha e lugetër. Pasi medalja ka dy anë. Ashtu si shumohet e mira, edhe e keqja ka të njëjtin fat e rikthehet për të bërë kërdinë mbi njerëzimin.

Filluan kështu sagat me lugetër e përbindsha apo zomby: Sharra 1, Sharra 2, Sharra 3 e që nuk pushojnë deri në të fundit që gjithmonë kanë titullin: “Hakmarrja!”

E për t’u kthyer jo thjeshte në metaforën e përdorur nga Manjani, por në kuptimin në mjedisin politik të mitit të ringjalljes, ka një shumësi në opinion që e konsideron fiks si rikthimin e përbindshit.

Natyrisht, jo mbështetësit e afërt të Sali Berishës, por nëse shikohet masa që prej 2013-n voton thuajse pa lëvizur Edi Ramën, i ka bindur versioni që ai sjell në eposin elektoral me seri të ndryshme.

I fundit i kësaj serie legjendare nuk fliste për katallanë e xhagajdurë, po për një buf, i cili qëndron mbi një kënetë të madhe, ku gjallesat e saj nuk dilnin dot për të parë ç’ndodh sipër saj, sepse bufi i kishte magjepsur.

Por çfarë ndodhi nga kampi tjetër? Në vend që të injoronin përrallën e bufit, apo ta kthenin atë në një logjikë qesharake, heroizuan bufin.

Madje nuk e bëri thjeshtë Fatmir Mediu, i cili edhe pse ka punuar gjatë pranë të ndjerit Sabri Godo, që shkruante për heronjtë, nuk është shquar për letërsi të këtij zhanri.

E bënë “profesorë” e “filozofë” që kanë dalë si kërpudha pas shiut për të ndërtuar filzofinë MAGA në Shqipëri si anatagonizëm i soroizmit, si dhe vetë ai: La Civita mitik, të cilin Edi Rama e pagëzoi si “Latifi”, emërtim që thënë të drejtën ngjiti gjithashtu.

Nuk u lodhën së shpjeguari se bufi është i mirë, ai ha insekte, pastron territorin moçalor dhe ruan habitatin ku jetojnë gjallesat e ndryshme të këtij rezervati. A thua se jemi në fakultetin e veterinarisë apo zooteknikës.

Në vend që të harxhonin energjinë për politikë reale dhe ide të reja, hynë në batakun që u ngriti Edi Rama, e silleshin rreth tij si gushkuqi nën legenin që i bie përsipër në ditët e ftohta me dëborë.

Ka një apo më shumë arsye pse ndodh kjo. E sipas gjasave nuk duket se kemi të bëjmë me “krizën e krijimtarisë” të spin-ëve që prodhojnë fabulat e PR. Edhe pse diku mund të qëndrojë.

Ajo që duket se është problemi më i madh këtu, u vu re se në të gjithë këto tregime, mungon fraza mitike në fund: “Personazhet apo ngjarjet që zhvillohen në vepër nuk janë reale. Ato janë thjeshte pjellë e fantazisë së autorit(autorëve)…”/Tema

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?