Akti i bujshëm i 21 tetorit, pavarësisht viralitetit dhe efektit të madh në publik, në realitet ishte i pritshëm. Duke nisur nga Ilir Meta, e njerëzit e tij rrotull.
Të cilën këtë mundësi e kthyen në kompleks frojdjan, ku shprehnin publikisht të thënat e subkoshiencës, e cila është pjesë e mendjes, por nuk përputhet me arsyen dhe logjikën si sintezë.
Përveç rritjes së teatralitetit hipokrit në të ashtuquajtura debate të darkës, arrestimi i Ilir Metës, nuk ka pasur deri më sot një zhvillim të rëndësishëm politik.
Sali Berisa, e mori vesh live lajmin e arrestimin dhe u trondit, thjesht për arsye të prishjes së skenarit apo strategjisë së tij, të një negociate të kontrolluar me mazhorancën.
Por Partia Demokratike dhe vetë Partia e Lirisë, pavarësisht notave nervoze të deklaratave të pasuesit të mesit, janë në një kaos politik të dukshëm.
Një kaos politik, që deri tani nuk ka asnjë opsion, asnjë ide, asnjë vendim sesi opozita do të sillet me faktin e ri, që në realitet është një zhvillim i madh politik dhe pse më shumë juridik.
Kur u arrestua Fatos Nano, në vitin 1993, Partia Socialiste i drejtoi të gjithë bateritë politike për të mbrojtur dhe legjitimuar kryetarin e saj. Brenda dhe jashtë vendit. E në ngjarjen e parë politike, një vit pas arrestimit të Fatos Nanos, opozita regjente, edhe pse e frustruar edhe e goditur, i dha Sali Berishës një nga goditjet më të mëdha e më të forta, siç ishte referendum i Kushtetutës së vitit 1994.
Kanë kaluar shumë vite prej atëherë, por ja vlen të kujtohet. Pushteti i Sali Berishës ishte në ekstazë. Kishte hipur aq sipër sa i shikonte rivalët si liliputë që i shtypte me këmbë. Ngriti një mekanizëm shtetëror që kontrollonte gjithçka, e ku ndërkombëtarët nuk kishin akses si kanë sot në pjesë bërthamore të shtetit shqiptar.
Në referendumin e 6 nëntorit 1992, Sali Berisha vuri shtetin në shërbim të një fushate politike, por në territor, opozita pa bërë zë, bëri aleancat e duhura, e në çdo qendër votimi ruajti procesverbalet. Të cilat përfunduan në kasafortën e Namik Dokles në fund. Nënkryetarit të PS-së, i cili i ruajti si floriri i shtetit shqiptar. E kur Sali Berisha kishte gati planin B të bëntë një manipulim siç dinte ai, ishte mat, nga çelësi i kasafortës së Namikut. Më pas e gjitha është kronikë e rënies së Saliut që kishte shkëlqyer shumë pak.
E gjitha kjo panoramë, natyrisht nuk është një analogji perfekte, por një panoramë për të kuptuar se një opozitë, reagimin e ka dhe duhet ta ketë politik.
Po cili ishte reagimi politik i PD-së për arrestimin e Ilir Metës, njeriut që i ha siglën Sali Berishës më 6 mars 2022 dhe 14 maj 2023?
Praktikisht nuk ka reagim! Konferenca e Monikës, ashtu e vetmuar në sallën e shtypit të Kuvendit, nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi okulare e një tradhtie të pastër. Një tradhti, duke nisur nga bashkëpunëtorët e saj të ngushtë që janë deputetë të PL-së, por veçanërisht nga PD-ja.
Por përse ndodh kjo? Sepse qartazi problemi i madh është reagimi i publikut, sidomos opozitar, i cili jo vetëm që “s’e rruan” për ngjarjen në fjalë, por ka edhe qëndrim. Një qëndrim që publiku shqiptar e ka të njohur. Kur janë arrestuar edhe drejtues të tjerë të lartë si Nexhmije Hoxha apo Ramiz Alia, a edhe udhëheqë me emër të komunizmit, nuk pati reagim politik.
E kjo nuk do të thotë se nuk pa pasur një solidaritet njerëzor për t’i qëndruar afër të gjithëve. Madje kjo kronikë asnjëherë nuk është shkruar dhe ka ecur me teori konspirative. Sepse ka pasur njerëz që i kanë ndihmuar thuajse të gjithë personat e arrestuar në atë kohë. Por i kanë ndihmuar si një akt njerëzor e jo politik. Partia Socialiste, nga vinin të gjithë këta emra dikur të mëdhenj nuk i mbrojti.
E pikërisht ky qëndrim krijoi një precedent, të cilin edhe pse nuk e ka përcjellë udhëheqja e sotme e opozitës, e cila është elita 30 vjeçare e vendit, e kanë perceptuar strukturat dhe komuniteti politik i Partisë Demokratike dhe së djathtës. Të cilët, treguan se janë më të kthjellët se Berisha edhe Meta. Edhe pse në publik i mbrojnë, apo edhe tregohen solidar për t’i dërguar ujë, ushqime e cigare. Kjo pjesë shqiptarëve nuk i mungon kurrë.