Zamira Koleci rrëfen pasionin për radion: Jeta ime ishte puna! Gazetaria nuk njeh orar… Ndër ngjarjet më të bukura për shqiptarët koncerti i Albano Carrisit

13 Maj 2020, 11:08| Përditesimi: 13 Maj 2020, 11:18

  • Share

Është një nga ikonat e radios shqiptare. Zamira Koleci në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli” ka treguar shumë çka nga jeta e saj, pasioni për radion dhe këmbëngulja për të bërë punën që dëshironte. Sot një grua në pension, Zamira rrëfen nëpërmjet fotografive ngjarjet që kanë shenjuar jetën e saj. Me mallëngjim kujton koncertin e Albano Carrisit në Shqipëri, si një nga momentet më të bukura në jetë, ndërkohë që flet edhe për transmetimin e lajmit të vdekjes së ish diktatorit Hoxha.

Teksa bën krahasimin e gazetarisë ndër vite, ajo thotë se rregullat e komunizmit ishin diktuar dhe në media, ndërkohë që sot gazetarët ndonëse u mungon pasioni, kanë më shumë mundësi të bëjnë më shumë për profesionin e tyre.

Momenti kur filluat punë. Në Radio Tirana ishte puna juaj e parë?

Po, une kam mbaruar gazetari. Dhe në gazetari një herë në javë bënim praktikë mësimore. Dhe vinin njerëz të ndryshëm nga shtypi, nga radio, nga televizioni. Profesori im ishte Agron Çobani, ndjesë pastë. Dhe më pëlqente mënyra sesi e bënim praktikën mësimore me të. Mua më tërhoqi. Kur mbarova më caktuan te gazeta 'Puna', një gazetë e bashkimit të punëve profesionale, sot Sindikata. Mua nuk më pëlqeu fare, mu duk një gjë e ftohtë. Dhe një ditë i thashë vetes 'Po shkoj njëherë në radio, t'i them profesorit. Nuk kam qenë shumë e shkathët, puna më ka shkathësuar, por ishte instikti. I thashë që profesor dua të vij ne radio. Më çuan te radio e jashtme. Ishte një punë që nuk i merrje rezultate. Bëje lajme për shqiptarët jashtë atdheut, në gjuhë të huaja, t'i i bëje shqip, dëgjonin jashtë zërin e Shqipërisë. I thashë prapë, nuk më pëlqen. Dua të vij te redaksia e lajmeve. Po mirë më tha hajde. Megjithatë më thoshte që radiokroniste nuk do bëhesh. Por unë u bëra. Dhe kur takoheshim më thoshte që i vetmi parashikim që nuk më doli ishte ky. Dua të them që ska asgjë që nuk bëhet. Po ta duash punën, po të shkosh me dëshirë, gjithçka arrihet. Kështuqë unë fillova te lajmet dhe aty mbarova.

Ju keni punuar në një periudhë të vështirë, sakrificash, në periudhën e komunizmit. Dhe do doja shumë të kuptonim edhe ne sado pak sesi ndryshonte gazetaria e asaj kohe me këtë të sotmen?

Unë i kam thënë edhe studentëve kur u jap mësim, ne kemi bërë gazetari po asgjë s'kemi mësuar. Çfarë thotë Lenini, si pasqyrohen problemet e shtetit në shtyp në radio. Ne nuk njihnim gazetarë të famshëm, njihnim vetëm të Rusisë, të orientuar nga shkolla ruse. Kështuqë unë çdo gjë e mësova në radio. Kur shkova në radio nuk më thoshte njeri që ti duhet të vësh dorën në kraharor kur lëviz diafragma dhe të ndjesh një lloj rezonance. Kështu kanë ardhur të mësuarat tona. Kurse sot studentët i marrin këto mësime që me siguri vlejnë, por më shumë rëndësi ka sa thithin. Kam patur magnetofonin tim, që ishte më i miri. Kishte një cilësi regjistrimi të jashtëzakonshme. Dhe ai peshonte 12 kilogramë. Unë e mbaja në kurriz sepse kur bënim transmetime direkt, kur bënte udhëtime udhëheqja, duhet ta mbaja me vete gjithë kohën sepse do regjistroje, do merrje ambientin. Edhe sot e ndjej që shpatulla më dhemb kur mbaj peshë. Lëre që i urrej peshat, kam një tejngopje dhe ka lënë gjurmë. Megjithatë kur e kujtoj e adhuroj atë pajisje sepse nuk të linte kurrë në baltë.

Kam një fotografi tjetër.

Këtu jemi me Albano Carrisi (këngëtari i njohur italian). Ka qenë një kohë e jashtëzakonshme kur ka ardhur në Tiranë, ka mbajtur koncert. Por ka qenë para hapjes, duhet të ketë qenënë vitet '87- '88. Ndoshta edhe afër '90. Koncertin e parë e dha te Instituti i Arteve dhe të dytin në stadium. Dhe kur ka ardhur në një dasmë i ftuar, isha e ftuar dhe unë dhe ia kujtova dhe iu mbushën sytë me lot. Aq shumë e kishte përjetuar. I thashë, kur ti emocionohesh, po ne që e përjetuam më shumë. Dhe unë atëherë kam ndjekur gjithë takimet e tij me udhëheqjen, ishte si gjysmë zyrtare. Kishte ardhur bashkë me Rominën. Dhe kur këndoi në stadium, këngën 'Libertà', stadiumi buçiste, po e ndiqja nga radio, qanim. Shpirtërisht, ai koncert na mbushi me shpresë. Dhe prandaj e kam ruajtur. E solla sepse ishte një ngjarje tipike.

Kjo tregon që ju keni patur një lloj admirimi për muzikën e huaj ndryshe nga sot?

Sot ju se keni fare idenë çdo të thotë të dëgjosh muzikë të huaj. Çfarë kënaqësie ndjeje. E merrja magnetofonin, shkelja të gjitha rregullat e shtetit, ishim një grup që shkonim në Dardhë, në kamp, ishte një drejtor kampi fantastik, s'kishte as policë dhe në kupë të qiellit me këto këngë. Edhe thonim këtu mund të bërtasim, me këngët e njohura. Shkelja rregullat. E vetmja herë që e merrja. Ishte jeta ime, pot ë më prishej, sdo punoja dot.

Më bëri përshtypje një fotografi ku jeni e vetmja femër.

Në atë fotografi jemi me shefin e Kombeve të Bashkuara,  në takim me Ramiz Alinë. Vëllezërit Popa qëndruan disa kohë në ambasandën italiane. Edhe pse ishim atje nuk e di se çfarë u diskutua, por di këtë që pasi ambasadori iku, vëllezëzërit Popa ikën dhe filloi gradualisht lirimi I të burgosurve politikë.

Meqenëse përmendët Ramiz Alinë ju shoh edhe në një foto tjetër me të.

Këtu jemi në një festë të një brigade në Bugovë, sic I kishim ne. Fillonte janari dhe mbaronte dhjetori, në përvjetorin e çlirimit kur ishin jubile, Cdo të dielë kishte nga një festë. Aty kemi ndaluar me disa persona dhe bëmë këtë foto.

Një nga gjërat që ju keni bërë që ka mbetur më mendje ka qenë edhe përcjellja e lajmit të vdekjes së diktatorit Hoxha. Si e kujtoni atë moment?

Shkoj në punë si zakonisht, me biçikletë dhe shoh një inxhinier që po pinte cigare. ai zakonisht nuk pinte. Më tha shko te drejtori se të kërkon. Ishin mbledhur të gjithë. Drejtori më tha që ka vdekur Enver Hoxha. Ngelëm të gjithë. Tani më vjen për të qeshur, por ashtu ishte koha, ashtu ishte gazetaria. Më tha që ti do të bësh një emision me gjërat që ka thënë Enver Hoxha për gratë. Dhe mora mblodha veprat e tij, nuk mbaj mend nëse u bë emisioni. Në orën 12 u dha lajmi që ka vdekur Enver Hoxha. Do të tregoj një detaj interesant. Nëna imë ishte me një prejardhje bejlerësh nga Elbasani dhe ishte e ushqyer me një urrejtje ndaj komunizmit. Dhe më thoshte gjithmonë që ti do të ma japësh lajmin e para të vdekjes së diktatorit. Dhe nëse ma sjell lajmin e para do të të jap 500 lek, që ishin shumë për kohën dhe unë I hipi bicikletës dhe them po shkoj ti jap lajmin që të marr paratë. Dhe më dha paratë e ika në punë sërish. Më pas ihte ceremonia e varrimit. Dhe nuk e harroj në fillim na thanë që dhimbjen kthejeni në forcë e në fillim nuk qamë. Më pas na thirri drejtori I përgjithmshëm, na tha të qanim sepse është dhimbje e madhe,  nisëm që të qajmë. Pesë ditë homazhe. Kur qante e motra më  dhimbsej shumë, dhe Nexhmija qante po ashtu.

Festivali Folklorik i Gjirokastrës bëhej cdo 5 vjet dhe në ditëlindjen e Enver Hoxhës, më pëlqente shumë sepse kishte shumë dashuri. Nuk e harroj që hanim bukë me djathë, cfarë mrekullie, bënim lidhje direkte, ajo muzika më pëlqente, grupet folklorike, aty jam dashuruar me këngën popullore, më ka bërë shumë mirë ai festivali foklorik, ishte një gjë e mrekullueshme. Më pëlqen shumë solidariteti, ndoshta ishin dhe rrethanat e tilla, ka qenë tjetër kohë atëherë, gazetaria ishte e vështirë se duhet të kishe një ndjenjë përgjegjësie shumë e madhe dhe ajo na ka bërë shumë mirë. Me rregullat e komunizmit, por bënim radio reportazhe të bukura, nuk I harroj radio reportazhet e vitit të ri, nismin në Tiranë e në veri, ishte ftohtë, por edhe në jug. Merrnim njerëzit, por merrnim edhe ushqime atje, verë, dhe kalonim vitin e ri. Nuk pyesnim për orare, e as për shpërblime për oraret e tejzgjatura. Unë s’mbaj mend të kem bërë ndonjëherë pushim. Më habisnin njerëzit që thonin jam rehat në punë se nuk bëj asgjë.” shprehet në “Rreze Dielli” Zamira Koleci.

 

 

 

D.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?