Fredi Beleri, një personazh politik i OMONIA-s së Himarës, me një përfolje të vjetër me masakrën e Peshkëpisë, shpalli se do të jetë kandidat i Sali Berishës dhe Ilir Metës në bashkinë Himarë.
Këtë, Beleri e deklaroi në televizionin e Berishës, pak ditë pas mitingut që zhvilloi në qytetin e vogël të bregut, kryeministri grek Qirjako Micotaqis.
Ku, përveç kryeministrit grek, edhe Belerit, u shfaq papritur edhe Vangjel Dulja.
Tashmë është e qartë, se po kthehet operacioni “Bollano”, ku në zgjedhjet e vitit 2007, Partia Demokratike hyri në aleancë politike me PBDNJ-në e Vangjel Dules, duke thyer kështu “koalicionin patriotik”, i cili ishte zbatuar në zgjedhjet e viteve 2000 dhe 2003.
Por kësaj radhe, gjërat kanë ndryshuar shumë, e vetë personazhi i asaj kohe, Vasil Bollano, para pak ditësh u bë objekt i kronikës, pas një aksidenti fatkeq në Llogara.
Kjo lëvizje politike e Berishës e Metës për të mbështetur një kandidat “skifter” të OMONIA-s, i cili gjithë këto vite ka qenë kundër zhvillimeve në territory nga bashkia dhe qeveria atje, po vërteton edhe më shumë atë që “Shtëpia e Lirisë” nuk ka lidhje me opozitën në territor, pra me strukturat e Partisë Demokratike.
Himara, tashmë prej vitit 2015 është një bashki pak më e madhe se ajo e vitit 2007 dhe gjeopolitika e saj ka ndryshuar mjaft, sidomos me hyrjen në këtë territor të disa fshatrave të Labërisë.
Ndërkaq, strukturat e Partisë Demokratike në Himarë, thuajse kanë ndërprerë të gjitha kontaktet me njerëzit e Belerit dhe OMONIA-s atje. Fakt është se edhe pse mjaft banorë të Bregut kanë pasur e kanë probleme me pronat e regjistrimin e tyre, ata nuk ju bashkuan asnjëherë protestave që kanë zhvilluar Beleri e Neranxi.
PD në Himarë, e ka elektoratin e saj kryesisht në fshatrat që janë të njohura për një qëndrim patriotik dhe anti-Omonia. Piluri, Vunoi, Qeparoi, fshatrat e njësisë Lukovë me Borshin kryesisht, por edhe të tjerë, si dhe në njësinë administrative Horë-Vranisht, janë vende ku strukturat e PD-së kanë kryesisht funksionimin e tyre, e kanë mbajtur një qëndrim të qartë anti-Omonia, edhe kur kanë pasur vendime nga lart.
Katër vite më parë, Lulzim Basha, shkarkoi për t’i bërë qejfin Vangjel Dules, kreun e PD-së për Himarën, Kristo Çipën, i cili u vu në krye të degës, pikërisht nga pjesa më e fortë e militantëve të opozitës. E cila vjen nga një shtresë e persekutuar, që janë përndjekur gjatë regjimit komunist, si pasojë e lidhjeve me partitë nacionaliste, apo sepse ishin pjesë e familjeve me prona e pasuri.
Pikërisht kjo pjesë e elektoratit të PD-së nuk është pyetur as herën e parë kur u krye operacioni “Bollano”, ku u dëmtua më shumë PD sesa PBDNJ-ja, e as sot, kur Beleri shpalli se ka përkrahjen e dy shefave të “Shtëpisë së Lirisë”.
Operacioni “Bollano” 2 është në fakt thelbi i manovrës Berisha-Meta për zgjedhjet lokale të 14 majit. Të qënueit me defiçencë të madhe ndërkombëtare, si pasojë e izolimit total, ata po tentojnë të gjejnë një dritare komunikimi me qeverinë greke, ngaqë Micotaqis erdhi në Himarë para disa ditësh.
Në fakt ajo ishte një lëvizje politike e kryeministrit grek për të rikuperuar pjesën nacionaliste të elektoratit grek, në një kohë që qeveria e tij është e dëmtuar nga skandali i përgjimeve. Vangjel Dule, i cili mandatin e deputetit e mori nga PD në dy zgjedhjet e fundit, është në fakt një artific politik. Pasi minoriteti real grek në Dropull dhe në FIniq nuk e ka votuar asnjëherë këto vite, duke mbështetur Kristaq Kriston. Prej ditësh, mbështetës e militant të opozitës në Himarë po shprehin një distancim të qartë nga operacioni Beleri, që është dëshmi e qartë e izolimit i Foltores edhe nga baza e PD-së. Ndaj po kërkon struktura të gatshme, si “skifterët nacionalistë grekë” të OMONIA-s.