Durrës-Policia e Durrësit vijon me zhvillimin e operacionit për lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare.
Sot në njoftimin zyrtar për mediat blutë bëjnë me dije se në plazhin e Currilave, Spillesë dhe në Kepin e Rodonit liruan zonat që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Nga ky operacion efektivët sekuestruan 169 çadra dhe shezlongë, ndërsa në gjendje të lirë do të hetohen 3 persona banues në Durrës dhe në Tiranë.
“Shërbimet e komisariateve të Policisë Durrës dhe Kavajë, në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në tri hapësira publike, në plazhin e Currilave, në plazhin e Spillesë dhe te Kepi i Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan në total 169 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, N. S., 59 vjeç dhe A. R., 44 vjeç, banues në Durrës dhe në Tiranë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente
