Ylli Pata: Shkodra, viktima 30 vjeçare e fanatizmit politik

9 Mars 2022, 19:37| Përditesimi: 9 Mars 2022, 19:41

  • Share

Mjafton vetëm një shifër, ajo e diferencës mes pjesëmarrësve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të shkuar dhe zgjedhjeve të pjesshme të së djelës, për të parë dramën e Shkodrës.

Më 25 prill 2021, në territorin e bashkisë së Shkodrës votuan 69,352 persona, ndërkohë që më 6 mars vetëm 46,872 vetë. Pra 22,480 më pak.

Një sinjal i qartë që në këto zgjedhje, nuk ndodhi ajo që shpresonin shumë vetë, që rezultatin nuk do ta determinojnë militantët fanatikë, por “shumica e heshtur”. E cila nuk ka shkuar fare në votime.

Një zhvillim që ka ndodhur shpesh në Shkodër në harkun e 30 viteve. Një shembull? Zgjedhjet vendore të 20 tetorit 1996, kur në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar bashkie, partia që fitoi ishte ajo e abstenimit.

Në balotazh, kur dolën përballë kandidati i PD-së Artur Luka me atë të të Djathtës së Bashkuar Shkodrane Bahri Boriçi, pati një përmbytje votuesish. Një rritje me mbi 15 mijë vetë, që u rikthyen në kuti, pasi vërtetë patën shpresë se mund të ndryshojnë diçka. Dhe parën të drejtë. Vota e tyre funksionoi.

Në bashkinë Shkodër, janë të regjistruar në lista 168, 288 votues, ku natyrisht më shumë se gjysma e tyre ndodhen jashtë territorit të vendit apo të bashkisë, por këtë rezultat që pamë më 6 mars ishte një skenar i nxitur nga politika.

Edi Rama e ka trajtuar Shkodrën gjithmonë si një territor për t’ja dhënë opozitës, megjithëse në atë zonë ka një komunitet qëndrestar socialist që nga viti 1992.

Pas rrëzimit të komunizmit, Shkodra u kthye në një bastion të PD-së, edhe si pasojë e dhunës e shtypjes që diktatura e Enver Hoxhës kreu në atë zonë. Po askund si  në Shkodër, Partia Socialiste nisi menjëherë një proces reformimi të fuqishëm.

Shaqir Vukaj, një inxhinier dhe diplomat që mori kreun e PS-së pas tmerrit të 2 prillit 1991, ofroi një model politik që ishte nga më të emancipuarit në politikën shqiptare. Mjafton të shikosh listën e deputetëve të PS-së në Shkodër më 22 mars 1992: Poeti i madh shqiptar Frederik Rreshpja-i burgosur politik i diktaturës, futbollisti i madh shqiptar e trajner i Kombëtares, Medin Zhega, plus emra të tjerë, që ishin një sinjal politik drejtuar qytetarëve se PS vjen si një forcë qytetare e progresiste.

Natyrisht PS nuk mori asnjë deputet në listë direkte(atëherë 100 parlamentarë zgjidheshin direkt në sistem mazhoritar).

Megjithatë, sinjali politiko-civik që Shaqir Vukaj i dha qytetarëve të Shkodrës krijoi një klimë që çonte kah zbutja e përplasjeve politike të provokuara nga trazirat e dy viteve pas rrëzimit të diktaturës.

Por Sali Berisha, nuk e lejoi që të mbillet një klimë e paqtë në qytet e të gjithë zonën. I fryu zjarrit të përçarjes me slloganin: “Shkodra nuk i do socialistët”, ç’ka çoi në vitin 1993,  në ndalimin e aktiviteteve publike të opozitës në Shkodër me anën e dhunës së njerëzve të krimit. Nga ai vit, njerëz me precedentë penale nuk lejonin të zhvilloheshin takimet e opozitës.

Ishte e pamundur që PS deri në vitin 1998 të zhvillonte një aktivitet normal në Shkodër. Në vitin 1994, po në Shkodër u vra, nga vëllai i deputetit të PD-së, një qytetar i thjeshtë, Gjovalin Çekini, thjesht se mori pjesë në aktivitetin e Aleancës Demokratike, e cila arriti që të ndezë opozitën kundër Sali Berishës.

Një student i ri i Gjuhë Letërsisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Gjergj Zefi, një themelues i PD-së në dhjetorin 1990, ndezi në Shkodër opozitën reale ndaj Berishës që vinte nga e djathta. E kjo opozitë u la me gjak. Gjak që vijoi muaj pas muaji, vit pas viti, në kokën e Gjergjit, (I cili u dhunua fizikisht disa here nga detashmentët kriminale të PD-së) por edhe të gazetarëve e opozitarëve, apo kundërshtarëve të Sali Berishës.

Është ikonike një ngjarje e vitit 1996 në Shkodër, kur kreu i policisë ishte kreu i truprojave të Sali Berishës.

Një mjek, shok i shkollës me Sali Berishën, i cili ishte edhe një bletërritës pasionant, gjatë udhëtimit me furgon nga Velipoja në Shkodër, thotë si muhabet me bashkëbiseduesit udhëtarë, se “Saliu është gomar se e njoh mirë”. E arrestuan dhe e dëndën në dru.

Kjo atmosferë solli dhe mbolli thirrjen e të fortëve, në politikën lokale. Edhe PS-ja që kishte kryesisht mësues, pedagogë dhe ekonomistë, nisi të thërrasë të fortët e dikurshëm të bandave të qytetit. Që normalisht u bënë shoferë e bodigardë të drejtuesve politikë, ç’ka ishte shenja e parë e frenimit të njerëzve normalë në selinë e PS-së. Madje, tregonte një pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, i cili ishte socialist jo vetëm me bindje por edhe i anëtarësuar, se kur shkoi në selinë e PS-së, një i fortë i “bandës së Xhabijes” që  punonte shofer në degën lokale i drejtohet: “He mar profesor, pse s’ke ardhë në mbledhje të organizatës”. Prej asaj dite si profesori, por edhe shumë intelektualë u frenuan të afrohen në parti.

E kështu hapësira u rrit për të fortët dhe “kapitenët e lagjeve”. Është interesant në vitin 1998 një dialog i Musa Ulqinit me një pjesë të fortësh që ishin pjesë e PS-së së Shkodrës tashmë. E takojnë në hollin e Pallatit të Kongreseve, gjatë seancave të KPD-ve të famshme, e i ankohen se PS që ka ardhur në qeveri nuk i kishte dhënë punë. Musai ja kthen: “Do interesohem menjëherë, çfarë profesioni keni?” Ata përgjigjen: Kemi mbaruar të mesmen mekanike. Ulqini vijon: “Do interesohem urgjent t’ju gjej punë në profesion”. Ata: “Çfarë profesioni, duam në tatime e dogana”. Musai ngre supet e me ironi thotë se në këtë sektor kanë të tjerët kompetenca. Nuk kaloi shumë që këto të fortët u futën në policitë tatimore e doganore. Sepse modelin e kishin të gatshëm nga qeverisja e PD-së: ku emëruan në sektorët kyç njerëzit më të frikshëm të Shkodrës.

E kështu erdhëm në vitin 2005 kur Tom Doshi e Paulin Sterkaj fituan për herë të parë si deputetë socialist në qark që nuk kishte ndodhur nga 1990. Një model që më pas çoi në instalimin e logjikës së njerëzve të fortë, përplasjes direkte.

Viti 2015 ishte një shans i madh për një ndalim të kësaj politike në Shkodër, kur për PS kandidoi Keti Bazhdari, një biznesmene e re që afroi rreth vetes ajkën rinore e intelektuale të Zonës. Arriti të marrë 28 mijë vota, numrin më të madh që një kandidate socialiste kishte marrë historikisht në Shkodër.

E cila me qëndrime të qarta politike u distancua nga të fortët. Por pas humbjes Bazhdarin PS e braktisi dhe u rikthye tek të fortët. Nëse PS do të mobilizonte thjesht votuesit e saj, Majlinda Angoni do të arrinte të bëhej kryebashkiake e Shkodrës. Nuk arriti vetëm për 2 mijë vota, pasi mori më shumë se 18 mijë.

E kështu patëm fitoren e Bardh Spahisë që mori 20 mijë votat e një fushate ku strukturat e vjetra fanatike të Sali Berishës, kombinuar me pushtetin verikal të Voltana Ademit si kryetare bashkie me vende pune e shpërmblime.

Ndërkohë PSD si aleate e PS-së nuk ka votuar për Majlinda Angonin. Partia e Tom Doshit më 25 prill 2021 ka marrë 9,808 vota, e PS: 15,848  vota. Sikur këto vota të bashkoheshin, Majlinda Angoni do të shpallej kryebashkiake me 25 mijë e 656 vota.

Këto janë vetëm disa të dhëna që tregojnë se si një pakicë e zhurmshme mund të kontrollojë një realitet konkret, gjë për të cilën jurisprudence botërore por edhe shqiptare i ka gjetur zgjidhjen.

Deri para vitit 2003, në Shqipëri, si deputet, por edhe kryebashkiak nuk zgjidhej në raundin e parë, asnjëri prej kandidatëve që nuk merrte 50+1 të votave. Ndaj zhvillohej balotazhi me dy kandidatët e renditur të parët, një procedurë demokratike që njihet si franceze por që zbatohet në shumë vende të botës. Deri në vitin 2003 zbatohej edhe në Shqipëri, por kjo u rrëzua nga e ashtuquajtura reforma “Islami-Gjana”, që mban emrat e përfaqësuesve të PS-së: Kastriot Islami(sot në krah të Berishës) dhe atij të PD-së Jemin Gjana(sot në krah të Bashës).

Një zhvillim që ka sjellë edhe në bashki, edhe në zgjedhje parlamentare të vitit 2005 që të fitojë ai që ka shumicën relative, duke prishur një traditë të rëndësishme të balotazhit ku në raundin e dytë mblidhte kryesisht atë që quhet “shumica e heshtur”. Meqë e ka nisur, Lulzim Basha, duhet ta rikthejë si pjesë e reformës elektorale balotazhin alla francez. Në Shqipëri ka funksionuar, sidomos kundër fanatikëve politik e të fortëve…/TemA

 

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lika: 10/03/2022 18:56

    Mos krahaso 1996.shkodra është Bastion i PD. Rama don me fitu me çdo kushte Shkodrën por në k ka për t'a fituar kurre

    Përgjigju
  • rosa: 10/03/2022 11:23

    Pse o rrace pate duhet te mendojne te gjithe si ty qe te jen ne rrugen e drejte.Ate kane pare si kandidatin me te mire dhe e votuan.Na del nje glase pate edhe ofendon gjithe zonen.Shko mor klysh komunisti fare e keqe

    Përgjigju
  • adi: 09/03/2022 23:18

    ja dhe patoku qe kerkon yllin e enver hoxhes

    Përgjigju
  • Scutari: 09/03/2022 21:39

    Ylli, ke harruar Ndrekë Rukën!! Në kohën kur nuk guxonte njeri ti përmendte emrin partisë socialiste, pas vitit 1997, ky erdhi nga Dajçi dhe me vota të plota kapi kryetarin e PS Shkodër dhe nuk mori asnjë privilegj.

    Përgjigju
  • Shkodrani: 09/03/2022 21:00

    Me vjen keq qe Shkodra ka rene ne kete gjendje. Kete e kane bere vetem politikanet dhe askush tjeter. Njerezit e punes, intelektualet, artistet, njerezit qe e duan vertet Shkodren nuk mund te afrohen tek partite politike per nje arsye te madhe: jane njerez me karakter.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?