Policia e Velipojës vijon me zhvillimin e operacionit për lirimin e hapësirave publike.
Pas kontrolleve të kryera blutë bëjnë me dije se ka nisur hetimi për dy persona pasi kishin zënë dy prona publike në rrugën nr. 9, pa leje nga organet kompetente.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër dhe me Policinë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Velipojës.
Nga kontrollet u konstatua se:
-shtetasi A. H. kishte zënë një pronë publike në rrugën nr. 9, në fshatin Velipojë, dhe e kishte përshtatur për ambiente me qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente;
-shtetasi T. Q. kishte zënë një pronë publike në rrugën nr. 9, në fshatin Velipojë, dhe kishte ndërtuar një objekt me konstrukt metalik, për qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. H., 63 vjeç, banues në Shkodër, dhe T. Q., 44 vjeç, banues në Velipojë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Komente
