Partia Demokratike nuk ka asnjë provë për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kurse Sali Berisha jo vetëm nuk ngjall më shpresë, por po mban peng partinë për interesat e tij personale.
Shkaku kryesor që shqiptarët nuk votojnë këtë opozitë është pikërisht ai, pasi kujtojnë të gjitha “bëmat” në 30 vite dhe mënyrën se si sillet, sikurse ngjarjet me skemat piramidale, 1997, Gërdecin apo dhe 21 janarin.
Kështu u shpreh në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ të moderatorit Nertil Agalliu, analisti dhe gazetari Ilir Yzeiri.
I ftuar në Report Tv ai bëri analizën e situatës para dhe pas zgjedhore, pretendimet e PD-së për manipulimin e zgjedhjeve, por edhe politikat me reformën në drejtësi, ekonominë dhe faktorët socialë të vendit.
“Si mund të vijnë shqiptarët pas teje, kur ti vetëm djeg karrige në Parlament dhe bën rrëmuja. Berishës nuk i beson më askush, ai nuk ngjall më shpresë dhe po e mban peng PD-në për interesat e tij personale”, tha Yzeiri mes të tjerash në analizën e tij për sjelljen e opozitës pas 11 majit.
Kurse në lidhje me pretendimet për manipulim të zgjedhjeve nga mazhoranca, ai shtoi:
“Përsa i përket zgjedhjeve të 11 majit dhe pretendimeve të Berishës për manipulimin e votave duket se ai dhe PD-ja nuk kanë asnjë provë për ato që thonë. Por u vunë re disa fenomene, ku votuan më pak se gjysma e shqiptarëve. Procesi zgjedhor duhet thënë se është më i kontrolluari, nuk pati problematika të theksuara. ndërsa u vu re se 60% e shqiptarëve e refuzuan klasën politike”.
Ai ngriti shqetësimet edhe për fusha të tjera, sidomos politikat penale me reformën në drejtësi, ku ka gjëra që duhen reformuar edhe më tej dhe korrigjuar, sepse ka problematika që tashmë janë evidentuar qartë.
“Këtu është ndërtuar një sistem penal ku futesh në burg vetëm për një fjalë goje. Këta kërkojnë votën e emigrantëve shqiptarë në botë, por pyetja është a interesohet ky shteti ynë për ta, për ata që vuajnë burgjeve të botës. Pa përjashtuar problemet ekonomike. Këto janë problematikat që duhet të diskutohen në këtë vend, t’i jepet zë shoqërisë civile dhe të diskutohet realisht”, u shpreh analisti.
Por cila është arsyeja që shqiptarët nuk votuan opozitën PD-ADSHM, e cila mori edhe rezultatin më të keq historik në zgjedhjet e 11 majit.
“Ti thua pse nuk votojnë opozitën? (i drejtohet moderatorit). Po si mund të votojnë një njeri që ka 30 vite flet e sillet në mënyrë të njëjtë. Me ato që ai ka bërë dhe ashtu si sillet. Si mund ta votosh një njeri që ka bërë Gërdecin, 1997, 21 janarin apo dhe Piramidat. A mund ta votojnë shqiptarët kur kujtojnë humbjen e parave?! Ia dhanë edhe njëherë shansin më 2005 duke e rikthyer dhe ai përsëri i vrau, bëri Gërdecin dhe 21 janarin. Më thuaj se si mund ta votojnë shqiptarët këtë opozitë..?”, mbylli analizën e tij Yzeiri.
Komente

Se shumica e shqiptarëve pranuan rregullisht të bëmat e falangës Berisha sdo fjalë por 2013 ishte gabimi ku ai bëri futi buxhetin në faliment dhe me shpresën se pas një kohe të shkurtë do të shpërthente revolta por falë menagjimit të qeverisë Rama1 aty fillon tatpjeta e klanit Berisha sepse filluan ti shembin rrjetin e tij kriminal që kishte lëshu deri në Amerikë Latine përmes pasaportave diplomatik por mbi të gjitha shkatërrimin e Repuplikes Lazaratit bastion i PD ndryshe edhe sot do të ishte zoti dhe zotëruesi i Shqipërisë
Përgjigju