Vendimet e marra nga GJKKO-ja me personazhet e nivelit të lartë politik, që nga rasti “Tahiri”, e me radhë, nuk kanë gjetur një konsensus në publik, politik, apo në komunitetin e ekspertëve juridikë.
Megjithatë, gjyqtarët special vendosën një tabu në lidhje me sjelljen e tyre me vendim, që u kthye në një standard të përgjithshëm.
Ku vendimet ishin përgjithësisht drakoniane, nga fillimi i hetimeve deri në përfundimin e tyre. Të gjithë të arrestuarit mbeteshin në burg deri në fund të procesit, e në proces, vendimet përgjithësisht ishin konfirmim në frymë e gërmë, i materialit dhe pretencës së akuzës, pra SPAK.
Ndërkaq, për gjyqtarët special, u shpërnda imazhi në opinion, se janë të “verbër” dhe të “shurdhër” nga ajo që ndodh në opinion, pasi vendimet i marrin në indipendencë të plotë e të shkëputur nga mjedisi që i rrethon.
Për këta gjyqtarë, madje u hap një mit se janë “spartanë”, “parimor” e nuk duan të afrohen në mjedisin politik apo atë mediatik shqiptar.
Vendimet drastike të marra kanë ardhur si bombë në radhë të parë tek të akuzuarit dhe ekipet mbrojtëse të tyre, e deri në rrethin e afërt të këtyre personazheve. Argumentet e tyre, në komentimin e vendimit kanë qenë jo thjeshtë kundërshtuese, por kanë treguar se ajo ashpërsi vendimi ka qenë e papërshtatshme me veprën konkrete, duke vënë në përdorim klauzolën më ekstreme të saj.
Pikërisht kjo performancë, ky ‘standard” apo tabu në lidhje me vendimet e ashpra, ka hasur prej kohësh në një debat të ndezur në opinion. Duke krijuar kështu një mjedis juristësh, gazetarësh dhe politikanët që ishin kritikë me këtë sjellje.
E këto kritika ngjitën, ngase standardi i drejtësisë në vendet perëndimore nuk është mbushja e burgjeve, por një politikë penale që synon një vendim të ekuilibruar dhe të drejtë, që mbështetet me prova të pakundërshtueshme.
Në Perëndim, nbushja e burgjeve nuk është standard as në fazën e parë, e as pas vendimit. Politika penale përdor forma të ndryshme sipas rastit, për të dhënë mesazhin e duhur duke krijuar një standard.
Por me rastin “Partizani”, drejtësia ka kohë që ka rrëzuar këtë mit drakonian dhe që nuk shikon majtas e djathtas.
Një nga gjyqtarët që hapi më shumë këtë tabu me vendimet e tij, apo edhe me intervistat mediatike, shkoi deri atje sa e nxori Sali Berishën nga arresti i shtëpisë me motivin se ka fushatën elektorale dhe i duhet partisë në fushatë.
Natyrisht që opinioni i gjyqtarit është i tij, e mund të ketë argumentet që e mbrojnë, por referimi tek një kontekst jo pastërtisht ligjor por të mjedisit që vepron, bëri krisjen e parë e mitit të GJKKO-së.
Ndërkaq, miti mori çarje të madhe ndaj rastit Ulliri, ku gjyqtare e rastit ku gjykohet Sali Berisha, pra kryetari i PD, u caktuar një familjare e deputetes së PD-së. Një rast afër konfliktit të interesit, apo sjelljes etike, që u pranua nga gjyqtarja e cila ofroi dorëheqjen.
Por nuk u pranua nga kreu i GJKKO-së, e sot kjo gjyqtare liron dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, duke pranuar garancinë pasurore.
Nuk është fundi i botës, sidomos ku procesi është si në rastin aktual rrugës e masat e sigurisë mund të jenë fluide.
Por përballë publikut, GJKKO ka thyer një standard, që ndikon në besueshmëri e pritshmëri. Në një vendim të GJKKO-së i kërkohet SPAK që të vendosë arrest për burg ndaj një zyrtari sepse kjo është pritshmëria e publikut, ndërkohë sot pikërisht pritshmëria e publikut që të paktën të mos ketë as një re në besueshmërinë e gjyqtarëve me lidhjet e tyre me Berishën, ka rënë totalisht.
Pas asaj që ndodhi sot, çdo standard që mund të rikthehet me rastet e tjera, nuk do të shikohet si parimore, por e paramenduar dhe tendecioze.
Pra ku ishim e ku jemi: Selanik e të përpjetë, siç ka qenë do të jetë! Kush ka fuqi, para dhe sulmon drejtësinë do shpëtojë, të tjerët. Të shohim. /TEMA/
Komente
