Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Zaloshnja: Përçarjen e kryeopozitarëve do ta paguajnë më 6 mars opozitarët e thjeshtë

20 Shkurt 2022, 10:45| Përditesimi: 20 Shkurt 2022, 10:52

  • Share

Qysh kur Basha, nën trysninë e fortë të diplomacisë amerikane, shpalli në 9 shtatorin e vjetshëm pezullimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, ish-kryetari nisi një fushtatë të pamëshirshme denigrimi ndaj pasardhësit të përzgjedhur me dorën e vet në krye të partisë. Dhe kur Basha, ndrojtur fillimisht, iu përgjigj “Bacës” eventualisht me të njëjtën monedhë, u bë e qartë për këdo se elektorati opozitar do të ndahej më dysh.

Po sa përqind opozitarëve të thjeshtë anojnë nga Basha e sa nga Berisha?

Zgjedhjet e 6 marsit, edhe pse të pjesshme (e për më tepër administrative), mund të shërbejnë në fakt si një letër lakmuesi statistikor i kësaj përçarje. Sadoqë Basha është munduar t’i japë publikisht sa më pak rëndësi kombëtare këtyre zgjedhjeve, Berisha, nga ana tjetër, e thekson dhe e rithekson përditë këtë rëndësi. Ai synon të arrijë në këto zgjedhje një epërsi të dukshme brenda sinorit opozitar, me shpresën se do të japë mesazhin, që pavarsisht situatës së tij “non-grata” në Uashington, opozitarët e thjeshtë përkrahin atë dhe jo Bashën, beniaminin e diplomacisë amerikane.

Po kush do ta pësojë nga kjo përçarje?

Sipas sondazhit tim më të fundit, do ta pësojnë votuesit opozitarë të 6 marsit! Pavarësisht nëse janë përkrahës të Bashës apo të Berishës…

Në sondazhin që zhvillova me 12 shkurt për llogari të revistës Newsbomb (numri përkatës i revistës doli këtë fundjavë në qarkullim), më rezultoi se vetëm në Shkodër egzistonin shanse të mira për fitore të një kandidati të opozitës (gjegjësisht, për kandidatin e Shtëpisë së Lirisë). Në bashkitë e tjera, fitorja ishte statistikisht e sigurtë për kandidatët e mazhorancës PS+PSD, ngaqë elektorati opozitar ishte i përçarë. (Përkrahësit e Berishës kishin një farë epërsie ndaj atyre të Bashës, por sondazhi ishte thjesht një fotografi elektorale e shkrepur 3 javë para votimit aktual, dhe diferenca mund të ngushtohet deri më 6 mars.)

Në qoftë se opozita do të kishte qenë sot e bashkuar, fitorja e saj në Shkodër e në Dibër do të ishte pothuaj e padiskutueshme më 6 mars. Vetëm 43.4% të votave morën PS+PSD në Bashkinë Shkodër në 25 prillin e vjetshëm, dhe vetëm 41.4% në Bashkinë Dibër.

Në qoftë se opozita do të kishte qenë sot e bashkuar, gara në Durrës do të ishte 50-50 më 6 mars. Vetëm 50.6% të votave morën PS+PSD në Bashkinë Durrës në 25 prillin e vjetshëm (megjithë investimin gjigand qeveritar për rindërtimin pas tërmetit).

Në qoftë se opozita do të kishte qenë sot e bashkuar, fitorja në Vorë do të ishte relativisht e mundur më 6 mars. Vora tradicionalisht ka votuar djathtas.

Me pak fjalë, më 6 mars, shkelmat proverbiale të atllarëve kryeopozitarë do t’i hanë gomarët e thjeshtë opozitarë… (Proverbi popullor: Kur zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët.)

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?