Kryeministri Edi Rama ka postuar sot, dy statuse në faqen e tij në Facebook, nga pjesëmarrja e tij në një eveniment politik shumë të rëndësishëm europian në Gjermani.
I mbajtur në një qytet shumë të rëndësishëm gjerman, Aachen, bëhet fjalë për ceremoninë e çmimit prestigjoz “Charlemagne Prize”, Edi Rama ka postuar dy statuse.
Njërin, me “nota shakaje”, tregon takimin me një figurë të vjetër të CDU-së gjermane, Elmar Brok, por që influenca e tij aktuale, nuk është si më parë. Ish-deputet në Bundestag dhe Parlamentin Europian sidomos, Brok është një mik i vjetër i Sali Berishës. Madje nuk e braktisi as në fushatën e fundit të zgjedhjeve të 11 majit, ku i erdhi në një nga mitingjet elektorale.
Rama, në postimin për Brok shkruan: Elmar Brok: “Edi, urime! Eh, erdha përsëri në Tiranë të të vrisja, po ti sa herë unë vij të të vras ngjitesh më lart!
Unë: Elmar, vetëm një gjë s’kam për të ta falur kurrë! Vjen në Tiranë dhe s’pi një kafe me mua, ndërkohë që unë të jam borxhli, sepse siç thoshte Niçja, “Çfarë s’të vret të bën më të fortë”! Plas e qeshura dhe përqafohemi si miq të vjeter”.
Ndërkaq, në një postim tjetër, kryeministri shqiptar ka publikuar një sërë fotosh, të shoqëruar me shënimin: Gjermani – “Privilegj të isha ndër të ftuarit e nderit në ceremoninë e akordimit të çmimit prestigjioz “Charlemagne Prize” për Presidenten e Komisionit Europian dhe miken e çmuar, Ursula von der Leyen”.
“Charlemagne Prize”, edhe pse organizohet nga qyteti i Aachen, e një fondacion i drejtuar nga kryebashkiaku(në rastin aktual kryebashkiakja) e këtij qyteti, është një eveniment me simbolikë të posaçme politike.
Ai mban emrin e Perandorit Romak të mesjetës Karli i Madh, i cili bashkoi pjesën më të madhe të Europës Perëndimore në një etnitet politik. Këtë çmim e kanë fituar figura politike të rëndësishme nga SHBA dhe Europa, por edhe gazetarë apo intelektualë të shquar.
Për të përmendur vetëm disa: Henry Kissinger, Bill Clinton, Toni Blair, Helmuth Kohl, Angela Merkel, Papa Françesku, Tymothy Garten Ash, etj etj. Një vit më parë e fitoi kreu i komunitetit hebraik të Europës, dy vjet më parë, Vladimir Zelensky dhe populli ukrainas. Ndërsa në 2022 krerët e opozitës bjelloruse që u burgosën nga Llukashenko. Këtë vit, çmimin e mori kreu Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, si një shenjë e fuqizimit gjeopolitik të Bashkimit Europian. Çdo çmim i dhënë ndër vite ka pasur simbolikën e tij politike të caktuar.
Ndërkaq, parë në fotot e këtij evenimenti, aty kishte shumë pak politikanë të majtë: Martin Schulz, ish-kreu i Parlamentit Europian dhe ish-lider i socialdemokratëve gjermanë, por që vinte si fitues i çmimit në vitin 2015, kryeministri i Maltës, Robert Abela dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Aty, sipas fotove ndodhej “ajka” politike e CDU-së gjermane në pushtet, pra partisë Kristian Demokrate, përkatësisht krahu “perëndimor” i kësaj partie, që sot ka edhe fuqinë ekzekutive të CDU-së.
Prezenca e Kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz, ishte dëshmi e rëndësisë që i ka dhënë këtij evenimenti, ku ndodhej edhe Edi Rama, më të cilin është takuar në mjediset e tij.
Përveç Elmar Brok, Rama është takuar edhe me një personazh tjetër të njohur në Shqipëri, deputetin e rëndësishëm të CDU-së, Gunther Krichbaum. i cili shfaqet jo vetëm i çlirët, por edhe i qeshur dhe bën selfie me kryeministrin shqiptar.
Edi Rama, ka një histori të vjetër lidhjeje politike me Gjermaninë që pa ardhur në pushtet, por kryesisht me mjediset socialdemokrate gjermane. Fondacioni i së cilës Friedrich Ebert, ka kontribuar në formimin e knoë hoë-t politik të PS-së në programe dhe organizimin parlamentar.
Me ardhjen në krye të qeverisë, Rama pati një partneritet të afërt me kancelaren e atëhershme Angela Merkel, atëherë edhe kryetare e CDU-së, lobi i së cilës ndodhej nga Berlini, pjesën lindore të Gjermanisë, por mbi të gjitha në Bavarinë e pasur, ku fuqi politike janë Kristian Socialët e CSU-së, grupi më konservator dhe i djathtë i kristian-demokratëve gjermanë.
Pikërisht në landin e Bavarisë, kryeministri shqiptar është parë shpesh gjatë viteve të qeverisjeve, ku është takuar me politikanë të rëndësishëm, biznesmenë, të cilët në këtë land kanë një peshë mjaft të fuqishme, si dhe në aktivitete si artist, ku ka hapur ekspozitat e tij. Të cilat, natyrisht janë mjedise edhe lobimi politik, madje mjaft më të mira se konferencat.
Ndërkaq, Partia Demokratike, atëherë e drejtuar nga Lulzim Basha, por që de fakto bosi ishte Sali Berisha, kishte një marrëdhënie të mirë me “lobin perëndimor” të CDU-së, i cili drejtohet nga kancelari Merz. N0jë biznesmen dhe politikan shumë i rëndësishëm dhe me lidhje të forta jo vetëm brenda gjermanisë.
Në vitin 2017-2019, ky lob ka qenë mjaft kritik ndaj qeverisjes së Edi Ramës, bazuar nga raportet dhe lobimet që bëri PD-ja e Bashës, por edhe deputetë të tjerë.
I ngarkuari, ose kryesori në këtë aksion ishte Gunther Krichbaum. I cili ka qenë për një kohë të gjatë shumë i hidhur me Edi Ramën, qeverinë e tij, e sidomos me mazhorancën qeverisëse. Shkurt ishte një përkrahës i fortë i PD-së. Ishte koha kur në tabloidin më të lexuar në Gjermani “Bild” u publikuan përgjimet e zgjedhjeve të pjesshme në Dibër.
Krichbaum e detyroi Ramën dhe deputetët e PS-së, ku Taulant Balla ishte interlekutori kryesor, që atëherë të bënin disa inkursione në Bundestag për të hequr mendimin negativ e për të bindur këtë lob në atë kohë minoritar brenda CDU-së. Në atë kohë Rama takoi edhe vetë Friedrich Merz në Bundestag, ku dhe publikoi një foto të posaçme.
Gunther Krichbaum, ndërkaq, u bë i njohur edhe së fundi pasi ka sulmuar rëndë Sali Berishën, e ka marrë ofendime të forta nga vetë kreu i PD-së e të gjithë pasuesit e tij. Krichbaum, apeloi PD-në si mik i saj që të mos ndjekin një të akuzuar për korrupsion dhe i këshilloi të mos sulmojnë SPAK, pasi ka mbështetjen e BE-së.
Gunther Krichbaum, sot është shumë i rëndësishëm, pasi është Ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Përkatësisht zëri dhe dora e kancelarit Merz në diplomacinë gjermane.
Rama, sipas fotove të postuara, ka takuar edhe Jean-Claude Juncker, ish-kreun e Komisionit Europian. I cili në kohën e tij u bë i famshëm në videot ku ecte duke u lëkundur dhe ngacmonte koleget në samite. Euroskeptikët dhe sovranistët e sulmonin viralisht e egërsisht në rrjete si pijanec. Juncker, ndërkaq politikisht ishte kreu i Komisionit që bllokoi zyrtarisht pa afat zgjerimin e BE-së dhe natyrisht negociatat me Shqipërinë.
Natyrisht që e gjitha kjo ndodhi për shkaqe politike brenda BE-së, por Juncker, duke qenë edhe politikan i një vendi minor si Luksemburgu ndiqte pëshpëritjet në vesh të disa vendeve të tjera që ishin më skeptike. Si për shembull Holanda, Danimarka, pore dhe Franca.
Sot situata është krejt ndryshe. Jo vetëm me komisionin “gjeopolitik” të Ursila Von der Leyen, por edhe në vendet anëtare. Sot tre shtetet më skeptike ndaj Shqipërisë, janë ndër mbështetëset më të mëdha për integrimin e saj.
Po pse Rama ishte i vetmi kryeministër i të gjithë Ballkanit, jo vetëm atë Perëndimor në evenimentin VIP të Aachen-it?
Gjasat, apo hipotezat, që duken më afër realitetit, është se kryeministri shqiptar ka qenë i pari lider politik, më pas e bëri Nicușor Dan në Rumani, që të bëjë fushatë elektorale me hyrjen në Bashkimin Europian. Që ishte karta e sllogani bazë i Partisë Socialiste për mandatin e katërt. E po me gjasë, kjo pjesëmarrje në këtë event simbolik të fortë, është paradhoma e vendimit politik për hyrjen e Shqipërisë në BE. Së paku nga Gjermania, e cila është edhe fuqia kryesore, tashmë jo vetëm ekonomike, por edhe politike e ushtarake e Europës së re.
Edhe takimi me “armikun” e fundit brenda CDU-së, Elmar Brok, i cili siç thotë vetë Rama “u mbyll me përqafim e të qeshura”, ishte një mesazh direkt për Sali Berishën e veçanërisht faktorët politikë(nëse mund të ketë të tillë) brenda Partisë Demokratike./Tema
Komente
