Këngë e grupit Asgjë sikur dielli

Ylli që trazoi rrjetin dhe opozitën

30 Gusht 2022, 11:10| Përditesimi: 30 Gusht 2022, 11:14

  • Share

Më 24 maj 2014, grupi kosovar “Asgjë Sikur Dielli”, nxjerr një Youtube këngën “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar”. Video klipi i këngës nis me flamurin shqiptar të periudhës komuniste dhe në brendi të videos gjen figurat e Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Bajram Currit dhe disa personazhe të tjera. Regjisor dhe ilustrues i kësaj video të realizuar në Prishtinë më 14 dhjetor 2006 është Gentian Begolli.

Më 29 tetor 2022, nënkryetari i Partisë Demokratikë, fraksioni pa vulë, kërkon arrestimin dhe dënimin me burg të autorëve, sepse, sipas zyrtarit demokrat, ata kanë përdhosur Flamurin Kombëtar të Shqipërisë. Me këtë rast citon edhe disa nene të Kushtetutës mbi përmbajtjen e flamurit të sotëm zyrtar.

Në fakt, në festivalin “Sunny Hill”, nuk u tund asnjë flamur fizik i kohës së komunizmit. Thjesht u shfaq në ekran LED, video klipi i vitit 2014, i cili gjendet lehtësisht në Youtube. Dhe ky është një ndryshim i madh.

Megjithatë, shfaqja e yllit mbi shqiponjë nuk është asfare përdhosje e simbolit tonë kombëtar, flamurit. Ai flamur, me atë yll, ishte për 45 vjet simboli zyrtar i një shteti të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mbi atë flamur, për 45 vjet, kanë kënduar himnin të gjitha ekipet tona sportive që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Vetë autorët e këngës e sqaruan shumë qartë që ajo video nuk ka lidhje fare me komunizmin, por le ta marrim të mirëqenë që nënkryetari demokrat është provokuar e bashkë me të, edhe të tjerë si ai.

Ajo që duhet sqaruar është që PD-ja e ka me yllin në përgjithësi apo me dizajnin e tij në veçanti?

Po të jetë për yje në flamur, ato i kanë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kosova, Turqia, etj., etj. Po të jetë ylli si simbol i keq, duhet të jetë edhe tek këto flamurët që përmenda.

E kanë me dizajnin e tij? Nëse SHBA ka yje të bardhë në një fushë blu; BE-ja ka yje të verdhë në një fushë të bardhë; Kosova ka yje të bardhë në një fushë blu; Turqia ka yll të bardhë në një fushë të kuqe; Shqipëria komuniste kishte një yll me konture të verdha, në brendësi i kuq, dhe e gjitha në një fushë të kuqe. Pra Shqipëria kishte një yll të kuq në një fushë të kuqe, ku konturet e verdha bënin dallimin midis dy ngjyrave të njëjta.

Në rast se e kanë me dizajnin e yllit në flamur le ta thonë. Por mund ta kenë edhe me vetë yllin, i çfarëdolloj ngjyre qoftë ai, mjafton që të mos jetë mbi shqiponjë.

Plotësisht dakord me të gjitha variantet. Po a thua që ylli (sipas formatit të regjimit komunist) ishte e keqja dhe fatkeqësia e atyre njerëzve që vdiqën kampeve të tmerrshme të atij regjimi gjakatar?

Po ja, e hoqëm yllin në dhjetor 1990. A na ndihmoi mungesa e yllit në flamur që të mos kemi më të vrarë e të zhdukur në demokraci? Që të mos ndodhte vitit 1997 me mijëra të vrarë? Që të mos ndodhte Gërdeci më 26 viktima? Që të mos ndodhte 21 janari me 4 të ekzekutuar pa gjyq?

Këto nuk i them për thjeshtim të çështjes, por ta ngresh një video klip muzikor, të publikuar 8 vjet më parë dhe që nuk ka lidhje fare me evokimin e të kaluarës komuniste, në një problem për ndëshkime penale këngëtarësh, regjisorësh, producentësh artistikë, organizatorësh spektakli (ku njëri prej tyre është babai i një Ylli të muzikës botërore), vetëm në selinë e një partie pa vulë mund të dëgjosh marrëzira të tilla. Ndjesë zoti nënkryetar demokrat i fraksionit pa vulë, që përdora fjalën Yll për këngëtaren e famshme Dua Lipa. E kisha pa qëllim të keq.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?