Dy personazhet që dolën nga izolimi, njëri në burg e tjetri në shtëpi, kanë dalë si triumfues në publik, duke u ngrefosur para kamerave të të gjithë televizioneve.
Kohën e të cilëve e kanë pushtuar prej 48 orësh në të gjithë programacionin e talkshoë-ve që nuk kanë të mbaruar nga mëngjesi në darkë.
Të dy personazhet, si Ervin Saljanji, ashtu edhe Jamarbër Malltezi, janë liruar për çështje teknike, e nuk kanë marrë vulën e thatë të pafajsisë. Njëri u lirua për sjellje të mirë, ndërkohë që kishte edhe tre muaj për të kryer denimin, tjetri ka ndryshuar masën e sigurisë, ndërkohë që përpara e pret një proces i gjatë dhe impenjativ.
Në realitet, ata, por edhe mbështetësit e tyre, kanë të gjithë të drejtën e lirinë të thonë çfarë të duan, të qëllojnë pafund në ekrane e rrjete municionin e ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes së tyre, apo edhe të shpalosin të gjithë bagazhin e tyre intelektual para kamerave.
Megjithatë, në realitet, asnjëri prej tyre nuk ka bërë lajm. Pavarësisht se tek palinsestet tona televizive, hapësira e opinioneve merr një hiperinflacion, si pasojë e mos planifikimit të ekuilibruar të skaletave, por dhe ndikimit të qëllimshëm që këta persona me enturazhin e tyre kanë në mediat televizive në vend.
Jemi fiks, si në kohën e rastit “Babale”, kur thuajse të gjithë emisionet e mbushnin programin e tyre vetëm me versionin saljijanesk të trillerit që i dha burgun ish-deputetit të vet, pa ballafaquar versionin alternativ të së vërtetës.
Jemi në një një situatë polarizuese ku ndërsa Jamarbër Malltezi flet në një emision se prokurorët nuk i kanë gjetur asnjë gjë, ndërsa në një tjetër, gazetarë investigues shpjegojnë me detaje dosjen e SPAK, që flet pikërisht për të kundërtën.
Ky lloj diskutimi natyrisht që do të mbetet i tillë, sepse në fund të fundit, Malltezi mendon se i takonte të merrte klubin Partizani, ta prishte atë, të ndërtonte kullat, t’i shiste e të bëhej pronari kryesor i qytezës që u ndërtua në pronën e ish-shtetit italian që e mori shteti shqiptar.
Ky diskutim ka vite që bëhet dhe ndarjen reale do ta vulosin Gjykatat e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit, por edhe shkallët e tjera të gjyqësorit, për të vendosur verdiktin e atij që quhet me Kushtetutë- “arbitri”.
Si Ervin Saljanji, ashtu edhe dhëndri i Berishës, sado që të fryhen përpara kamerave duke marrë pozat e martirit, ata nuk quhen të tillë, jo vetëm nga shumica e opinionit shqiptar, por edhe shumica e elektoratit opozitar.
Një nga arsyet që PD e Berishës ka ulur votat drastikisht në krahasim me PD-në e Lulzim Bashës, është pikërisht raporti i saj dhe i njerëzve të saj me drejtësinë, akuzat zyrtare, apo proceset penale. Deri në një vendim gjykate, zoti Malltezi është i pafajshëm, por nga ana tjetër ai mbetet i akuzuar deri sa të jepet verdikti i drejtësisë.
Standardi që kjo kulturë politike sillet me të tjeret egërsisht, jo vetëm kur kanë akuzë zyrtare, por edhe kur këta mendojnë se duhet të ketë akuzë, ndërkohë që për rastin e tyre sulmojnë drejtësinë, është pikërisht thelbi i problemit politik që i ka dhënë mandatin e katërt Edi Ramës.
Kjo shikohet qartë në të gjitha sondazhet ku SPAK, ose më mirë logjika e dhënies fund të pandëshkueshmërisë ka një mbështetje prej 70%, ku me po këtë shifër gjykohet negativisht Sali Berisha. Kjo është thelbi i gjësë.
Për të marrë një rezultat tjetër kërkohet ndryshim, por jo nga ngrefosësit profesionistë, pasi po u insistua me këtë logjikë, do kemi të njëjtin rezultat, ndoshta edhe më thellë. Këta mund të mbushin televizionet nga program i mëngjesit, e deri ai i mesnatës, sërish asgjë nuk do të ndryshojnë, madje mund të rrëshqasin edhe më keq.
Pasi pikërisht ngrefosja dhe jo luksi, ka qenë perceptimi bazë pse shqiptarët kanë kërkuar një ndryshim nga drejtësia. Se mban republikë dhëndri, apo ka mbjellur flokët tjetri, as nuk i intereson njeriu fare. Madje nuk e lodh edhe trurin për të menduar si mbillen flokët kur je në burg./Tema
Komente
