Sali Berisha, sot në SPAK

Opinion

Ylli Pata: Pse votuesit demokratë s’votuan për kopjet e doktorit?

10 Qershor, 18:58| Përditesimi: 10 Qershor, 19:02

  • Share

Një debat real politik, i cili duhet të nisë menjëherë për të kapur zgjedhjet vendore në prag, për të nxjerrë një klasë të re politike.

Operacion, i cili është më i vështiri në politikën e sotme. Kur jo vetëm në Shqipëri, katedrat e universiteteve, shtypi a edhe shoqëria civile, apo edhe “kazermat” partiake, nuk po furnizojnë më cilësinë e individëve karizmatikë me të dhëna lidershipi.

Koha e artë e viteve 90, kur kryesitë e partive ishin mbushur me profesorë universitetesh, diplomatë e shkencëtarë ka përfunduar. Sot, “doktorët” janë në hiperinflacion, dhe “tezat shkencore” përgatiten në copy paste.

Vende të rëndësishme e fuqi botërore si SHBA, Franca, Gjermania, Italia etj, e kanë të vështirë të prodhojnë një klasë lidershipi të freskët. Kjo natyrisht sepse në epokën aktuale, nuk ka më grupime kolegjiale, por gjithnjë e më shumë parti personale.

Po jetojmë në epokën e liderit të fortë dhe gjithnjë e më shumë do të bëhet vendimarrja gjithnjë e më e “thjeshtë” edhe më e përqendruar.

Rasti i fundit i konfliktit ndërmjet Donald Trump dhe Elon Musk, aleatit që i dha fitoren në zgjedhjet e vjetshme, tregon pikërisht këtë fenomen, që po fuqizohet.

Në këtë situatë që po vuan bota në qarkullimin e elitave politike, ne dukemi si në habitatin tonë, pasi jemi prej kohësh një “Jurasic Park” i mbushur me dinosaurë politikë.

Por edhe tek ne, ku këneta politike është një fenomen jo vetëm propagandistik, ka një sinjal të qartë të dhënë nga një pjesë e madhe e elektoratit opozitar. Që nuk u dha vetëm më 11 maj, por edhe në zgjedhjet vendore të dy viteve më parë.

Sinjal që qartësisht tregon se nuk e duan më Sali Berishën dhe Ilir Metën. Mirëpo çfarë ka ndodhur në hapësirën opozitare, edhe ashtu të brishtë tonën? Personazhet që kanë hyrë në lojë për të rinovuar skenën, janë një lloj kopje e Sali Berishës në modelin e diskursit politik.

Politika është një zanat i vështirë që kërkon njohuri të thella e kulturë të gjerë, por në radhë të parë, është profesioni që i jep më shumë mundësi një personazhi të nxjerrë “un-in” apo personalitetin e tij në publik.

Edi Rama, kur hyri në politikën zyrtare të socialistëve, nuk ishte një standard socialisti “tradicional”, madje shumë prej militantëve nuk e pëlqenin aktikomunizmin e ashpër të tij.

Megjithatë, në fushatat politike që nga ajo e para e bashkisë së Tiranës e deri më sot, Edi Rama ka rikuperuar dhe ka arrritur të mbajë të bashkuar të gjithë elektoratin e së majtës pa asnjë firo. Rama nuk ngjan fare me parardhësin e tij Fatos Nano, i cili edhe ai ishte një individualitet i spikatur dhe një personazh jo “politically correct”.

Kancelari i sotëm gjerman, Fridrich Merz nuk ngjan fare me Angela Merkelin, madje fitoi sepse ka qenë për vite oponenti i saj në CDU-në gjermane.

Po pse kopjojnë doktorin shumica e liderëve aspirant me ndonjë përjashtim? Sepse siç duket e njohin pak, fare pak, për të mos thënë aspak “popullin opozitar”. Njerëzit e PD-së në territor, që organizojnë votime prej 34 vitesh tashmë dhe bëjnë politikë pa reshtur, edhe pse kanë 12 vjet që nuk shohin pushtet me sy.

Logjika e tyre “drejto nga tastiera apo telefoni” është jashte realitetit. Demokratët në territor e kanë të qartë se çfarë duan, nëse dëgjohen me kujdes, ata ua japin identikitin e lidershipit të ri që kërkojnë.

Në SHBA pas humbjes së rëndë përballë Donald Trump, demokratët nuk po flasin për lidershipin e ri, edhe pse nuk kanë kohë, pasi për 2 vjet kanë zgjedhjet parlamentare të mes mandatit. Senatorët dhe kongresmenët demokratë postojnë në rrjete town hall-et e tyre me qytetarë, ku nuk flasin ata, por njerëzit, aktivistët, militantët e votuesit.

Po ku i ke “aspirantët” tanë? Çdo natë na kanë mbirë në televizione. Kurse në SHBA, mediat kryqëzojnë opozitën se kku kanë humbur demokratët, pse po e lënë Trumpit dorë të lirë. Elisabeth Warren, një veterane e demokratëve, senatore e korrentit të majtë e zgjedhur në shtetin ultrademokrat të Massachusetts, tha për “demokraten” New York Times: “Ne po dëgjojmë njerëzit, ata e kanë kohën e tyre sot”.

Sepse demokratët e provuan hidhur se çfarë do të thotë se ç’ndodh kur nuk bën primare, dmth nuk krijon aleancë me bazën për liderin e ri.

E gjitha kjo është një panoramë e duhur për “aspirantët” tanë që kopjojnë doktorin. Sa për kopje, atëherë ata kanë origjinalin. i cili firon votues zgjedhje pas zgjedhjesh. /TemA/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?