Berisha dhe Meta

Ylli Pata: Pse dy udhëheqësit e BF-së po shkojnë veç e veç në fushatë?

20 Prill 2023, 17:46| Përditesimi: 20 Prill 2023, 17:47

  • Share

Kur po hyjmë në javën e dytë të fushatës zyrtare të 14 majit, ka një zhvillim që arrihet të shikohet, edhe pse natyrisht ka kohë, e sipas gjasave do të rrjedhin ujrat goxha.

Përveç aktiviteteve të para për “nxemje”në territor të disa kandidatëve që kanë identitet të rëndësishëm brenda elektoratit opozitar si Belind Këlliçi në Tiranë, Igli Cara në Durrës, Luçiano Boçit në Elbasan etj, fushata qendrore e “Bashkimit për Fitore”, po bëhet më shumë në një distancë nga territori politik i opozitës.

Në zgjedhje si këto, që janë të lidhur në mënyrë direkte me emrin e kandidatit që garon për kryetar bashkie, ata kthehen realisht në qendër e gravitetit edhe politik.

Kandidatët e grupimit të Berishës dhe Metës në tre qytetet kryesore, kanë arritur që të arrijnë një deal paraprak prej kohësh me grupe interesi, por edhe parti të opozitës. Duke nisur nga Partia Demokratike, drejtuesit e të cilit nuk lejuan që të zbatohej plani i Enkelejd Alibeajt dhe krerëve të degëve të PD-së që të kandidojnë në 61 bashkitë e vendit.

Ndërkaq, përvoja e tyre politike, i ka bërë që të krijojnë një shtrat lobimi dhe magnetizmi përreth tyre në territor. Në kulmin e fushatës, kur gjërat do të marrin atë ndarjen si me thikë të palëve, gjërat do të shikohen më qartë, por deri tani ka një lloj konfigurimi që mund ta shohësh.

E që duket qartë një handicap i lidhjes në territory sidomos të fushatës qëndrore të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Takimet e tyre, në mjedise të caktuara e të përgatitura nuk i zëvendësojnë “zhytjet në turmë” term që përbën thelbin e fushatave elektorale, sidomos të opozitës.

Fushata si e Berishës edhe Metës po bëhet si nga lart, si mbi re, ku mbizotëron PR i regjisë qendrore dhe mesazheve më shumë digjitale. Natyrisht që, këtë e bën edhe mazhoranca, sidomos kur siç e ka thënë Edi Rama, PS ka zgjedhur të bëjë një fushatë pa mitingje apo takime kapilare në territor.

Ajo që duket me interes publik, është sa është përkthyer sasia e mbështetjes që mund të marrë BF-ja më 14 maj, në “ushtrinë” e saj të rregullt në territor.

Pra si është gjendja reale e rreshtrimit të strukturave të PD-së në bazë. Kjo vlen për të fotografuar impaktin që kanë zgjedhësit opozitar me alternativën e vetme që kanë në shumicën e bashkive për të votuar. Përkatësisht subjektin ku lider është Ilir Meta. Deri tani asnjë sondazh nuk është marrë me këtë pyetje, brenda pjesës së zgjedhësve të opozitës, e ka gjasa që të mos lexohet kaq lehtë.

Ajo që vihet re, nga takimet e deritanishme të Enkelejt Alibeajt, është prezenca e një grupi jo masiv personazh, që duket se janë anëtarë dhe përfaqësues strukturash. Ndërkaq, në pjesën tjetër, ka njerëz mbështetës, që në shumicën e rasteve janë entuziastë e duket se janë votues e aktivistë të foltores. Por për më shumë, duhet pritur mënyrën e takimeve të rëndësishme dhe itinerarin që do të ndjekë Berisha e Meta.

Deri tani, ajo që mund të shikohet është se ata shkojnë veç e veç në prezantimin e kandidatëve. Herë shkon Sali Berisha, herë, shkon Ilir Meta, nuk shkojnë përgjithësisht të dy bashkë. A është kjo një zgjidhje logjistike, taktike, apo është politike? Deri tani, duket kjo e treta…

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?