Kryeministri Rama me një mbështetëse socialiste

Ylli Pata: Sulmi absurd ndaj 800 mijë mbështetësve socialistë

2 Shtator, 20:01| Përditesimi: 2 Shtator, 20:04

  • Share

Qasja e Preç Zogajt që të keqen e shikon tek e ashtuquajtura “armata antidemokratike e 800 votuesve të PS-së” nuk është një rast i veçuar.

Përkundrazi, ky koncept që Zogaj e solli si frustrim politik në një koment të tijin, është qarja 30 vjeçarje e establishmentit të Partisë Demokratike, që gjithashtu ka ardhur si frustrim politik.

Tashmë është kthyer në një anektodë mendimi i ngulur gozhdë në kokën e udhëheqësve të vjetër të PD-së, sipas të cilëve: “në nuk fitojmë sepse populli shqiptar është i majtë”. Dhe e thotë një parti që ka ardhur në pushtet në vitin 1992, 1996, 2005, 2009, është opozita kryesore e vendit e ka qeverisur për vite qytetet kryesore të Shqipërisë. Një mentalitet jo vetëm fatalist, por mosmirënjohës në thelbin e tij. Pasi votuesit që kanë sjellë Partinë Demokratike në pushtet, por edhe në opozitë janë shqiptarë; të majtë, të djathtë, të qendrës, apo edhe njerëz që ndryshojnë mendimin.

E gjithë filozofia e “popullit të majtë” është një ide dembele e një politike që ka humbur çdo kontakt me njerëzit, që nuk e kupton fare çfarë kërkon e mendon zgjedhësi shqiptar, dhe e ndan atë, duke e fyer, madje rëndë. Duke i thënë i paguar, i blerë, patronazhist, komunist, pensionist, nostalgjik etj etj.

Por në rastin e zotit Zogaj ky koncept është shumë më i rëndë, pasi jo vetëm ai por një pjesë e madhe e të ashtuquajturëve “politikanë liberalë” janë votuar më shumë se një herë nga armata 800 mijëshe e socialistëve shqiptare.

Preç Zogaj dhe kolegët e tij që u zbuan me dhunë nga Sali Berisha në vitin 1992, gjetën strehë si opozitë e tij dhe përfituan poste politike shumë të larta si pasojë e votave të kësaj armate. Jo vetëm Zogaj, por edhe Arben Imami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Perikli Teta, Arben Demeti, etj etj, u bënë deputetë, ministra, zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si këshilltarë të Presidentit etj etj si pasojë e votës së 800 mijë votuesve socialistë. Të cilët u bënë digë ndaj qasje antidemokratike të establishmentit postkomunist, duke u privuar nga puna, te drejtat njerëzore dhe benefitet familjare. Ishte kjo armatë që u bë jo vetëm digë, por edhe fuqi politike e ndryshimeve të mëdha si rrëzimi i Kushtetutes monarkike te Sali Berishës në 1994 apo votimit të Kushtetutës që kemi sot në 1998. 

E në këtë rast ja vlen të përmendet rasti i 21 janarit 2011, kur Preç Zogaj ishte pjesë e opozitës dhe kishte miqësi me familjen e Aleks Nikës.

Pikërisht më 21 janar 2011, Preç Zogaj u dhunua verbalisht nga disa deputetë të PD-së dhe vetë Sali Berisha, duke u akuzuar se familja e Aleks Nikës e ka akuzuar Zogajn si njeri që çoi në vrasje njeriun e tyre.

Kaluan shumë vite, Preç Zogaj, si ka ndodhur disa herë ka ndryshuar kazakën politike, por familja e Aleks Nikës, me një konseguencë të lartë e vetëdije qytetare që asnjë politikan shqiptar nuk e ka pasur, udhëhoqi një betejë epike për drejtësinë dhe të vërtetën. Dhe e fitoi, e fitoi në mënyrën më demokratike, më fantastike, e më qytetare që mund të ndodhë në një vend perëndimor e të qytetëruar.

Pa sharë, pa sulmuar, pa ju drejtuar vetëgjyqsisë, por duke ndjekur mekanizmat demokratikë të një shteti të së drejtës. Dhe fitoi duke pasur tërë shtetin e pushtetin kundër. Gjykata më e rëndësishme dhe më e lartë e Europës i dha të drejtë, duke bërë që një familje, përkatësisht  Rajmonda Nika, e veja e Aleksit dhe Marku, xhaxhai i tij, janë kthyer sot në një simbol të drejtësisë në Shqipëri.

Simbol i një rruge që asnjëherë nuk kishte ndodhur më parë.

Të akuzosh një elektorat, një armatë votuesish për frustrimin politik është gjëja më e lehtë, më Dembele, kur në fakt mundësitë jo thjesht për të bërë për vete këtë grup, por edhe për të joshur votues të rinj janë shumë të mëdha, është një veprim më së paku naiv.

Sidomos kur ky elektorat, siç është armata e 800 votuesve, në historinë politike shqiptare ka dhënë një kontribut politik jo vetëm për të sjellë në pushtet partinë që simpatizon, por edhe parti e grupime të tjera  që janë angazhuar këto 30 vjet, ku hyjnë PAD, socialdemokratët, por edhe parti të ekstremit të djathtë.

Në vitin 1996 në Shkodër, fitorja e një kandidati i propozuar nga dy partitë tradicionale të së djathtës: Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk do të kishte ndodhur kurrë pa votën e socialistëve shkodranë. Të cilët e bënë këtë jo thjesht me një vetëdije politike e pragmatike, por pas një qëndrimi të qartë politik të PS-së në qendër e në bazë.

Është e qartë se 800 mijëshja e ka me Sali Berishën dhe do ta ketë gjithmonë, por mjafton të kujtojmë 2005-n, kur kjo 800 mijëshe u nda për të votuar një lider tjetër si Ilir Meta, edhe pse e dinin se do rikthehet doktori. E diskush, si personazhi që i fyen sot, doli deputet nga i ashtuquajtur “operacioni Dushku”, në raundin e tretë të zgjedhjeve.

Por skandali më i madh është krahasimi i votuesve socialistë me mbështetësit e Lukashenkos apo Putinit, kur dihet mirë se atje opozita ka fituar zgjedhjet, por i kanë dhunuar, burgosur, vrarë, helmuar, apo edhe ekzekutuar. Gjë që ka ndodhur edhe këtu si për shembull më 21 janar 2011. E këtë armata 800 mijëshe nuk e harron e s’do ta harrojë kurrë. Kjo është vetëdije demokratike, jo e kundërta!/ Tema

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xxxx: 02/09/2024 21:12

    Shume te drejte ke por kur shikon qe ne PS po aderojne njerez qe nuk meritojne atehere ne qe ishim themelues te PS indinojemi dhe nuk shkojme ne zgjedhjet e 2025.Keshtu ndodh ne Vlore me deputetet e zgjedhur me drejtuesit e insitucioneve me kryetarè bashkie e lloj lloj speciesh qe nuk meritojne respekt.Atehere pse duhet te shkojme ne zgjedhje?Me mire abstenojme se te gjithe jane njesoj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?