11 maji rriti numrin e deputetëve për Edi Ramën dhe zvogëloi atë për Sali Berishës. Futi 3 parti të reja në Kuvend, si dhe rinovoi një pjesë të rëndësishëm të emrave të Parlamentit.
Megjithatë, një rezultat tjetër i zgjedhjeve, që edhe pse nuk sollën ndryshim 180 gradë, gjithsesi lëvizje, është bllokimi i një modeli politikani, që po hynte me vrik në hapësirën publike shqiptaret.
Politikanit panelist, pra VIP apo banor bigbrotheri, ku më e rëndësishme nga ato çfarë thotë e bën, është se sa i rëndësishëm apo i famshëm është ai vetë.
Karma siç thuhet sot, e dikush i thotë fati apo kosmosi ka mënyra të ndryshme për të lëvizur gjërat. Në Parlament nga partitë e reja për shembull nuk hynë star-ët e studiove dhe liveve në social, por emra të tjerë, të cilët nuk kanë qenë “banorë të shtëpisë” në karantinën e gjatë të fushatës, që ka kapërcyer afatin zyrtar.
Duket një shenjë e ndrojtur, po që sipas të gjitha gjasave do të mund të korigjojë yryshin e një fenomeni krejt jo racional të galopit të atllarëve të rinj që të zinin vend në vendqëndrimin luksoz të kuajve të racës së politikës shqiptare.
Mania e bërjes i rëndësishëm si personazh, e jo aktet politike të rëndësishme, çoi në një velitje të publikut nga një kakofoni sjelljesh dhe retorike që i godiste përnatë. Duke humbur kështu ditë pas dite, shpresën se po lind një klasë që ka një vizion ndryshe nga elita apo kasta e vjetër.
Nuk është aspak e rastësishme që Ambasada e SHBA ka thirrur deputetët e rinj nga të gjitha forcat dhe i ka dhënë një mundësi trajnimi, aty ku është hard core e politikës botërore: Kongresi amerikan. Pra Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, ku bëhet politikë jo vetëm e nivelit të lartë, por edhe e intensitetit të lartë.
Kjo lëvizje e Ambasadës së SHBA në Tiranë, përveçse një kontribut për të ndihmuar rishtarët, është edhe një sinjal i qartë për mjedisin politik, si dhe për elektoratin. Me anë të këtij akti, SHBA synon të bëje hapin e dytë të lëvizjes pro qytetarëve, pas angazhimit dhe mbështetjes së reformës në drejtësi.
Pas kthimit nga SHBA, deputetët e rinj, do të kenë sipas gjasave më shumë dije për mënyrën dhe hilet e politikës. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë kur politikanët tanë janë trajnuar në parlamentet e vendeve të mëdha perëndimore, e kur kanë ardhur këtu, e kanë përdorur dijen si një pasaportë, e jo si një bllok për ta hapur herë pas here.
Sfida për rishtarët është pikërisht se a do ta nisin ta zbatojnë ato që kanë mësuar në korridoret më të zhurmshme të politikës botërore. E kjo do të vihet re që në seancat e para të Parlamentit të ri, që nis në fillimin e shtatorit. E ku sipas gjasave, mësimi më i rëndësishëm që ju kanë ngulitur është se primare nuk është të jesh personazh i famshëm me shumë ndjekës, por aktet që mbrojnë e kauzat që mbështesin, të cilat peshohen nga koha se sa të rëndësishme janë./Tema
Komente
