Kultura

“Zanafilla”, emra të njohur të baletit botëror në Tiranë! Ciacciulli: Shkolla shqiptare, trashëgimi e rëndësishme

17 Korrik, 10:02| Përditesimi: 17 Korrik, 14:34

  • Share

Ajo rikthehet atje ku filloi gjithçka dhe bën bashkë balerinët e vegjël me emra të mëdhenj e të njohur të kësaj fushe. Bëhet fjalë për “Zanafilla”, një projekt i ideuar nga primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Adela Muçollari, e që ka marrë jetë në kryeqytetin shqiptar.

Emra të njohur në Teatrot e Vjenës, Budapestit dhe Milanos: Liudmila Konovalova (Prima balerinë e Operës së Vjenës), Maria Yakovleva (Prima balerinë e Baletit Kombëtar të Hungarisë në Budapest), Eno Peçi (Koreograf i Operës së Vjenës), Anxhelo Muçollari (Solist i Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës), Blerina Arbana (Drejtore e Shkollës Kombëtare të Baletit në Tiranë), Sead Vuniqi (Koreograf i Baletit Kombëtar të Kosovës), Valerio Longo (Zëvendës Drejtor i Baletit të Romës) dhe Pierpaolo Ciacciulli (Zëvendës Drejtor i Akademisë së Baletit Ukrainas në Milano) gjatë këtyre ditëve po mësojnë nxënësit e Shkollës së Baletit në një masterclass njëjavor e që në 19 korrik do të finalizohet me një shfaqje gala në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku do të kërcejnë bashkë këta artistë ndërkombëbtarë dhe nxënësit.

“Janë tetë pedagogët më të mirë ndërkombëtarë. Duke parë tetë teknika të ndryshme, që është baleti klasik, laboratori koreografik, baleti kontemporan. Ne kemi futur edhe teknika të trupit. Dhe e veçanta është që nuk mbetet vetëm një klasë trajnimi, por e gjitha kthehet në laborator koreografik, ku mësojnë, trajnohen dhe në fund fare do të ngjiten në skenë, në ëndrrën e tyre, në TKOB.”, - thotë për "Rerport TV", Adela Muçollari. 

Ndërsa Blerina Arbana, drejtoreshë e Shkollës së Baletit e vlerëson projektin si një nismë edukative-artistike, e cila bashkon të gjithë të rinjtë balerinë të Shqipërisë, Italisë e më gjerë.

“Në këtë masterklas, sikundër dhe një staf që ka Shkolla e Baletit, janë përzgjedhur nxënëssit më të mirë nga klasa e pestë në të 12-ën. I është dhënë një shans çdo nxënësi, që me të vërtetë ka pasionin, dëshirën dhe objektivin e qartë për të debutuar në skenë.”, - thotë ajo.

Për herë të parë, në këtë vit shkollor, Shkolla e Baletit ka hapur dyert edhe për nxënës të klasës së parë, në një klasë që do të ketë 30-35 nxënës.

Pierpaolo Ciacciulli, Zv.drejtor i Akademisë së Ukrainës në Milano, një ndër emrat më të njohur në fushën e baletit shprehet mjaft i entuziazmuar nga niveli i nxënësve shqiptarë, ndërsa shprehet se shkolla shqiptare është e fortë dhe ka prodhuar artistë të suksesshëm, si Kledi Kadiu, të njohur për publikun italian.

“Kam gjetur fëmijë të vegjël, por me posturë shumë të mirë. Mbi të gjitha disiplina që kanë është e dukshme që vjen nga një shkollë serioze. Kjo është gjëja më e rëndësishme: disiplina dhe kontrolli i trupit të tyre. Kërkon mjaft përpjekje, kohë, dedikim, durim. Kam punuar me balerinë të ndryshëm shqiptarë, si Kledi Kadiu, pastaj në Gjermani kam njohur të tjerë balerinë që vijnë nga kjo shkollë. Është mirë të mbroni këtë trashëgimi të rëndësishme, që është kultura e baletit klasik.”, - shprehet ai për "Report TV".

Për t’u vlerësuar është se në vijim, një pjesë e nxënësve shqiptarë pjesëmarrës në këtë masterclass, do të kenë mundësinë të shkojnë në Itali për të studiuar më tej, si dhe për të bërë shfaqje në teatrin “La Scala”.

 

B.G/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?