Sali Berisha gjatë një konference, me një buf në tavolinë

Opinion

Ylli Pata: Problemi real i PD-së? Nuk e ka mbiemrin Berisha!

1 Prill, 18:42| Përditesimi: 1 Prill, 18:47

  • Share

Një dimension politik në Shqipëri, të cilit nuk i është dhënë pesha e caktuar e analizës, apo e shpjegimit në opinion, është natyrisht konsistenca gati e pashpjegueshme e një elektorati opozitar në Shqipëri.

Një konsistencë që është vënë re në të gjitha votimet e zhvilluara në Shqipëri që në 31 marsin e vitit 1991.

Për shumë komentatorë është e çuditshme se pse pas luftës civile që shpërtheu në PD, si pasojë e shpalljes së Sali Berishës “Non Grata”, nuk pati krijim të një partie tjetër të rëndësishme brenda opozitës, ku të bashkoheshin së bashku në një formacion ata që kishte përballë, e kjo parti të paktën të ketë marrëdhënie të mira me Perëndimin.

Në fakt, kjo përpjekje ndodhi, duke i rezistuar në mënyrë stoike dhe fitoi madje, përballë një sulmi brutal dhe masiv, siç ishte ai i 8 janarit 2022.

Ajo fitore, krijoi edhe personazhe që menduan ta shfrytëzojnë për egon e tyre politike si Gazmend Bardhi, Grida Duma apo Ervin Saljanji, të cilët në faza të ndryshme gjithsesi, por vendosën të braktisin atë grup që u dha fitoren politike ndaj Sali Berishës.

Pse ndodhi kjo në realitet? Sepse, si Grida, Saljanji apo edhe Gaz Bardhi më pas, panë se beteja e tyre e fortë kundër Sali Berishës, nuk i jepte një siguri reale për të ardhmen e tyre politike.

Pasi Lulzim Basha, krijoi një strukturë paralele që po fuqizohej përditë e më shumë, e që nuk ishte kryesia reale e PD-së, por “kryesia e kryetarëve të degëve”. Me një fjalë, Basha u interesua më shumë për të mbajtur një lidhje direkte në territor sesa për të pasur deputetët më vete.

Logjika e Lulzim Bashës, ka një arsye, pasi sipas tij ai ka me vete një pjesë të mirë të degëve të Partisë Demokratike, eksponentë të të cilëve i ka vendosur edhe në listat e deputetëve.

Megjithatë, deri më sot, kjo pjesë e opozitës nuk del në sondazhe, pasi pjesa kryesore e perceptimit i takon PD-së së Berishës dhe koalicionit të saj dhe “partive të reja”. 11 maji do të vërtetojë më saktë këtë konfigurim të opozitës, të cilin nuk mund ta vizatojë një sondazh që merret me perceptimin në vija të trasha.

Gjithsesi konsistenca e fortë e një damari politik anti-Rama në Shqipëri, është lajmi më i mirë qoftë për vendin, apo edhe qoftë për Edi Ramën, në rastin kur ai vijon të udhëheqë vendin.

Kjo konsistencë politike, vijon pa u ndalur prej vitesh, si në perceptim, si në ligjërimin apo prezencë në debatin publik, përkatësisht në rrjete sociale, si dhe atë që është shumë e rëndësishëm, vota popullore.

Pikërisht kjo lloj votë, e cila në zgjedhjet e 25 prillit 2021 pati fuqinë politike më të madhe, krijoi si në tek mjaft politikanë, por edhe komentatorë publikë, termin “popullin opozitar” apo “demokratët”.

Duke i kthyer këto terma në një mekanizëm për të fituar kredo politike dhe publike. Ndërkaq, ka pasur një zhvillim tjetër brenda “popullit opozitar”, i cili nuk duket mirë në perceptim apo sondazhe, që u vu re pas publikimit të listave.

Ky problem quhet një zhgënjim i një pjese të madhe të shumë personazheve të “popullit opozitar”, të cilët kanë mbajtur një temp të lartë gjatë betejave të gjata dhe jo të lavdishme që nga viti 2013, përkatësisht protesta kundër SHBA, që mori emrin për “armët kimike”, beteja e Teatrit, betejat në bashkinë Tiranë etj, etj.

Shumë nga këta personazhe, të cilët janë investuar edhe hapur në sulmin ndaj diplomatëve apo politikanëve amerikanë dhe europianë, thjesht për interes personal të Sali Berishës apo Ilir Metës, nuk u përfillën fare për tu vendosur në listat për deputetë. Efekti i këtij zhgënjimi nuk duket aq i vogël, pasi është vënë re nga Berisha duke e shqetësuar, ndryshe nga parashikimi. Ndaj para disa ditëve në një intervistë televizive, improvizoi një kabinet qeveritar, ku emrat e zhgënjyerve i projektoi në “qeverinë e re të tij”.

Përtej aspektit futurist apo utopik të këtij qëndrimi, problemi në këtë rast nuk janë emrat konkretë të tipit kalaja. Por fenomeni i braktisjes së personazheve që kanë qenë ndër vite, protagonistë të PD-së. Dhe nuk bëhet fjalë që Berisha të shqetësohet për ata që kanë qenë protagonistë të opozitës në publik, pasi në fund të fundit, ata i kanë dhënë vetes një “famë” e popullaritet që mund t’i shërbejë karrierës së tyre.

Problemi më i madh janë njerëzit në territor. Disa prej të cilëve, Sali Berisha po i trajton me humore që shkojnë nga dyshimi tek armiqësia.

Është e qartë se mos vendosja në listë e personazhit që fitoi primaret e qarkut Tiranë, Hysen Kadiut, apo edhe Dashnor Sulës, do të kenë efekte reale në territor.

Sula, i cili është deputet i Peqinit që në zgjedhjet e vitit 2005, pra prej 20 vitesh, ka krijuar këtë kohë një raport personal me njerëzit në territor. Raport, i cili bazohet në qasjen dhe simpatinë me zgjedhës dhe njerëz si në qytetin e Peqinit, por edhe në zonën rurale dhe që i përkasin jo vetëm elektoratit të PD-së, por edhe atij të PS-së, si dhe të paangazhuarit, të cilët quhen elektorati gri.

Berisha i frikësohet një efekti domino, apo ortek të fenomenit, pra revoltave të hapura që ka nisur Dash Sula, apo atyre jo publike por edhe më të rrezikshme që ka nisur siç duket, fituesi i primareve të Tiranës.

Efekt, që fuqinë e parë e dha në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku një pjesë të drejtuesve demokratë në territor zgjodhën pa pikë kompleksi të krijojnë një aleancë me Benet Becin në Shkodër.

Aleancë, që sipas gjasave ka vijuar dhe vijon edhe sot, e që shikohet si në përzgjedhjen e listës së PS-së, si dhe në përzgjedhjen e njerëzve, apo edhe sensibiliteteve politike që nuk i harron kreu i bashkisë së Shkodrës.

Përkatësisht efekti që i trembet Berisha ka nisur që të japë shenjat e tij që para mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit. Ndryshe nga Partia Socialiste, e cila ka ruajtur një raport përgjithësisht të afërt dhe historik me krerët e bashkive apo drejtuesve politikë në territor, Berisha historikisht e ka pasur problematik këtë raport.

Kjo i ka sjellë, natyrisht përveç të tjerash, edhe për të mos fituar bashkitë e rëndësishme të vendit. Para se të vinte Edi Rama në krye të bashkisë së Tiranës, PD e fitoi 2 herë atë, duke e konsideruar edhe bastion politik. Ndërkaq, e drejtoi për disa muaj edhe me komandim përkatësisht nga marsi 1992 deri në shtatorin e atij viti. Por tre kryetarët e bashkisë së Tiranës: Tomor Malasi, Sali Këlmendi dhe Albert Brojka, u braktisën politikisht nga Berisha, e sot askush nuk i mban mend, edhe pse fuqia dhe influenca e tyre në territor, natyrisht në aspektin e përshtypjes dhe respektit, vijon pa u ndalur.

PD ka pasur bashkinë Durrës deri në momentin kur atë e fitoi Vangjush Dako, pra deri në vitin 2007, herë pas herë duke e shkëmbyer me PS. Tomorr Golemi dhe Arqile Goreja kanë qenë dy kryetarë bashkie të PD-së me mjaft popullaritet në territor, si në qytet, ashtu edhe në fshatrat rreth Durrësit. I pari si personazh i urtë dhe me integritet, i dyti si mjaft babaxhan, i respektueshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar njerëzit. Zoti Golemi nuk pati asnjëherë një post të rëndësishëm në qeverisjet apo strukturat e PD-së. Arqile Gorea, u vendos për një kohë gjatë qeverisjes së 2005 si drejtor i postave, por nuk pati asnjëherë një post të rëndësishëm politik.

Në Shkodër, lista është shumë e gjatë. Nga Filip Guraziu te Voltana Ademi. Përveç Lorenc Lukës, i cili ka qenë deputet, që është më e pakta për një ish-kryebashkiak, apo Bardh Spahisë, marrëdhëniet e të cilit me Berishën, janë më shumë se politike prej shumë vitesh, askush nga drejtuesit në territor të PD në Shkodër nuk ka marrë shpërblimin e merituar politik. Kjo ka ndodhur pikërisht në logjikën pasi Sali Berisha nuk ka dashur të forcojë politikisht personazhe që mund të ktheheshin në rrezik për të dhe pushtetin e tij. Pushtet që pa mbështetjen e armatës reale në territor nuk ekziston.

Para pak ditësh, Edi Rama dha një sinjal të fortë në Shkodër, kur vlerësoi publikisht një deputete aktuale të PD-së, e cila vjen familjarisht nga një grup historikisht i rëndësishëm i demokratëve në territor. Mbështetja e të cilit ka qenë shumë e rëndësishme për PD-në dhe Sali Berishën edhe në kohëra të vështira. Nëse lëkunden edhe këto realitete qëndrestarësh, Berisha e di se është e kotë të vazhdojë, megjithatë edhe pse ky problem nuk ka mbiemrin e tij, ka vulën e rëndësishme të fajit të tij politik ndër vite. /TEMA/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?