Zaloshnja: Vetëm 27% e vlerës së PBB-së u fut vjet në Thesarin e Shtetit shqiptar; 38% në atë malazez

8 Maj, 09:11| Përditesimi: 8 Maj, 09:26

  • Share

Sipas vlerësimit të FMN, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) kapi vjet pothuaj vlerën 23 miliardë euro në Shqipëri (me kursin e sotëm të këmbimit të euros). Ndërkohë, të ardhurat e brendshme të arkëtuara në Thesarin e Shtetit kapën vlerën 6.21 miliardë euro (grantet falas nga jashtë prej 222 milionë eurosh nuk i kam përfshirë në këtë shumë). Pra, vetëm 27% e vlerës së PBB-së u fut në Thesarin e Shtetit.

Duke përdorur një shembull të thjeshtuar, ekonomia e Shqipërisë mund të imagjinohet si një pemë që ka prodhuar 100 kokrra, 27 nga të cilat i ka vjelë shteti, e 73 të tjerat i kanë vjelë biznesmenët, të punësuarit dhe të vetëpunësuarit (si edhe zyrtarët e korruptuar të doganave e tatimeve).

Po si krahasohemi ne me fqinjin verior, Malin e Zi? E zgjodha Malin e Zi për krahasim, sepse ka gjeografi, histori, kulturë, ekonomi, e për më tepër, nivel taksimi shumë të përafërt me tonin (madje edhe PBB-në për frymë e kemi të përafërt).

Vjet në Thesarin e Shtetit të fqinjit verior u fut plot 38% e vlerës së PBB-së. Pra, duke vazhduar me shembullin e thjeshtë të mësipërm, nga 100 kokrra që ka prodhuar pema ekonomike malazeze (kuptohet janë kokrra më të vogla, sepse ekonomia malazeze është më e vogël se e jona), rezulton se shteti ka vjelë 38 kokrra atje, e 62 të tjerat i kanë vjelë biznesmenët, të punësuarit dhe të vetëpunësuarit (si edhe zyrtarët e korruptuar të tatimeve e doganave).

Ky hendek në vjeljen e të ardhurave ka qenë edhe më i madh para një dekade: 39.5% vs. 24.1% ishin përqindjet më 2013 (shihni grafikun më poshtë). Por, sidoqoftë hendeku vazhdon të mbetet një shqetësim që duhet adresuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, e cila po hartohet nga Ministria e Financave me ndihmën e FMN-së.

SHËNIM: Të dyja shtetet nuk shquhen për përdorim efikas e të pakorruptuar të të ardhurave që vjelin nga pemët përkatëse ekonomike. Në Shqipëri, raportet e përvitshme të KLSH-së dhe hetimet e derisotme të SPAK-ut e ilustrojnë këtë dukuri. Në Malin e Zi, rrugë të papërfunduara mes malesh dhe raporte investigative mbi korrupsionin ilustrojnë të njëjtën dukuri.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ardit: 10/05/2024 10:47

    Ide per te rrit taksat sikur mos mjaftonin niveli i taksave qe eshte dhe varferia ne ekstrem.

    Përgjigju
  • Korabi: 08/05/2024 14:29

    Mali i Zi i njohur prej dekadash si nr.1 per krim e korrupsion arketon me shume sesa Shqiperia. Pra ne qenkemi ne vend te pare tashme. Meqe mmiliardat e eurove firojne neper xhepa sipas deklarates se kryepykes hakdut, Rama eshte tradhetor. Bravo autorit per gjetjen e madhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?