Kultura

“Zanafilla”, një mbrëmje gala me yjet e baletit botëror! Yakovleva: E mrekullueshme! Nismë e duhur për të rinjtë!

21 Korrik, 11:58| Përditesimi: 21 Korrik, 14:43

  • Share

Ajo është një mjellmë që lufton kundër vdekjes, që me lëvizjet dhe trupin e saj përcolli emocione në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Bëhet fjalë për balerinën e njohur ruse, prima balerinë e Baletit Kombëtar të Hungarisë, dikur prima balerinë në Baletin Kombëtar të Vjenës, Maria Yakovleva, e cila ka interpretuar këtë fundjavë para publikut shqiptar në një shfaqje të veçantë, “Zanafilla”, që ka bërë bashkë balerinë të njohur nga e gjithë bota, si dhe nxënës të Shkollës Kombëtare të Baletit.

Balerina ka interpretuar pjesën “The Dying Swan” krijuar nga Mikhail Fokine për Anna Pavlova, një pjesë që sipas Yakovleva-s është shumë speciale për çdo balerinë e ku ajo sigurisht sjell diçka nga vetja.

“Në këtë pjesë është shumë e rëndësishme të tregosh shpirtin dhe të tregosh luftën e mjellmës që po vdes. Është një pjesë shumë e trishtuar, me një muzikë mrekullisht të bukur. Për mua është njëpjesë shumë speciale. E kam interpretuar shumë dhe sa herë që e interpretoj gjej ngjyra të reja, lëvizje të reja.”, - thotë ajo për "Report TV".

Krahas Yakovleva-s në skenë janë ngjitur edhe emra, si: Liudmila Konovalova (Prima balerinë e Operës së Vjenës), Anxhelo Muçollari (Solist i Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës), Sead Vuniqi (Koreograf i Baletit Kombëtar të Kosovës) etj., ndërkohë që pjesë e aktivitetit kanë qenë edhe Valerio Longo (Zëvendës Drejtor i Baletit të Romës), Pierpaolo Ciacciulli (Zëvendës Drejtor i Akademisë së Baletit Ukrainas në Milano), Blerina Arbana (Drejtore e Shkollës Kombëtare të Baletit në Tiranë), Eno Peçi (Koreograf i Operës së Vjenës) dhe Adela Muçollari ((Prima balerinë e TKOB-it), njëherësh dhe ideatore e projektit.

Këta tetë pedagogë ndërkombëtarë kanë mbajtur një masterclass një-javor për nxënësit e Shkollës së Baletit, i cili u finalizua me këtë shfaqje gala.

“Është një ribashkim i mrekullueshëm me disa prej këtyre kolegëve: me Adelën kam kërcyer në Itali, me Eno Peçin kemi punuar bashkë në Vjenë për 17 vjet. Është shumë e veçantë dhe atmosferë e këndshme të jem këtu.”, shprehet Yakovleva.

Për Yakovleva-n, aktivitete të tilla dhe ky masterclass shërbejnë shumë për të rinjtë shqiptarë që studiojnë balet.

“Sonte do të kërcejmë në të njëjtën skenë me ta, kështu që do të shohin nga afër se si funksionon kur kërcejnë krah profesionistëve, si përgatitesh dhe sillesh në skenë, kur drita është e fortë apo muzika nuk fillon në momentin e duhur, pra të gjithë komponentët e performancës.”

Sipas saj këto mësime nga yje të baletit botëror sot, përtej asaj çfarë mësojnë zakonisht në shkollë janë shumë të rëndësishme.

“Iu dhamë jo vetëm këshilla shkolle, por këshilla të balerinëve profesionistë, si të performojnë dhe jo vetëm të bëjnë hapa. Grupeve të më të vegjëlve iu mësova variacione të ‘Cupid’ nga ‘Don Kishoti’ dhe për më të rriturit, variacione nga akti i parë i ‘Zhizel’. Në bazë të këtyre variacioneve, sigurisht është teknika dhe hapat e baletit, por gjithashtu shumë i rëndësishëm është roli, si e prezanton veten dhe çfarë do të thuash përmes këtyre variacioneve.”

Akademia Verore “Zanafilla” është mbajtur për herë të parë në Shqipëri. E konceptuar si një platformë për rritje artistike, kjo nismë synon të vendosë në qendër meritokracinë, duke krijuar hapësira reale për talentet e rinj të baletit në Shqipëri dhe më gjerë.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?