Primaret sipas modelit amerikan, që i përdor vetëm një parti në Europë: Partia Demokratike Italiane(e qendrës së majtë) janë një gjë shumë serioze.
Shumë serioze, pasi për të zgjedhur kandidatët për të zgjedhur vendor apo qëndrojnë, votojnë simpatizantët, të cilët nuk janë vetëm anëtarët e partisë, pore dhe ata që janë bërë mbështetës. Pra votues. Por ky proces është shumë kompleks, është shumë problematik, e në shumë raste ka rezultuar se nuk përfaqëson realisht vullnetin politik të forcës politike përkatëse.
Në SHBA, ky model ka shumë vite që përdoret, por po flasim për një territor gjigand dhe me miliona banorë, ku baza e të gjithë sistemit politik është federalizmi apo vetëvendosja e shteteve që vetërregullojnë jetën politike dhe mekanizmat që dalin prej tij. Partia Demokratike Italiane që e kopjoi këtë model me insistimin e VValter Vveltronit që të importojnë një logjikë ku të bëhen bashkë të gjithë fraksionet politike të qendrës së majtë, nuk ka arritur sukses me logjikën e primareve.
Pasi gjithmonë kur ka një zgjedhje “plebishitare”, kjo vjen sepse anëtarësimi apo teserimi i militantëve të lobimit më të sponsorizuar fiton. E gjithmonë ka debate për procesin e teserimit apo anëtarësimit që është i përkohshëm. Ndryshe ndodh me partitë klasike të Europës, ku votojnë sipas parimit “një anëtar, një votë”, vetëm anëtarët e partisë.
Sali Berisha, e nisi këtë karikaturë primaresh për të rrëzuar Lulzim Bashën, por sot po merr në fytyrë karmën e merituat. Jo se doktorit po e vret ndërgjegja për këtë seri protestash në seri, megjithatë ky është fakt, ose më mirë një pasojë e një procesit që nuk është proces.
Është një karikaturë e keq menduar, keq menaxhuar e keq administruar. Jo se proceset e tjera të tipit “një anëtar, një votë” kanë qenë të suksesshme, por në të vërtetë nuk kanë votuar demokratët në primare. Kanë votuar ata persona që personat që janë kandiduar kanë futur, apo anëtarësuar në një proces, që në fund nuk se ka qenë real.
Doktori e ka nxjerrë problemin e primareve me një dinakëri të qartë, për të prodhuar procese politike, kur ato mungojnë. Megjithatë, fakt është se nuk kemi pasur asnjë ditë një proces politik, siç nuk kemi pasur as në të ashtuquajturat primare për kandidatët për kryebashkiakë në vitin 2023. Po të shikosh me vëmendje rezultatet e një shoshitje në bazën e mbështetësve të opozitës, procesi i vetëm politik ka qenë dalja e disa emrave të rinj, të cilët kanë ardhur nga një logjikë dialektike. Koha, ngjarjet, territori, zhvillimet sjellin ngjarje të reja. Të cilat, sot Sali Berisha i rrëzoi, me të ashtuquajturën teori e “radhitjes”.
Logjikisht sot Sali Berisha duhet të ishte shumë i gëzuar, sepse, pak apo shumë, keq apo mirë, ka arritur të marrë disa sinjale nga një proces politik. Disa të rinj që dolën më të votuar, disa gra që arritën të fitojnë në komunitetet e tyre, e mbi të gjitha Ilir Alimehmeti, i cili ehe pa u votuar pritej të ishte personazhi më karizmatik, popullor, qytetar, dhe natyrisht alternativ ndaj kësaj qeverie i Partisë Demokratike. Por Sali Berishës nuk i vyejnë këto sinjale, përndryshe do t’i përqafonte, madje fort, duke thënë hajdeni rini merreni fronin e spektrin dhe udhëhiqni një proces apo fushatë që të marrë apo përfshijë sa më shumë njerëz.
Ndryshe pse i frenon? Çdo votim krijon një mundësi për alternancë dhe shpresë për ndryshim. Por duket se ndryshimi nuk është i mirëpritur për doktorin, por kërkon vetëm ta përdor si alibi. Por kjo nuk mund të zgjasë gjithmonë… /TEMA/
Komente
