ODIHR: Lufta për 'karrigen' e PD dëmtoi punën e Kuvendit dhe për reformën territoriale e zgjedhore

20 Shkurt 2023, 10:24| Përditesimi: 20 Shkurt 2023, 15:24

  • Share

TIRANË- OSBE- ODIHR ka shprehur shqetësimin se konflikti brenda Partisë Demokratike ka cenuar punën e Kuvendit, por edhe për avancimin në 2 Reforma të rëndësishme, si ajo zgjedhore dhe territoriale. Në raportin paraprak, para zgjedhjeve vendore të 14 majit, evidentohet “lufta” për karrigen e PD-së duke thënë se shtyrja e vazhdueshme e seancave dhe vendimmarrjes ka bërë që ende të mos ketë një vendim për vijimësinë e këtyre reformave, e për pasojë ODIHR ngre shqetësimin më lidhje me efektivitetin e drejtësisë.

“Një konflikt i brendshëm brenda PD-së ka ndikuar në punën e parlamentit, përfshirë edhe punën e komisioneve parlamentare ad hoc për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat. Pas humbjes së partisë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të marsit 2022 dhe pas dorëheqjes së kryetarit të PD-së z.Basha, doli një mosmarrëveshje për postin e kryetarit të PD.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj u bë në detyrë kryetar i PD. Por në fund të marsit 2022, Gjykata e Rrethit Tiranë regjistroi ndryshimet statutore të miratuara në dhjetor 2021 nga PD përmes Konventës Kombëtare të thirrur nga z. Berisha dhe mbështetësit e tij që rezultoi me emërimin e z. Berisha si kryetar partie. Ky vendim gjykate është apeluar nga z. Alibeaj në prill 2022 dhe ndryshimet statutore dhe emërimi pezullohen derisa të ketë një vendim për ankesën. Në atë kohë të raportimit, pas disa shtyrjeve të seancave, nuk është marrë asnjë vendim për këtë Apel që ngre shqetësime në mesin e shumë bashkëbiseduesve të NAM-it të ODIHR-it në lidhje me efektivitetin e zgjidhjes juridike”, thuhet në raport.

Pikërisht nisur nga këto paqartësi se kush është në krye të PD-së, OSBE-ODIHR njofton se ka takuar përfaqësues të 2 palëve të partisë, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso nga grupi i Sali Berishë dhe Enkelejd Alibeaj dhe Marash Logun.

Në këtë raport kërkohet nga partitë politike të zbatohen afatet e regjistrimit sipas ligjit ku subjektet në KQZ duhet të regjistrohen deri në 6 mars e koalicionet deri në 15 mars. Partitë duhet të dorëzojnë kandidatët deri në 27 mars dhe fushata nis në 16 prill.

Gjithashtu, ODIHR ngre shqetësime për keqpërdorimin e burimeve administrative, duke përfshirë presionin ndaj punonjësve publikë si edhe rritjen e shkallës së punësimit me kontrata afatshkurtra gjatë periudhës zgjedhore. Ndalur tek financimet e fushatës, fondet janë publike dhe private, duke përfshirë edhe kreditë.

“Donacionet janë të kufizuara në 1 milion lekë. Kontributet mbi 50 000 lekë duhet të bëhen përmes një llogarie bankare. Shpenzimet totale të një partie për fushatën nuk mund të kalojnë rreth 167.5 milionë lekë në shkallë vendi; shpenzimet e një kandidati të pavarur nuk mund të tejkalojnë rreth 27.9 milionë lekë. Financimi i fushatës nga palët e treta nuk rregullohet me ligj”, thuhet në raport.

OSBE/ODIHR përshkruan se mekanizmi aktual nuk siguron transparencë të mjaftueshme të financimit të fushatës, në veçanti të fondeve private të përdorura për fushatat duke përfshirë fushatën në internet dhe nëpërmjet palëve të treta

Për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, ODIHR rekomandon dërgimin nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së të 24 vëzhguesve afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në mbarë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër të vëzhgojnë procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin e votave dhe tabelimin e rezultateve.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?