Sali Berisha

Ylli Pata: Pse e hoqi Berisha 29 nëntorin në 1992-in?

29 Nëntor 2023, 17:59| Përditesimi: 29 Nëntor 2023, 18:01

  • Share

Me daljen e dokumenteve gjermane, por edhe britanike, sot nuk ka asnjë dilemë për ditën e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Materialet e publikuara prej vitesh nga historiani Mareglen Kasmi, nga arkivat gjermane janë pasuruar edhe me të tjera burime.

Historiani Romeo Gurakuqi, publikoi një material të gjatë në faqen e tij në Facebook, i cili është i marrë nga arkivat britanike.

Profesor Gurakuqi, i cili në qëndrimet e tij ka qenë mjaft kritik ndaj Luftës Nacional Çlirimtare dhe rolit të PKSH-së, gjithsesi thekson se Shkodra u çlirua më 29 nëntor 1944 dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim tashmë.

Në fakt nuk ka pasur asnjëherë një dyshim real historik. Edhe Padër Zef Pëllumbi në librin e tij epic “Rrno për me tregue” thekson se më 29 nëntor në Shkodër erdhën forcat partizane.

Po përse atëherë në Shqipëri kemi 33 vjet që zhvillohet një debat i pambarimtë mbi ikjen e gjermanit të fundit? Kjo sepse PD-ja sapo erdhi në pushtet më 22 mars 1992, ndër vendimet e para që mori ishte shfuqizimi i 29 nëntorit si Dita e Çlirimit dhe caktimi i datës 28 nëntor, si festë e përbashkët edhe e pavarësisë dhe e Çlirimit.

Një kaos që solli një ndarje të madhe në shoqëri, e natyrisht politizoi të gjithë historinë e vendit. Duke futur në një amulli të gjithë mendimin shkencor dhe qëndrimin logjik mbi një nga zhvillimet më të rëndësishme siç ishte lufta antifashiste.

Europa e sotme, e jo vetëm ajo, është krijuar nga fryma antifashiste e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pjesë e të cilës ishte edhe Shqipëria.

Heqja e 29 nëntorit nga ana e pushtetit të Sali Berishës nuk se u bë duke u konsultuar dhe gjetur një zgjidhje akademike të çështjes, meqë bëhej fjalë për një vulë shkencore.

Njerëzit që dolën kundër datës 29 nuk ishin gjë tjetër veçse politikanë të PD-së, ose personazhe që më pas u quajtën historianë thjesht sepse u emëruan nga partia në akrivat e shtetit, apo studiues autodidaktë, si doktorët që shërojnë kancerin me fara e gjethe në studion e Çanit.

Mbrëmë, në Shkup, në televizionin Alsat Maqedonia, dha një intervistë profesor Neritan Ceka, i cili në më pak se 50 minuta sqaroi thjeshtë e saktë të gjitha dilemat historike që ka në Maqedoni në lidhje me Ilirët, sllavët, por edhe historinë e re të shqiptarëve.

Me argumente të betonuara në punën e tij shumëvjeçare në arkeologji, prof Ceka dha një nga intervistat më të mira, që asnjë televizion i Tiranës nuk ja ka kërkuar.

Pasi këtu në vend që të thërrasin njerëzit që kanë një jetë që merren me shkencën e historisë, thërriten arkivistë e qeflinj arkivash, të cilët këtë punë e kanë me mide, e madje marrin përsipër të quajnë banditë e kaçakë figura të rëndësishme historike, për të cilët nuk kanë folur në të njëjtën mënyrë ata që kanë një jetë mbi dokumente e materiale arkeologjike e arkivore.

Megjithatë, kjo është tjetër gjë. Sepse thelbi qëndron pikërisht tek politika. Pse e hoqi pushteti i Berishës 29 nëntorin?

Kur një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrësve në Luftën Nacionalçlirimtare ishin edhe përkrahësit e parë të Partisë Demokratike. Kishte edhe partizanë që u bënë anëtarë dhe përfaqësues forumesh të PD-së.

Heqja e datës së çlirimit, krijoi një përçarje të madhe në vend. Sa u kthye edhe në kauzë politike. PS mbrojti fort 29 nëntorin, e organizata e veteranëve u kthye një strukturë gati politike pranë PS-së siç është edhe sot.

Edhe pse PD vendosi 28 nëntorin si datë çlirimi, gjatë pushtetit të saj, dita e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së kryer nga partizanët pothuajse humbi çdo kuptim e përkujtim. Duke e zëvendësuar me përvjetoret dhe dekorimet e personazheve që kishin qenë në krahun e pushtetit fashist dhe nazist në Shqipëri.

Ideja ishte e qartë, që me 29 nëntorin, të hiqej një simbolikë politike e së majtës në vend, e kështu politika të zëvendësonte atë simbolikë me të tjera. Por kjo nuk kryhet me urdhër, apo vendim politik, siç nuk bëhet me dekorime politike rivlerësimi i figurave të diskutueshme në histori.

Në vende të civilizuara, këtë debat e kryejnë akademikët dhe intelektualët. Gabriele D'Annunzio, shkrimtari e poeti i madh Italian jo vetëm që ishte një përkrahës i fashizmit, por edhe pjesë e rëndësishme e strukturave politike nën 20 vjeçarin që drejtoi Musolini. Po ashtu edhe poeti i njohur amerikan Ezra Paund etj etj. Vlerësimin e tyre nuk e ka bërë pushteti politik antifashist i ardhur pas Luftës së Dytë Botërore në Itali, por njerëzit e shkencës dhe të letrave. 

Sot në Itali, kryeministre është kryetarja e një partie që origjinën e ka nga neofashistët e Movimento Sociale Italiane. Si Giorgia Meloni, ashtu edhe drejtuesit e partisë së saj nuk marrin pjesë në festimet e 25 prillit, ditën e Çlirimit të vendit nga fashizmi. Madje këtë e thonë hapur, duke mbajtur qëndrimin e tyre kritik ndaj 25 prillit, atyre që e mbështesin dhe bëhet një debat i zjarrtë në mediat italiane. Por nuk i ka shkuar asnjëherë në mendje partisë së Melonit që të heqë me vendim parlamenti Ditën e Çlirimit. 

Edhe në Shqipëri, do të ketë gjithmonë një pjesë që e sheh me sy krejt tjetër, madje edhe të ashpër çlirimin e Shqipërisë nga nazizmi, partizanët, pushtetin që erdhi më pas etj etj. Ky debat sipas të gjitha gjasave nuk do të përfundojë ndonjëherë. Palët janë të ndara, siç u nda bota me thikë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E në Shqipëri, pasojat ishin edhe më tragjike, e ka logjikë një ndarje e madhe. Pushteti që erdhi pas rrëzimit të komunizmit, detyrën e kishte që të pajtonte e zbuste traumat e diktaturës, e jo të hapte të tjera.

Siç dhe ndodhi, por që politikisht humbi PD e Sali Berisha. Të cilët bënë kundër edhe të gjithë ata pjesëtarë të Luftës Nacional Çlirimtare që ju bashkuan opozitës, me shpresën e një pushteti demokratik. Elektoralisht, PD, me heqjen e 29 nëntorit i dhuroi të majtës një komunitet politik që thuajse nuk ka ndryshuar prej atëherë. Tema

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?