Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), ishte edhe kjo pyetje interesante: “Nëse duhet të zgjidhni mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, cila do të thoshit se është më e rëndësishme?”. Dhe plot 70.4% e të anketuarve anonin nga zhvillimi ekonomik, kurse vetëm 29.1% anonin nga demokracia!
Pyetjes tjetër interesante “Çfarë do të thotë BE-ja për ju personalisht?”, 34.3% e të anketuarve iu përgjigjën “Mirëqenie ekonomike” dhe 25.4% iu përgjigjën “Liri për studim e punë kudo në BE”. Pra, pothuaj 60% e të anketuarve e lidhnin BE-në në mendjen e tyre me një status më të mirë ekonomik. Nga ana tjetër, vetëm 12.6% e lidhnin BE-në me demokracinë!
Po mos ndoshta shqiptarët e këtushëm janë të bindur se Shqipëria ka arritur një shkallë të lartë demokracie, dhe deficitin e kemi vetëm në zhvillimin ekonomik?
Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Kështu, pyetjes “A ndiheni të përfaqësuar nga parlamenti?” vetëm 8.3% e të anketuarve iu përgjigjën “Po”, dhe 20.5% të tjerë iu përgjigjën “Anoj nga po”. Me pak fjalë, mbi 71% nuk ndihen të përfaqësuar nga ai që duhet të jetë tempulli i demokracisë përfaqësuese!
Po në lidhje me themelin e çdo demokracie – zgjedhjet e lira e të ndershme – ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm?
Pyetjes “A mendoni se zgjedhjet e përgjithshme të ardhshme (në vitin 2025) do të jenë të lira dhe të ndershme?”, vetëm 17.4% e të anketuarve iu përgjigjën “Po” dhe 31.7% “Anoj nga po”. Domethënë, më shumë se gjysma nuk besojnë se do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme!
Si përfundim, mund të thuhet se kemi një popullsi të rritur që, nga njëra anë, nuk ndihet e përfaqësuar nga parlamenti aktual në masën 71% e nuk beson në masën 51% se parlamenti i ri do të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa nga ana tjetër, i jep më shumë rëndësi zhvillimit ekonomik (në masën 70.4%) se sa nivelit të demokracisë në vend!
SHËNIM: Vrojtimin rigoroz statistikor për Barometrin e Sigurisë të CSDG-së e kryem nga Konispoli në Vermosh me anketime nga 34 anketues profesionistë. Kampioni i përzgjedhur u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.
zaloshnja kush kishte ndermend te ikte iku te tjeret i keni ketu derisa te plaken prandaj rrituni rrogat dhe pensionet te ndryshojne mendim edhe per demokracine ne kuvend si per ekonomine sepse andej nuk gjejne dot me as pune as mireqenje njerez andej kemi te gjithe flasim perdite me to dhe e kuptojme sa veshtire eshte te gjesh nje pune pa pretendime
Përgjigju