Në rezultatin final të deritanishëm në KQZ, Partia Demokratike ka marrë afër 33% të votave popullore. Të cilat, ka shumë komentatorë, që duke i marrë në aspektin numerik, pra më shumë se 500 mijë, i quajnë gjysma e elektoratit. Kjo, nëse llogaritet vota jashtë vendit, pasi brenda vendit, PD ka marrë edhe më pak, pra 482 mijë vota në rang kombëtar.
I parë në të gjitha sondazhet që janë bërë që nga viti 2021 për Sali Berishën, nga shumë kompani, deri edhe të njohura për saktësi kirurgjikale, rezultati i pëlqyeshmmërisë nisi nga 27% deri në 33-35%, në krahasim me liderët e tjerë. Madje në një sondazh të publikuar nga ABCNews në bashkëpunim me Angi Ricerche, Sali Berisha, sa i përket pëlqyeshmërisë ishte poshtë edhe Adriatik Lapajt dhe Agron Shehajt. Të cilët janë realisht jo thjeshte opozitë ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, po politikisht toksik me të majtën.
Ç’ka do të thotë se votuesit e rregullt kundër Partisë Socialiste, të cilët nuk janë as gri e as të majtë, kanë preferuar më shumë liderët e rinj sesa Sali Berishën.
Ky nivel është edhe rezultati politik i zgjedhjeve të 11 majit. Të cilat nga një anë Berisha po i konsideron pozitive, ngaqë ka rritje në krahasim me zgjedhjet vendore të 2023-shit, e nga ana tjetër nuk njeh humbjen.
Zgjedhjet bashkiake, kanë një veçanti krejt të ndryshme me ato paralmentare. Edhe pse zgjedhjet lokale kanë një sinjal apo mesazh politik, ato votime janë më shumë të afërta me territorin përkatës ku ata zhvillohen.
Nëse në Shkodër, Benet Beci fitoi me një rezultat plebishitar në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, rezultati elektoral i zgjedhjeve palamentare të 11 majit ishte që PD doli në vend të parë, gati me 1 mijë vota diferencë.
Një rezultat që së pari për partinë e Berishës është rekord negativ i rëndë, në një territor ku fitonte nga 5 deri 8 mijë vota diferencë, së dyti është faktori PSD që mori 6700 vota, që të paktën në 2 të tretat e tyre janë të majta.
Po ta lëmë Shkodrën e të marrim një tjetër bastion të PD-Kamzën. PD është në krye me gati 1300 vota, ku 1700 i ka marrë PSD e Doshit, por edhe faktorë lokalë si Shemsi Premçi, vota që për bashkinë kanë shkuar për Rakip Sulin.
Në thelb, vota politike ndryshon shumë nga ajo vendore dhe shpreh qëndrimin politik ndaj liderëve kryesore, por edhe të tjerëve që janë në garë. Edi Rama, përkatësisht PS, ka marrë 53%, ndërkohë që sondazhet e jepnin nga 48-52%. Pra në një linjë me një perceptim të gjate disa vjeçar pas 2021-shit.
Zgjedhjet kanë mbaruar, qeveria aktuale ka marrë mandatin e katërt, opozita në këtë rast, edhe pse mund të ketë rritje, apo edhe kapërcime pozitive, kjo nuk ka relevancë në zgjedhjet politike. Ku rregulli është se kush fiton qeveris dhe ruan skuadrën, kush humb ribën nga e para të gjithë ekipin, duke nisur nga trajneri.
Si logjikë politike, opozita popullore ndaj Ramës, qeverisë, mazhorancës, është një logjikë normale. Madje konsiderohet e shëndetshme për një shtet demkratik.
Por në zgjedhje garojnë liderët. Sot Sali Berisha ka rimarrë skenarin e vjetër të kontestimit dhe justifikimit të humbjes, por e dhëna bazë është se ai pëlqehet nga maksimumi 33% e shqiptarëve. Dhe kjo me 530 mijë vota. Për të shkuar në 51% duhen mbi 750 mijë; kaq e thjeshtë është.
Natyrisht që është e thjeshtë dhe këtë e kuptojnë të gjithë, por këtu prej vitesh, faktori, apo establishment politiko-financiaro-mediatik Berisha, e ka ndaluar me dhunë, deri edhe mesjetare, krijimin apo formësimin e një sythi lidershipi.
Me justifikimin se ai është një Trump në energji e hajthësi, por që në fushatë nuk ja doli dot as një javë edhe fizikisht. Ky është problem më shumë personal e familjar, por mospëlqyeshmëria popullore ndaj Berishës nuk është për problemet e tij demenciale, për mëkatet e tij kur ai ka qeverisur këtë vend.
Biden, meqë ra fjala, që në mënyrë të pandershme Berisha e sulmon ashtu si dhe Clinton-ët, të cilët të paktën nga shqiptarët meritojnë vetëm mirënjohje, nuk kishte probleme pëlqyeshmërie në lidhje me qeverisjet e tij, por thjeshtë se ishte i pamundur fizikisht.
Sot, çdo demokrat i angazhuar në parti, pra anëtar i PD, është i vetëdijshëm që me Sali Berishën e klanin e tij nuk fitojnë, e kjo thuhet në çdo mjedis, tregohet edhe pse me ndrojë në procese primaresh të trukuara apo vota preferenciale për deputetë të veçantë si Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku.
Megjithatë, farkëtimi i një lideri politik është një proces jo thjeshte i gjatë, por kërkon një konsensus të madh brenda familjes politike, përkatësisht PD. Sali Berisha nuk pranon të largohet? Ja rasti për demokratët që të bëjnë një revolucion demokratik! Më pas t’ja nisin me qeverinë e Edi Ramën!/Tema
Komente
