Belind Këlliçi

Opinion

Ylli Pata: Pse Berisha e vijoi sulmin ndaj Këlliçit?

19 Gusht, 18:28| Përditesimi: 19 Gusht, 18:31

  • Share

Sulmi ndaj Belind Këlliçit, në vija të trasha ishte një reprizë e bombardimit të parë nga një media shumë e afërt me Berishën.

Nuk kishte ndonjë avancim argumentesh, apo përshkallëzim degradimi personal, për të cilin ka një shkollë më vete në rekuizitën mediatike historike pranë Doktorit.

Nëse në të parin, argumentet ishin që Këlliçi bashkëpunon me Ballukun, këtë herë theksohej se ky bashkëpunim është edhe me media që kanë aleancë me Ballukun.

Parë me këtë sy, kushdo që ka përvojë në PD, ku janë stërvitur për të identifikuar mënyrat e dajakut politik të Doktorit, në një farë mënyre, “druri” ndaj Belindit ka ngjallur edhe zili.

Pasi si i thonë një fjale të filozofit që ka frymëzuar këtë teori, po s’të vdiq, të forcon. Megjithatë, duket sikur gjërat janë pak më ndryshe sesa forcimi apo dobësimi i Belindit, për të cilin nuk i rreh shumë Berishës.

Megjithëse në shkrim, që dihet nga të gjithë se pikat janë diktuar nga “lart”, përmendej epiteti “humbës”, ç'ka duket qartë se nuk do të jetë Këlliçi kandidati i ardhshëm për Tiranën.

Gjë që natyrisht as nuk i shkon ndërmend e as nuk e mendon vetë personi i sulmuar pasi qëndroi 2 vjet jashtë Parlamentit, e ku bëri më shumë armiq se miq.

Ky sulm ndaj Këlliçit, duket një qitje në ajër, një shashkë e hedhur për të bërë zhurmë, në afrim të sezonit të ri.

Rikthimi i Sali Berishës në krye të PD-së edhe de jure, dihej që do të ishte më i vështirë se kur qëndronte në hije.

Siç erdhën punët, duket se ai veprim erdhi jo i menduar si duhet, një lloj lëvizje e detyruar, që limitet i kishte më të mëdha sesa rrugët për të çarë përpara.

Iluzioni i foltores së 2022 se rrugës do të zgjeronte aleancat me aspirantët e rinj që kishin ikur nga Basha, apo rikthimi i pretorianëve të ish-kryetarit, ranë siç pritej me listat e deputetëve.

Sinjali me sulmin ndaj Këlliçit duket i lehtë për veshët e stërvitur me zbërthime kodesh të nxjerra nga mënyra e sharjeve nëpër media të porositura.

Që do të thotë, se më shumë se me Belindin, duket se u drejtohet të tjerëve që thonë se do të bëjnë mocione ndaj Berishës, do të bëjnë karrierë nga hapja e vendeve që mund të mbesin bosh nga hetimi i deputetëve aktualë prej SPAK.

Apo edhe me të tjerë që mendojnë se mund të hapin variacione mbi temat e mëdha që normalisht ka opozita.

Sali Berishës, sidomos pas nisjes së procesit penal që “rastis” me hapjen e sezonit politik, më shumë se aleatë, i duhen besnikë. Të cilët nuk duhet të guxojnë të hapin tema që mund të komplikojnë situatën që pritet të bëhet edhe më e rëndë me hapjen e gjyqit.

I cili, edhe pos kushteve lehtësuese të një trupe gjyqësore “jo armike”, gjithsesi është një gjyle e rëndë në këmbën e kreut të opozitës. Ndaj lëvizja është e detyruar dhe e kufizuar, por kjo nuk do të thotë se dikush mund të vrapojë. Ndaj është paralajmëruar Belind Këlliçi, por që duket se nuk ka pasur kush punë me të… /TEMA/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?