Ndërsa PD e Lulzim Bashës ka shpërndarë deklaratën e dytë për të gjetur një kandidat konsensual të opozitës në Kukës, Sali Berisha ka ndërprerë çdo mundësi, duke e cilësuar Partinë Demokratike si kundërshtare politike. Berisha tha troç e shkoqur se i vetmi aleat politik për garën e pjesshme është Ilir Meta.
Politikisht, ky është një akt kamikaze, ku rreziku i qartë i dëmtimit të vetes, ka si objektiv shkatërrimin sa më të madh të kundërshtarit.
Ka disa arsye që kreu i foltores sillet në këtë mënyrë, në një rast ku moderacioni, mund edhe mos të sjellë një fitore të kandidatit të tij, por mund të dëmtojë më shumë PS-në dhe mazhorancën.
Duhet thënë se terren Sali Berisha është mjaft më i qartë politik se PD-ja, Lulzim Basha, por edhe politikanët që e kanë zët atë brenda PD-së. Berisha nuk përdor artificë të lodhshëm për të ecur në terren, por kërkon atë që në fakt çdo politikan do; fitoren e tij dhe humbjen e çdokujt që nuk e pëlqen, nuk e do, apo e ka rival.
E Berisha, këtë model e ka ndjekur për 30 vjet, ku nyk pyet fare për mjedisin dhe kontekstin, por shkon drejt e në interesin politik të tijin. Edhe pse në bazën e anëtarëve sit ë PD-së, por edhe të strukturave të foltores, kandidati që pritet të nxjerrë partia e Bashës ka marrë mbështetje më të gjerë, Berisha ka vulosur synimin për të shkuar në një mision vetëvrasës në zgjedhjet e pjesshme.
Pasi një ringritje e PD-së pas ardhjes së Bashës në krye do të thotë për Sali Berishën dhe Ilir Metën, një shkatërrim i të gjithë gurgules që ata kanë ndërmarrë për dy vjet në gjirin e opozitës. Në rang kombëtar, realisht i gjithë ky mision ka dështuar në mënyrë spektakolare. Por Berisha nuk do që me Kukësin të ngrejë një opozitë tjetër përveç të tijën. Atij i intereson më shumë një “shehit” politik që ta qajë nëse PS fiton zgjedhjet e Kukësit, sesa një humbje e mazhorancës dhe rivelim i Partisë Demokratike.
Ndaj, këtu është PD-ja e Bashës që duhet të heqë dorë përfundimisht nga iluzionet e bashkimit dhe konsensusit. Është e qartë se PS-ja është një kundërshtar ideologjik, por foltorja përbën rrezikun imminent për të mos lejuar ringritjen e Partisë Demokratike.
Nëse Sali Berisha do të synonte që në Kukës të fitojë opozita, do t’ja linte strukturave të bazës që të udhëhiqnin negociatat për të vepruar qoftë në përzgjedhjen e kandidatit, qoftë edhe diskutimet me realitetet opozitare në territor. Berisha me qëndrimin e tij drastic, ka bërë të ditur se nuk pranon asnjë realitet tjetër, qoftë edhe autonomi që vjen nga Kukësi.
Si vijë politike duket qartë se është e rrezikshme, port ë paktën është mjaft e qartë dhe njerëzve në territor, foltorja u ka bërë të qartë se nëse do të rrijnë me të, nuk ka zgjidhje të mesme, por vetëm që të hedhin në erë PD.
Ndaj edhe Basha ka vetëm një zgjidhje, që duhet ta qartësojë sa më shkoqur. Të përzgjedhë kandidatin e tij në Kukës e të nisë fushatën. Bashkimi, jo vetëm që është iluzion, por akoma më shumë një mision që nuk ka për të ndodhur kurrë.